Diktatura e propagandës nuk e do arsimin! –
Diktatura e propagandës nuk e do arsimin! –
Nga Jonida Tabaku.
Në një kohë kur vendet e rajonit po investojnë në fushën e arsimit dhe zhvillimit arsimor, qeveria “Rama” e ka shpallur armik dijen dhe arsimin. Kjo jo vetëm për cilësinë e deputetëve që ka afruar në radhët e mazhorancës, që janë të lidhur me botën e krimit më shumë se me atë të dijes apo arsimit, por edhe nga buxhetimi i arsimit. Tashmë është praktikë e qeverisë “Rama” që të buxhetojë shumë herë më pak se sa qeveritë e shkuara për arsimin, buxheti i arsimit është sot 2.3% e GDP-së, ndërsa investimet për shkolla të reja janë inekzistente.
Këtu nuk po përfshij investimet në fushën e dijes si biblioteka, abonime në revistat prestigjioze shkencore apo kushte të tjera, që hyjnë në një luks që Rama ua siguron vetëm ministrave të caktuar. Jo, e kam fjalën për investimet infrastrukturore si dhe çeljen e një procesi, që do të mundësojë krijimin e një brezi të shëndetshëm intelektualisht për të ardhmen. Para dy vjetëve qeveria e Rilindjes “Rama” rrihte gjoksin për arritjet e qeverisë demokratike, që u vlerësua edhe nga sistemi PISA. Por, është shumë e qartë që me mungesën e mësuesve cilësorë, emërimeve politike dhe mungesës së meritokracisë shoqëruar me kushtet e turpshme infrastrukturore, vlerësimi i PISA do të jetë negativ për rinjtë e shkolluar në periudhën e errësirës “Rama 1” dhe “Rama 2”.
Nëse arsimi i ciklit fillor dhe ciklit të mesëm është në gjendje të mjeruar, tragjedia shoqëruar me komedi në ciklin e lartë arsimor është edhe më lebetitëse. Kryeministri, i cili përpiqet të shfaqë kulturën dhe civilizimin e tij për të mbuluar dështimin e tij në arsimin e lartë, nuk mund të fshehë dështimin e turpshëm të Reformës në Arsim. Një reformë që mbylli 130 shkolla, 20 degë dhe që shtyu të rinjtë të largohen.
Edhe ato pak studentë që vijnë në universitetet shtetërore përballen me tarifa marramendëse, që rriten për vit, ndërsa familjet shqiptare varfërohen për vit. Që pas reformës në arsim një familje shqiptare shpenzon nga buxheti i saj familjar 4% të gjithë të ardhurave, ndërsa përpara reformës shpenzonte 2% të të ardhurave. Një rritje me mbi 1500 lekë për të ardhurat që zvogëlohen si pasojë e taksave dhe tarifave. Sakaq, universitetet që ndikuan në krijimin e reformës vazhdojnë të përfitojnë më shumë të ardhura dhe studentë më cilësorë.
Sakaq, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme paguajnë sot libra shkollorë që kushtojnë 7.3% më shumë se sa një vit më parë dhe sipas të dhënave të INSTAT, gjithnjë e më shumë familje shqiptare heqin bukën e gojës për të mbajtur në shkolla fëmijët e tyre. Oligarkët e qeverisë ndërkohë fitojnë miliona euro nga tenderat, koncesionet, PPP-të dhe gjithfarëlloj shpikjesh, ndërsa qytetarëve të vendit u mohohet e drejta bazë e arsimit. Shqiptarët varfërohen, lihen pa shkollë dhe në injorancë të thellë, ndërsa buxheti i shtetit trajtohet si tepsia personale e mazhorancës.
Një Shqipëri që paguan më shtrenjtë tarifat, taksat, librat e fëmijëve, tarifën e shkollimit duke marrë në këmbim më shumë arrogancë, propagandë dhe sjellje gangsterësh. Kjo padyshim nuk është Shqipëria që duam ne, por Shqipëria që do të ndërtojë Rama dhe klientët e tij.
Në Shqipëri nuk ka biznese të teknologjisë dhe zhvillimit, sepse sistemi arsimor po degradon përditë e më shumë. Të rinjtë nuk shkollohen sepse askush nuk u ofron mundësinë të zhvillojnë dijen e tyre. Ajo çfarë i intereson qeverisë është një popull i paditur me shpresën se kështu mund ta komandojë më thjeshtë. Por, historia ka treguar që askush nuk mund të shtypë një popull duke e lënë në errësirë, pasi dija ka përherë një rrugë për të gjetur njeriun. Investimi në arsim është vetëm hapi i parë për të rikthyer shpresën tek të rinjtë, e këtë nuk mund ta presim nga qeveria e padijes! E kanë treguar!