Diplomat false të deputetëve, realitet i trishtë shqiptar!
Diplomat false të deputetëve, realitet i trishtë shqiptar!
12 janar 2019
(Intervistë e shkrimtarit Moikom Zeqo dhënë gazetares Valeria Dedaj në “Report Tv”, janar 2019)
Dennis Hope është amerikani që merret me biznesin e shitjes së tokave në Hënë. Ai ka krijuar shoqërinë “Ambasada e Hënës” regjistruar në zyrën tregtare të Nevadës.Është një sipërmarrës aspak surrealist, që deri më tani ka arritur të shesë 3 mln euro pasuri hënore, (afro 80 territore), duke u dhënë blerësve certifikatë zyrtare të pronësisë së tyre. Ky lajm i paradisaviteve do të bëhej shkas që shkrimtari Moikom Zeqo të sjellë për lexuesin librin me titull “Shitja e Hënës”, parabola shekujsh.
Pprofesor Zeqo, a mund të na shpjegosh rëndësinë e këtij libri, ku dita-ditës shitblerja zë vend kryesor, në varfërimin e shpirtrave njerëzor?
“Ky është një libër me tregime dhe parabola. Kam synuar një formë të shkurtër të narratives që është më simbolike, më shumë kuptimore edhe më semantike, siç është parabola. Tematikat në këtë libër janë të ndryshme, që nga ato antike, ka mesjetën dhe kohërat moderne. Titulli ka të bëjë me kohërat moderne. Me një agjenci, e cila nuk është shpikja ime, por është përtej imagjinatës, e cila është konfirmuar në botë. U jam referuar lajmeve të shtypit. Një agjenci, e cila tenton që të bëjë shitjen e territoreve ende të papopulluara me njerëz të Hënës.
Unë e kam konceptualizuar këtë lajm, për të treguar se në një botë ku simboli kryesor është shitblerja, tregtia arrihet deri në absurditete të tilla, sa mund të shiten edhe territoret e shkretëtirëta pa jetë, pa ajër të hënës. Në një parabolë të tillë, inextremis është gati-gati në kufi të absurdit ku mund të kuptohet diçka nga realiteti i botës së sotme. Njerëzit revoltohen ndaj këtij realiteti, ku çdo gjë që konsiderohet shitblerje, ku të gjitha marrëdhëniet njerëzore shndërrohen në marrëdhënie monetare”.
Edhe përse njeriu gjendet i tjetërsuar apo i alienizuar në këtë realitet. Libri ka një hyrje që lidhet me meditimin se si temat letrare gjithmonë mund të tjetërsohen apo mund të ndryshojnë. A është kjo një letërsi alternative, një tjetër lloj letërsie, që duket se nuk ka shumë lidhje edhe me traditën shekullore të letrave shqipe?
“Për shembull temat e Homerit apo të Shekspirit, të Tolstoit gjithmonë mund të tjetërsohen. Unë kam shembuj, se si mund të tjetërsohen temat në aspektin mendor. Janë edhe shumë parabola, që lidhen me mistikën e lindjes. Mua më kanë tërhequr në mënyrë të veçantë panteistike, metafizika e teologëve të mesjetës. Tregimet këtu lidhen shumë me emra teologësh të mëdhenj, siç është Buda apo Zarathustra, subjektet e teologjisë së krishterë, apo të Thoma Akuiunit e Shën Agustinit”.
Në libër nuk mungojnë as personazhe dhe temat shqiptare, siç është një histori e jetëshkrimit të disa shenjtorëve bizantinë, “Gjumashët e Efesit”. Këto elementë e bëjnë këtë libër me rrëfime të befasishme. Ju keni përdorur një stil nervoz ose muskuloz, pa fjali lidhore, por me fjali të stilit atik (drejtpërdrejtë pohuese ose mohuese), pa shumë mbiemra edhe kundrina. Ju nëpërmjet kësaj teme ju i nderuar Moikom Zeqo rrëfen marrëzirat e shitblerjes në realitet?
“Unë e përdora këtë fakt të marrë nga shtypi për të treguar se si në këtë sistem të shitblerjes arrihen marrëzirat më të mëdha, siç mund të shiten lajmet, artistët, kryetarët e shteteve, një lloj prostituimi universal. Apo siç mund të shiten edhe shpirtrat, pak a shumë “shpirtrat e vdekur”. Ndodh ky absurditet, ku njeriu shkon edhe të marrë një faturë, që të bëjë një kontratë juridike edhe të jetë pronari i një hapësire që nuk ka për ta përdorur kurrë”.
Këto forma shitje që po shtohen çdo ditë edhe më shumë, ju mendonise bëjnë njeriun më të varfër?
“Qëllimi im ky është për të treguar sesa e varfër shpirtërisht është bota e të pasurve. Pasuria nuk është se të shton vlerat shpirtërore. E dyta, përsa i përket botës së diturisë, nuk ekziston dot parimi i shitblerjes. Mund të blesh një diplomë, mund të bëhesh edhe akademik, por nuk ke futur gjë në kokë. Dituria futet në kokë nëpërmjet një pune vetjake. Nëse kafka e një njeriu është një stinë e errët, nëse ke mësuar pak e ke ndriçuar me qiri të zbehtë. Nëse ke mësuar shumë, ke ndriçuar me drita të fuqishme”.
Shitblerjet më të rënda në realitetin shqiptar, për ju si studiues, janë diplomat false?
“Një nga gjërat më të rreme që ka sot realiteti shqiptar është që profesoriati i sotëm i universiteteve që kemi ne, bëjnë diploma false. Madje marrin tituj pa mbaruar as shkollën e mesme. Shumë deputetë paraqiten në kuvendin e Shqipërisë sikur kanë marrë disa diploma. Është një realitet i trishtë. Prandaj forma e parabolës më duket një mënyrë inteligjente, që mos të bezdisë edhe të lodhë lexuesin duke lexuar gjëra të stërzgjatura”.
Moikom Zeqo, ju shtoni se nocioni i të pasurve edhe të varfërve nuk duhet që të jetë në kuptimin pasuror të pronave, por të mendjes?
“I pasur mund të quhet një njeri i ditur, edhe i varfër një njeri që është i varfër nga dituria. Sen Simoni ishte kont, por e kishte urdhëruar shërbyesin e vet që ta çonte çdo mëngjes, duke i thënë: ‘Çohu kont se të presin vepra të mëdha’. Jam i bindur që edhe pasanikët e Shqipërisë, supermilardierë janë anonimë, kanë një fatkeqësi që nuk mund të konsumojnë dot as pasuritë që kanë ,-se mbeten diku si virtuale, në bankë. Pasuria ka arritur në kufijtë e iluzionit, siç ka arritur edhe paraja. Nga paraja nacionale, u kthye në euro edhe tani jemi tek kartat elektronike. Ka një vdekje të parasë më anë të kartave elektronike. Të gjitha këto janë interesante për një letërsi moderne”.Qëllimi i këtij libri që ka në qendër parabolën, është që në pak rreshta të thuhet shumë. Në letërsinë shqipe formën e parabolës e kanë përdorur Faik Konica, Fan Noli edhe Migjeni.Por cfarë është parabola? Eshtë një formë e koncetruar, teje lakonike narrativës. Tërë ligjërimi shkrimor është shpesh një shtjellim logjik i fjalëve dhe nocioneve, i shprehjeve dhe i fjalive që shpjegojnë, tregojnë, paraqesin një subjekt. Në këtë kuptim përgjithësisht, shkrimi është linear. Pra shkrimtari e hap, e lartëson por dhe e mbyll një subjekt. Por ka disa zhanre të tjera të narrativës rrëfimore. Fjala vjen në folklorin e popujve artikulohet anektoda, por dhe përrallat alegorike, që tregojnë subjekte, që hyjnë dhe dalin nga njëra tjetra, nganjëherë në një personazh universal. Anektodat janë një pasuri e madhe konceptuale, që përvec nënkuptimeve të shumta kanë edhe humor, madje dhe sarkazëm. Por është dhe një formë krejt e veçantë e thënieve lakonike, të përgjithësuara, ose edhe te abstraguara. Kjo formë është parabolë. Në strukturën ndërtimore parabola mund të shëmbëllej edhe me anektodën por është diçka ndryshe. Parabolat presupozojnë disa arketipe të rrëfimit që pjellin dhe shpërndajnë sematika të shumta duke krijuar një rend simbolesh të mëvetshëm, por dhe të vijueshëm.Kështu me stilin ligjërimor të profetëve përdoret e ndërfutur përherë parabola. Për shembull profeti i Iranit, Zarrathustra flet me parabola. Po me parabola mistike shpjegohet edhe Princi Buda. Kuptohet që parabola duhet të ngjizin dhe të interferojnë me botëkuptimin e mjedisit dhe të dëgjuesve. Nëse mungojnë lidhjet e tilla, qoftë relatente, parabolat e humbasin funksionin e tyre dhe mbeten të shurdhëta si dhe pakuptim. Njëkohësisht me parabola të famshme ka predikuar edhe Krishti, por edhe Muhameti. Kuptohet që parabolat janë një shpikje orale ashtu sic janë dhe eposët poetik të folklorit. Por parabolat edhe shkruhen, fiksohen grafikisht sipas alfabeteve të lidhjeve të pafundme lingustik.
Në letrat shqipe parabola nuk është përdorur gjerësisht, nuk është lëvruar në mënyrë intensive, por ka një traditë shekullore dhe të dëgjuar.Pak shkrimtarë shqiptarë e kanë përdorur parabolën, si një zhanër të vetëmjaftueshëm. Këtu do të kujtoj stilistin e madh Faik Konica i cili edhe në ndikimin e iluministëve francez i ka shkruar disa parabola. më tepër ka spikatur gjigandi Fan Noli ai që në moshë të re i ka shkruar disa parabola, kryesisht sipas strukturave biblike, por edhe të ftillëzuar nga ndonjë histori moderne e vërtet, siç është parabola e ngjitjes së malit Shën Bernardit ku ka dhe një problem të ndërlikuar të vijimësisë të atit me të birin por edhe një kontradiktë tragjike midis gjeneratave ku biri e mohon të atin, shprehje kjo e një metafore të fuqishme të dekadencës së kohës.
Mjeshtri i parabolave është padyshim shkrimtari gjenial shqiptar Migjeni.
Po kujtoj, me këtë rast parabolën “Vetëvrasja e trumcakut”, që ka potencialisht, gati strukturën e një romani të Kafkës. Një tjetër parabolë e Migjenit “Të korrunat” të kujton një subjekt surrealist. Si në një pikturë të Hieronim Bosh-it apo dhe të Salvator Dalisë.
Gjithashtu parabola “Novelë mbi krizën” shtron për herë të parë në letrat shqipe idenë e një utopie negative, shumë më përpara se Eugjen Zamiatit, Oruelli dhe Wellsi.
Potencialisht parabolat e shkurtëra, tepër të shkurtëra të Migjenit, janë në fakt mrekullira letrare. Përgjithësisht shkrimtarët që erdhën mbas Migjenit nuk e përdorën, me përparësi, zhanrin e parabolës. Kjo gjë duket edhe në ditët e sotme.
Por ju i nderuar Moikom, keni bërë një libër të madh gati 520 faqe, me parabola, e kam fjalën për librin “Shitja e Hënës”, duket sikur keni një ngutje, një stimulim të paparë për të shkruar parabolat duke e bërë bisedën televizive me ju për “Shitja e Hënës”, unë u futa në Google dhe si një zbulim i internetit personazhi David Hope u konfirmua si personazh i vërtet. Edhe të tjerë, padyshim mund ta kenë ditur këtë fakt. Por jeni ju që e shkruajtët parabolën tronditëse dhe librin “Shitja e Hënës”.
Kjo është pasojë, apo një proces shkaktësor i mendimit krijues tek ju?
Nuk mund të përgjigjen me saktësi, e dashur Valeria. Unë besojë se enigmat e moduleve krijuese nuk shpjegohen dot, thjesht formalisht. Aq më tepër që një fakt i realitetit qoftë ky dhe një fakt i “ligjeve kozmike të sistemit tonë planetar, duke shfrytëzuar një atu juridike si ide absurde se një biznesmen, një njeri i paturpshëm në një fantazi makabre mund të japë dhe të shesë tapinë, të territoreve të shkretëtirave të hënës dhe për shkak të marrëzisë globale edhe mund të ketë sukses në këto shitje të tij konvencionale.
Nga ana tjetër mendoj se cikli i parabolave, është shumë më i gjerë, më i hapur, më ambicioz. Shumë parabola lidhen me mistikën e Lindjes me konceptet e panteizmit universal, por edhe me subjektet hagjio grafike të krishterimit të hershëm, si dhe të Mesjetës Europiane.
Po sjell në vëmendjen tuaj parabolën mistike të liderit të bektashizmit, Haxhi Bektashi.
Haxhi Bektashi kur e ndjeu se po vinte koha në çastet e fundit të jetës së tij i grumbulloi dishepujt dhe i porositi se, do vinin 100 kalorës, që do të bënin ceremoninë e futjes së trupit të Haxhi Bektashit në tokën e amshueshme.
Haxhi Bektashi vdiq dhe dishepujt pritën të vinin 100 kalorësit.
Erdhën 100 kalorësit. Por ata mbanin mbi fytyrë një shami të zezë. Të njëjtën shami kishte dhe kalorësi më i autoritetshëm mes tyre.
100 kalorësit e bënë ceremoninë e varrimit. Kur ata po bëheshin gati të iknin, befas një nga dishepujt , i quajtur Sari Salltëku, klithi dhe tha: “Kush jeni ju që erdhët dhe e varrosët Haxhi Bektashin? Kush jeni ju që gjatë gjithë kohës mbanit fytyra të fshehura me shami? Ju lutem kini mëshirë më tregoni se çfarë jeni.”
Atëhere kryekalorësi e dëgjoi në heshtje atë, ai befas e hoqi shaminë nga fytyra e tij dhe të gjithë panë se ai ishte vet Haxhi Bektashi.
Ai kishte ardhur për të bërë ceremoninë e varrimit të trupit të Haxhi Bektashit, duke treguar kështu se Haxhi Bektashi nuk mund të varrosej përfundimisht dhe se varrimi i tij ishte mistik, pra konvencional.
Ja pra një nga parabolat që lidhen edhe “Komunitetin Botëror të Bektashizmit” në Tiranë dhe në Shqipëri.
Por ka dhe parabola të tjera, më e famshmja parabolë e krishterimit të hershme është ajo e gjumashëve të Efesit”. Këta ishin ca të krishterë të hershëm të cilët për ti pushtuar ndjekjeve vrastare u futën në një shpellë dhe aty befas i zuri gjumi.
Ky gjumë vazhdoi 309 vjet.
Kur u zgjuan nga gjumi ata befas panë se bota ishte bërë e krishterë por nëse dikur u persekutuan nga antikrishterët, katër shekuj më pas ata nuk i pranuan dhe i panë si një blasfemi, apo dhe një herëzim të krishterë.
Që tashmë ishin në pushtet.