Disa mendime për projektin e Akademisë së Shkencave për historinë e shqiptarëve
Disa mendime për projektin e Akademisë së Shkencave për historinë e shqiptarëve
– 11.05.21
Nga Ermal Frashëri
– Ditët e fundit, mësova nga shtypi mbi iniciativën e fundit të Akademisë së Shkencave për të botuar një punim historik që në mënyrë eksplicite ose implicite projektohet për të qenë version zyrtar i historisë së shqiptarëve. Me thënë të drejtën, kur e pashë, thashë njëherë me vete se ndoshta mos jam ngatërruar gjë, por pasi e lexova në dy a tri media të ndryshme, arrita në atë lloj realizmi të tipit, “Ups, e paskan bërë prapë!” Ndaj dhe kjo më shtyu që të hedh në letër disa mendime për këto lloj përpjekjesh për të “zyrtarizuar” të kaluarën e shqiptarëve.
Në thelb, mendoj se pavarësisht intencioneve më të mira të iniciatorëve, për fat të keq, produkte të tilla që pretendojnë të ofrojnë narrativa grandioze, autoritare ose zyrtare, të historisë së një populli, mbartin shprehje të mentalitetit totalitar të trashëguar nga e kaluara. Për ta qartësuar, me këtë që them nuk është se po kundërshtoj shkrimin e një botimi historik nga një autor ose grup autorësh, përkundrazi. Ajo që po problematizoj është projektimi nga një institucion si Akademia i një punimi kërkimor si versioni autoritar ose zyrtar i historisë. Më tej, edhe mënyra e organizimit të këtij projekti lë vend që ai të paragjykohet.
1. Mendësia totalitare. Në traditën demokratike, aktiviteti shkencor nuk institucionalizohet ose zyrtarizohet. Aktiviteti shkencor supozohet që është shprehje e lirisë individuale, ndaj dhe nuk ndodh ndonjëherë që institucionet e arsimit, si publike ashtu edhe private, për të mos bërë fjalë fare për institucionet shtetërore, të dalin me versione zyrtare. Për shembull, në Universitetin e Harvardit, kërkuesit shkencorë botojnë në kapacitetin e tyre personal, dhe asnjëherë në atë institucional. Është antitezë e shkencës çdo përpjekje për të “zyrtarizuar” punimin shkencor. Në rastin në fjalë, një institucion si Akademia e Shkencave, që në vetvete është reminishencë e së kaluarës totalitare, pretendon të krijojë përsëri një tip versioni zyrtar të historisë. Kjo ngjan njësoj si gjatë kohës së diktaturës së proletariatit, kur partia zyrtarizonte fabula që i përshtateshin ideologjisë së saj dhe përjashtonte me dhunë çdo perspektivë tjetër. Kjo gjë është shqetësuese, për faktin se edhe njëherë synohet të keqpërdoret autoriteti institucional për të monopolizuar shkencën dhe, më konkretisht, historinë. Për më tepër, kjo vjen në një kontekst ku ne si vend kemi ende një qasje problematike ndaj së shkuarës. Tentativa të tilla e kanë të vështirë të sjellin kontribute emancipuese ose iluminuese, përkundrazi, ato përforcojnë ideologjizimin e shkencës, paragjykohen si të anshme, si dhe riciklojnë problemet e së shkuarës. Për ta ilustruar më shumë mendimin; në Amerikë, për shembull, megjithëse ekzistojnë institucionet më të mira shkencore në botë, nuk i shkon asnjërit në mendje të bëjë punime historike zyrtare. Historia, ashtu si edhe kërkimi shkencor në çdo fushë, është produkt i kërkimit individual, ndaj dhe ajo shkruhet dhe rishkruhet vazhdimisht, gjithë kohës. Shkencëtarët në botë e kanë si pjesë të kredos profesionale distancimin dhe pavarësinë nga institucionet. Është thjesht deluzion të mendosh që mund të shkruhet një version zyrtar i historisë. Projektimi i një studimi historik si versioni zyrtar i ngjarjeve, në fakt dëmton cilësinë e punimeve, hedh dyshime mbi saktësinë dhe interpretimin e të dhënave, dhe shpeshherë trajtohet nga kolegët e tjerë në botë si një tjetër tentativë manipulimi të historisë.
- Organizimi i grupit të punës. Përveç sa thashë më lart, mënyra e organizimit të “grupit të punës” që ka marrë përsipër të shkruajë atë që projektohet si versioni zyrtar i historisë lë për të dëshiruar, dhe si rrjedhojë komprometon që në gjenezë një projekt që është sensitiv dhe i brishtë nga natyra. Dy observime për përbërjen e grupit të punës: së pari, ndonëse ka të paktën dy gjenerata shkencëtarësh shqiptarë në diaspore, nuk di të jetë bërë ndonjë thirrje nga Akademia për pjesëmarrjen e tyre në këtë projekt (pavarësisht se nga çfarë kam lexuar, do jenë bashkautorë edhe disa historianë kosovarë). Kjo është problematike në vetvete, sepse ka efektin e përjashtimit institucional të diasporës nga kërkimi shkencor në vend, sidomos për një projekt që synon të prekë të gjithë shqiptarët, si dhe nuk ndryshon qasjen e përgjithshme ndaj shkencës.
- Dhe së dyti, me gjithë respektin, por në grup shikon që marrin pjesë figura si z. Paskal Milo dhe z. Pëllumb Xhufi, që më tepër njihen për protagonizmin e tyre të theksuar politik. Nuk kërkon shumë imagjinatë të kuptosh se si mund të shkruhet historia kur autorët janë politikanë. Pa neglizhuar kontributet e tyre si historianë, mendoj se do ishte e dobishme që ata të distancoheshin vetë nga ato pjesë të historisë për të cilat janë shprehur politikisht. Kjo do krijonte hapësirën që të fokusohen në ato pjesë të historisë për të cilat nuk paragjykohen. Ky veprim thjesht do rriste më shumë perceptimin e pavarësisë së punimit.
Për ta përfunduar, projekte të kësaj natyre janë sensitive, dhe kërkojnë një kujdes të veçantë, si ne organizimin e tyre, ashtu edhe në formimin e ambicieve dhe pritshmërive. Nuk ka nevojë të trumbetohen si histori suksesi ende pa nisur puna. Testi i vërtetë i tyre është përballja me realitetin, pasi të botohen, si dhe validimi nga komuniteti i gjerë i historianëve dhe kërkuesve shkencorë. Për këtë ballafaqim dhe validim, vula institucionale nuk shërben dot si mburojë.
- Dhe së dyti, me gjithë respektin, por në grup shikon që marrin pjesë figura si z. Paskal Milo dhe z. Pëllumb Xhufi, që më tepër njihen për protagonizmin e tyre të theksuar politik. Nuk kërkon shumë imagjinatë të kuptosh se si mund të shkruhet historia kur autorët janë politikanë. Pa neglizhuar kontributet e tyre si historianë, mendoj se do ishte e dobishme që ata të distancoheshin vetë nga ato pjesë të historisë për të cilat janë shprehur politikisht. Kjo do krijonte hapësirën që të fokusohen në ato pjesë të historisë për të cilat nuk paragjykohen. Ky veprim thjesht do rriste më shumë perceptimin e pavarësisë së punimit.
Gazeta Shqiptare