Dionisi, Piktori i Muzakajve që la gjurmë të forta në Shek XIV
Dionisi, Piktori i Muzakajve që la gjurmë të forta në Shek XIV
– 20.02.21
Në kishat e zonës së Korçës ndodhen veprat më të rëndësishme të pikturës së shëk. XIV, të cilat në shumicën e rasteve njihen nga studiuesit e artit si vepra të piktorëve anonimë, duke i konsideruar si pjesë e shkollës lokale të Korçës për këtë shekull.
Ky ka qënë dhe është përcaktimi i deri tanishëm në lidhje me autorësinë e realizimit të veprave të artit në faltoret kristiane të kësaj periudhe në një nga hapësirat gjeografike të Ballkanit e në vecanti asaj shqiptare-arbërore.
Mbështetur në një analizë të fakteve historike si dhe në elementet që ofron vet vepra e artit, afreskët dhe ikonat që gjënden në teritorin përkatës, ne mund të sjellim një ide dhe përcaktim të ri dhe përafrues në lidhje me autorësinë e këtyre punimeve artistike, të cilat në cdo rast janë konsideruar si mjaft të spikatura e cilësore.
Në nxitje dhe ndihmë për dhënien e zgjidhjes në drejtim të autorësisë së veprave të artit, aplikuar në kishat dhe manastiret e hapsirës gjeografike në fjalë është njohja me përkthimin e mbishkrimit që ndodhet në kishën e Shën Thanasit, në Kostur. (P. Xhufi, “Nga Paleologët te Muzakajt, Berati dhe Vlora në shekujt XII-XV”, f. 280.)
Përmbajtja e mbishkrimit të pikturës së kishën e Shën Thanasit në Kostur, e komunikuar nga historiani P.Xhufi, zgjidh për mendimin tonë dilemën e autorësisë së veprës së artit aplikuar në kishat e zonës në fjalë si dhe ridimensionon rolin dhe peshën kulturore-historike të njërit prej piktorëve më krijues dhe më në zë të kësaj “shkolle”.
Në mbishkrimin e kishës së Shën Thanasit në Kostur, ana perëndimore shkruhet:
“U ngrit dhe u rinovua nga themeli me mund dhe me vuajtje, ky tempull i shëjtë, (i) atit tonë mes shënjtorëve, Thanasit të madh, si dhe u pikturua prej murgut Dionis të zgjedhur prej ktitorëve, zotërve shumë fisnik Stoja e Teodor Muzaka, kur sundonin vëllezërit shumë fisnikë, Zoti Stoja dhe Teodor Muzaka, kur kryepeshkop i Kosturit ishte shumë i ndrituri zoti Gavril, në vitin 1383/4”.
Është koha kur familja princërore e Muzakajve pas betejës së Peristerit me krajlin Vukashin, më 1371, ka vënë në zotërimin e vet teritoret e Maqedonisë juglindore, nga Kosturi deri në Myzeqe
Cila ishte familja e Muzakajve, sa monumente të kultit bizantin ndërtuan dhe dekoruan në teritorin shqiptar dhe a ishte piktor Dionisi, piktori i kishës së Shën Thanasit të Kosturit për të cilin flet historiani P. Xhufi, piktori familjes Muzaka?
Familja muzaka është e njohur që në fundin e shëkullit të XI.Ky fakt jepet qart në ditarin e Ana Komnenës. Sipas ditarit të Gjon Muzakës, shkruar në vitin 1510, Muzakajt vinë nga Tudasi, zona e Oparit.Të parët e familjes Muzaka, i kishin varret pranë kishës së Shën Triadhës në Tudas të Oparit.Mendohet se edhe kjo kishë është ngritur nga kjo familje.Nga fundi i shekullit të XIII dhe fillimit të XIV familja Muzaka ishte aktive në ushtrinë bizantine po ashtu edhe në administratën e lartë të Kostandinopojës duke administruar në rritje një numër të konsiderushëm pronash.
Një nga njerëzit më të shquar në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XIV në hapsirën arbërore, ishte edhe princi Andrea II Muzaka.Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij si: Arianitëve dhe Matrengëve, ai theu në vitin 1371, në betejën e Kosturit, mbretin Serb Vukashinin, i cili ishte zotërues i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore (Histori e Popullit Shqiptar. Tirane 2002, f..294.) Pas kësaj fitoreje të bujshme, Perandori bizantin, Joani i V-të Paleolog, në shenjë nderimi për këtë fitore i konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit (princit), duke i dhuruar stemën perandorake bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes, vendosur në fushë të artë. Këtë fitore Despoti Andrea e përjetoi me shtrirjen e pronave nga bregdeti Adriatik pranë Myzeqesë deri në Korfuz, periudhë kjo kur u angazhua edhe me ndërtimin e Kishës së Shën Athanasit në qytetin e Kosturit, kishë kjo ku u evidentua së fundmi mbishkrimi ku paraqitet si piktor i brendisë së saj, piktor-murgu Dionisi, faza e rinovimit të kishës.Në afresket e kësaj kishe, edhe sot mund të shihet portreti i Andrea Muzakës, në anë të të cilit është pikturuar edhe shqiponja dykrerëshe, simbol ky të cilit iu u shtua edhe një yll gjashtëcepësh nga Muzaka (P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt).Pas vdekjes, princi më i famshëm i familjes Muzaka, Andrea II u varros në kishën e Shën Ndoit, në Kepin e Rodonit.
Ndërkohë, sipas historianit të artit Y.Vitaliotis, në kohën e sundimit të Andrea II Muzakës, në gjysmën e dytë të shek.XIV përpara se ai të ndronte jetë, është ndërtuar dhe dekoruar me pikturë murale kisha e Shën Gjinit në Derven të Fushë Krujës.Z.Vitaliptis referon:“Piktura murale e Dervenit është një nga veprat e arrira të pikturës Bizantine të tipit Provincial të ngjashme me kishën e Shën Gregorit (1364) në kishën e Shën Klementit Perivleptos të Ohrit.Në këtë pikturë ka edhe elementë të stilit gotik tek veshjet e shëjtorëve.” (Joani vitaliotis–Iωάννης Βιταλιώτης, Ερευνητής στο Κέντρο Έρευνας της Βυζαντινής και Μεταβυζαντινής Τέχνης της Ακαδημίας Αθηνώ)
Pas vdekjes së Despotit Andrea II Muzaka, principata u nda midis tre djemve të tij, Gjonit, Teodorit dhe Stojës. Stoja dhe Teodori në vitin 1382 dalin si ktitorët e kishës së Shën Thanasit në Kostur si edhe në vitin 1388 i shohim përsëri si ktitor të kishës së Krishtit shpëtimtar, në Mborje të Korçës.
Familja princërore Muzaka gjat shekullit të XIV u shndërua në një nga donatorët më të mëdhej, në ndërtimin dhe dekorimin e objekteve të kultit të krishterë, ashtu sikurse ishte edhe familja princërore shqiptare e Sgurajve gjat shek XIII – XIV.
Në gjurmim të veprës së piktor Dionisit, sjellim më poshtë argumenta dhe prova nga analiza e përfundime të autorëve të ndryshëm si edhe zhvillimet e situatës historike në trevën shqiptare të asaj periudhe, të cilat flasin për aktivitetin e këtij autori edhe në monumentet kur nuk është i dhënë emri i tij.
Sipas Djuric, piktura e kishës së Shën Thanasit në Kostur të Greqisë, aty ku së fundmi ka dalë emri i piktor Dioisit, si edhe në kishën e Shën Mërisë në Maligrad e ajo e Ristozit në Mborje të Korçës janë realizuar nga i njëjti autor, emrin e të cilit nuk ka patur mundësi që ta përcaktonte, (V.J.Djuric, Mali Grad, Saint Athanase a Kastoria – Borje, f.31 Th. Popa, Miniaturat dhe piktura mesjetare në Shqipëri, f. 210-230).
Jo vetëm V.J.Djurici por edhe për shumë studiues të tjerë të artit si; Th. Popa, V. Puzanova, Dh. Dhamo, H. Nallbani, Vokotopulos, A. Turt, deklarohet se kishat e dekoruara me afreskë dhe ikona, të financuara prej Muzakajve si; ajo në Maligrad të Prespës, kisha e Ristozit në Mborje, në Boboshticë e tjer, janë kuruar nga e njëjta dorë e një piktori të panjohur apo anonim.Pra, nga konsiderata dhe analiza e tyre, dhënë në botimet përkatëse, është si konstante idea se kemi të bëjmë me të njëjtin piktor por që gjithnji për ta mbetet i pa njohur si emër.
Në një situatë të tillë, kur tashmë është e vërtetuar që në njërën prej kishave që radhisin studiuesit në fjalë, sikurse është ajo e Shën Thanasit në Kostur, është evidentuar emri i autorit të pikturës, me siguri të plot na takon të themi se i njëjti autor afreskimi e dekorimi ikonash, për të gjithë kishat e tjera të përmendura, i takon të jet Dionisi i Muzakajve.
Në mbështetje të këtij përfundimi ne sjellim edhe vrojtimet tona, si në metodën e krahasimit stilistik e ikonografik, të tematikës së përdorur në repertorin e kishës si dhe të teknikës së realizimit, padyshim edhe duke marë në konsideratë analizat krahasuese të studiuesve të tjer të artit, shprehim bindjen se kemi të bëjmë me piktor Dionisin, emri i të cilit u bë i dukshëm pas përkthimit të mbishkrimit në kishën e Shën Thanasit, Kostur të Greqisë.
Murgu-piktor Dionisi, është jo vetëm kuratori i pikturës murale në brendinë e kësaj kishe, por në të njëjtën kohë është edhe autori i cili ka realizuar dhe paisur me ikona e afreske kishat e përmendura më sipër dhe të gjitha kishat që familja princërore e Muzakajve ndërtoi dhe administroi, për sa kohë ishin në fuqi.
Gazeta Shqiptare