Diktatura moderne
24 Maji 2023
Nga: ILIR MUHARREMI, Gazeta Bota Sot, Prishtine.
Arti përfaqëson kulturën, etnografinë, shkencën, historinë, ndonëse në formë më pamore, më bindëse dhe në disa faza edhe më të sakta sesa shkencat e përmenduara.
Gjithkund në botë restaurohen veprat e artit. Ato nuk ndryshohen, nuk ju hiqen simbolet, format, ose me tendencë të ndonjë propagande kohore, në shenjë revolte ndaj ish sistemeve të fshihen simbolet.
Marrim “Guernikën” e Pablo Picasso. Piktura është një vepër e fuqishme e një dokumentimi historik dhe proteste politike. Në të majtën e largët, një grua që mban fëmijën e saj të vdekur klith; sytë e saj rrëshqasin poshtë fytyrës së saj në formën e lotëve dhe koka e saj që përkulet nga prapa në mënyrë të panatyrshme duke i bëre jehonë foshnjës së saj.
Poshtu është e pranishme statuja e një ushtari, por ai është i papaftë për të mbrojtur gruan dhe fëmijën. Trupi i tij i thyer shtrihet në copa, krahu i tij duke shtrënguar një shpatë të copëtuar si shenjë e mundjes përfundimtare. Maja e shpatës së tij takohet me këmbën e gruas, ndërsa ajo përpiqet që t’i shpëtojë shkëtarrimit. Por këmba tjetër e saj shfaqet e rrënjëzuar në vend, e kyçur në cepin e kanavacës edhe ndërsa ajo shtriqet për ta lëvizur atë. Një viktimë tjetër shfaqet pas kësaj figure të shtrembër, duke rënë pashmangshëm si flakët që vërtiten rrotull saj, edhe ajo po ashtu ka ngecur në skenën e saj të pashpresë. Secila nga këto firgura në kufi të pikturës janë të kurthëzuara në mënyrë të tmerrshme, duke i dhënë veprës një kuptim therës klaustrofobie. Madhësia e pikturës vetëm sa i thekson më shumë mizoritë e jëtës që na paraqiten në pikturë. Ashtu si vetë bombardimi i Guernica-s, piktura e Picasso-s është e mbushur me shkatërrim. Por fshehur pas këtij kaosi të supozuar, janë të skalitura me kujdes skena dhe simbole, të cilat mbajnë me vete sulmin shumëplanësh të pikturës mbi fashizmin.
Çka dua të them me këtë analizë formash, simbolesh? Kjo vepër restaurohet, asnjë vijë më e hollë nuk i hiqet, edhe pse rrethanat e sotme kanë ndryshuar në raport me veprën.
Atëherë marrim analizën e mozaikut “Shqipëria” të vendosur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ka dy vite që vepra ju ka nënshtruar restaurimit. Është hequr ylli nga mozaiku, pastaj është eleminuar edhe libri i punëtorit që mbante në dorë. A është vepruar saktë dhe drejtë? Natyrish që jo. Dikush do reagonte se kemi hequr nga ish-komunizmi, jemi shkatërruar në palcë. Kjo është e vërtetë.
Por fakti historik përmes veprës prezanton pasqyrën e saktë të kohës, pa eufori dhe tendenca. Nuk fshihet e shkuara. Ari është nën shërbim të së shkuarës në këtë rast vet ky mozaik i shërbeu dhe pasqyroi periudhën e diktaturës. Pse të hiqej? Në çdo shtet normal e kaluara ruhet dhe shteti kujdeset veçanërisht për veprat e artit. Jetojmë në një diktaturë moderne ngaqë veprojmë sikurse diktatura e së shkuarës. Vet Enveri i fshinte ata që nuk i duheshin. Në një sqarim thuhej se ylli i kuq pas shpines së personazhit kryesor pra zonjës me xhubletë është hequr në vitin 1993, pasi në atë kohë erdhi demokracia në Shqipëri.
Dihet kjo vepër u vendos 42 vjet më parë mu me yllin e kuq me pesë cepa.
Mozaiku në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar me sipërfaqe rreth 31 metra katrorë u ndërtua në vitin 1981 nga 5 artistë, Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini. Edhe pse iu përshtat artit të frymëzuar nga realizmi socialist, autorët ndër vite kanë theksuar se mozaiku duket të qëndrojë për vlera artistike dhe kujtesën historike në këtë muze.