Disa shenjime për librin “Kadare dhe muzika” të Vasil S. Toles

25.06.19

Gazeta Shqiptare

Prof. dr. Shaban Sinani* –

  1. Kur kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil S. Tole, me shumë mirësjellje e me mirëbesim, më kërkoi t’i bëja një lexim të fundmë kritik veprës së tij “Kadare dhe muzika”, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte: Sa lodhje e mund i duhet studiuesit të gjorë të gjejë dy-tri gradë këndshikim për të shtënë syrin e tij zbulues atje ku të tjerët nuk kanë vrojtuar ende ose më saktë atje ku ende nuk i ka shkuar në mendje dikujt të hedhë sytë.

Kadare dhe muzika? Ç’mund t’i premtonte lexuesit ky titull sa i beftë, aq dhe, në pamje të parë, me qëllim të paracaktuar?
Nisa ta shfletoj menjëherë në telefonin e dorës librin e ri të sapombyllur prej autorit, ndërsa ecja me hapa të ngadaltë në trotuarin në ndërtim e sipër përballë parkut Rinia, me padurimin për të gjetur një fill ndërlidhës midis një shkrimtari që e ka sunduar shekullin e vet letrar në mënyrë sovrane dhe një bote tjetër, nuk mund të thoshe të largët, por as të afërt jo, si muzika. Më erdhi ndërmend që shumica e shkrimtarëve shqiptarë, prej Jeronim de Radës deri tek Migjeni dhe Dh. Shuteriqi, i kishin quajtur poezitë e tyre jo vjersha, por kangjelje, kangë. Ndërkaq, edhe më të shumtë kishin qenë kompozitorët që kishin preferuar t’i quanin veprat e tyre me emërtime të huajtura prej letërsisë dhe arteve të tjera të fjalës: rapsodi, balada, elegji. Vetëtimthi m’u kujtua se ekzistonin një nënlloj i poezisë dhe një nënlloj i muzikës, pagëzuar me terma që gjuhësisht vinin nga e njëjta rrënjë, nga i njëjti burim etimologjik: sonatë dhe sonet. Ah, po! E kisha gjetur çelësin! Me siguri premisa bazë nga mund të ishte nisur autori për të realizuar këtë studim do të kishte lidhje me traktatin e mirënjohur të filozofit gjerman Friedrich Nietszche Origjina e muzikës prej tragjedisë: rasti i Vagnerit (The Origin of Tragedy: The Case of Vagner) dhe me pohimin e tij të rreptë deri në tronditje: Nga Eskili gjer tek Vagneri njerëzimi nuk ka prodhuar asgjë të vlertë.

Ashtu duke u ndërmendur, e hapa më së fundi në formatin e numerizuar veprën e re të mikut tim dhe shumë shpejt do të bindesha se në librin Kadare dhe muzika nuk bëhej fjalë për ndonjë zbatim analogjik, prej së jashtmi, për hir të ndonjë teorie, për shembull të mendimeve nihiliste të Nietszche-s mbi padobinë krijuese të mendjes njerëzore për rreth tri mijë vjetësh, por për një lexim së brendshmi, që autori e kishte realizuar duke hyrë me mjetet e një studiuesi të muzikës në xehet kristaline, të ngjashme me polimetalet, të veprës së shkrimtarit I. Kadare.

  1. Që kjo vepër është një rezervàt vlerash pa shterrim, jo vetëm në letërsi, por edhe në sistemin e trashëgimit shpirtëror shqiptar në tërësi, kjo është diçka e përsëritur shumë shpesh dhe e gjithëpranuar prej lexuesit, pa kërkuar ndonjë vërtetim shkencor të dijetarëve. Në konferenca shkencore ndërkombëtare vepra e I. Kadaresë është kundruar si pasqyrë e urbanizimit të jetës shqiptare po aq sa edhe si pasqyrë e jetës tradicionale etnozakonore të Gjirokastrës: Matteo Mandalà dhe semiologu palermitan Gianfranco Marrone shpërfaqnin në shkallën tekstore dhe në shkallë teorike kushtëzimin e letërsisë me urbanizimin, ndërsa studiuesi francez Gilles de Rapper do të rizbulontekushtëzimin e fortë të tekstit të veprës së Kadaresë prej ligjërimit etnografik (Ismail Kadaré et l’ethnologie albanaise de la seconde moitié du XXe siècle). Në të tjera studime e botime, sidomos prej autorësh të huaj, është parapëlqyerparalelizimi me mitologjinë, ritualet dhe traditën etnojuridike, duke filluar prej çështjes homerike deri tek Kanuni, i nënkuptuar nga shkrimtari si Ligja e re dhe Statutet e shekujve të humanizmit në botën e Àrbërit, nënkuptuar prej tij si Ligja e vjetër – në një simetri imagjinare me Testamentin e Vjetër dhe Testamentin e Ri (Peter Morgan: Ismail Kadare: Modern Homer or Albanian Dissident). Sa u takon disa opozicioneve të tjera, si ato me ideologjinë dhe me autobiografinë, nëse do të kërkonim ndihmë nga një idiomë po e F. Nietszche-s për të gjetur masën: to use or to abuse, do të na duhej të pranonim tejkalimin dhe shpërdorimin.
  2. Me muzikën ishte ndryshe. Përveç studimit të Eno Koços Kadare dhe Shostakoviç, para së gjithash një krahasim rolesh dhe protagonizmi në shoqëri të dy personaliteteve të njohura, por dhe një pranëvënie artesh për lehtësim të përftimit të tyre estetik, një traditë kërkimi së brendshmi të muzikës në letërsinë e shkrimtarit që guxoi qysh në vetëpagëzimin si krijues mungonte. Dhe kjo ishte një arsye e rëndësishme që kjo monografi e parë, e nisur dhe e përfunduar tue u kujtuom shumë herë se nukë kish gjaa të endigluom ensëh kësih së shkruomit, të çmohej si akt intelektual dhe si paraprirje për studime të tjera të ngjashme.

    Libri i Vasil S. Toles Kadare dhe muzika është një prej atyre veprave që e bëjnë njeriun të kuptojë se sa i varfër do të ishte leximi i veprës letrare vetëm si art fjale. Në të kundërtën, leximet ndryshe, prej pikëvështrimesh nga jashtë letërsisë, provojnë se sa lehtësisht të rrëzueshëm janë kufijtë që projektojnë historia e letërsisë, teoria, kanonet,vetëmjaftueshmëria e tekstit. E provoi Roland Barthes me La mort de l’auteur (1967), e provuan disa dekada me radhë me ngulmim e gati-gati prepotencë teoricienë e studiues të panumërt dekontekstualizimin e letërsisë. Por shumë shpejt autobiografizmi do të rifaktorizohej si dominante në krijimtarinë letrare (Philippe Lejeune, Signes de vie, Le pacte autobiografique, édit. Seuil, Paris 2005). Karl Marksi pohonte se kam mësuar nga Komedia njerëzore e Balzakut më shumë se nga gjithë teoricienët klasikë të ekonomisë politike të deriatëhershëm. Romanet Lufta dhe Paqja (L. Tolstoj) dhe Të mjerët (V. Hygo) janë konsideruar më të dobishëm se çdo udhërrëfyes për të njohur Moskën dhe Parisin tradicional. Arkeologut gjerman Heinrich Schliemann i mjaftuan dy poemat homerike për të lokalizuar dhe zbuluar Trojën. Nëse do t’i riktheheshim receptimit të parë të veprës së Kadaresë në Francë dhe në botë, do të kuptonim se para së gjithash ajo është lexuar si një burim njohjeje për çka po ndodhte në një vend të mbyllur, duke shërbyer si një dritare e vogël për të marrë me mend të padukshmen.

    Mungesa e studimeve që marrin shkas prej pikënisjesh nga dije dhe kompetenca të afërta me letërsinë, si muzika, lëvizja, figura, imagologjia (Maria Todorova, The Imagining Balkans), antropologjia, etnopsikologjia (me komplekset etnike dhe psikozat masive, me arkeotipet e stereotipet), përveçse një kufizim për ta receptuar veprën letrare në plotninë e vet, me të gjitha kumtet që përmban, ka sjellë dhe një dëm tjetër. Studiuesit e letërsisë, të bindur se si ata nuk ka të tjerë; shpërfillës për gjithçka që gjendet përtej tekstit; të inkurajuar nga mungesa e leximit të tjetrit; me një parimësi të vetëmjaftueshme për të mbështetur kërkimet e tyre, jo rrallë kanë mbërritur deri në kufijtë e një vetëvebimi përjashtues. A është tekstocentrizmi një qasje shkencore ndaj letërsisë pa asnjë mundësi të dytë? A mundet të zbulojë studiuesi i letërsisë edhe atë që sheh brenda veprës letrare muzikologu, piktori apo etnologu? Libri i Vasil S. Toles është një prej atyre veprave që na bën të pohojmë pa drojë: Jo!

    III. Autori i këtij libri e ka lënë mënjanë teknokracinë e shenjtërimit të metodës dhe ka marrë përsipër t’i afrohet lexuesit përmes një pyetjeje sa të vështirë, aq dhe të pashmangshme: A mund të lexohen poezia dhe proza e Ismail Kadaresë si të këndueshme? Dikur këndimi ishte çelësi i letërsisë në shkollë, pavarësisht nëse fjala intonohej apo thjesht lexohej, varësisht prej zotësisë së mësuesit për të shkrirë në komunikim fjalën dhe melodinë. Madje Ilo Mitkë Qafëzezi edhe Kur’an-in që përktheu vetë e pati quajtur Këndim. Madje deri në vitet 1970 në dëftesat e nxënësve të shkollave tetëvjeçare gjenden paralelisht lënda e këndimit dhe e këngës. Shumë gjashëm me sonet dhe sonatë. Më vonë perdet që u vendosën mes tyre për lehtësi studimi u kthyen në mure. Dhe pyetja: a mund të jetë letërsia cantabile, nuk u bë më. E këndueshme siç ka qenë në lashtësi, kur tragjeditë antike greke në skenat e teatrove klasikë u ngjanin operetave moderne; kur poetët romakë recitoheshin sikur vargjet e tyre të ishin vendosur mbi pentagram. Aedëve të lashtësisë antike nuk u vinte aq në ndihmë lyra, me mundësitë e saj të kufizuara zanore. Bardi i këngëve homerike, cantor-i romak dhe tourbadour-i frëng i poemës epike Chanson de Roland duhej të përdornin zërin, intonacionin, shkallëzimin, për të krijuar melos. Tek e fundit, duhej të përdornin “instrumentin” e parë në historinë e tingullit të bukur, zërin. Duhej të përdornin atë instrument që këndon kur flet dhe flet kur këndon. Në hershmëri instrumenti ishte thjesht një ndihmës i rapsodit, njëherësh orator dhe këngëtar. Studiuesit e sotëm, ndër ta dhe antropomuzikologu Nicola Scaldaferri, albanologu Francesco Altimari, studiuesja polake e fonologjisë historike Irene Sawicka, glotologu Leonardo de Savoia, po argumentojnë se edhe poemat e Jeronim de Radës, Milosao e Serafina Topia, u shkruan për lexim tonal dhe intonacional, jo vetëm sasior, sikurse ishte menduar për një kohë të gjatë. Kjo është në natyrën e artit tradicional. Lahuta e Malcìs e Àt Gjergj Fishtës dhe këngët popullore të Bregdetit e të Labërisë s’mund të kuptohen pa asimilime fonologjike në fqinjësi dhe pa shmangie prej theksave rregulltarë. Kot thonë seagramatikalitetin e farkoi traktati I hermetizmit. Agramatikorësia ka qenë ura magjike që i jepte mundësi poezisë të bëhej e këndueshme.

    Vasil S. Tole në studimin e tij raportet e letërsisë së I. Kadaresë i verifikon në disa shkallë. E nis me supoziminecphrasis nëse formimi jashtë shkolle i I. Kadaresë, ai formim që, siç shkruan Albert B. Lord, merret pa leksione, siç mësohet gjuha amtare, luajti rol dhe u bë faktor në krijimtarinë e tij, jo aq në mënyrë të vetëdijshme si Makbethi, por pikërisht në mënyrë të padukshme si gjuha e të parëve: e nënës së dhembshur dhe disi naive dhe e babait fjalëpakë; e familjes së Babazotit, me ungjër e emta të shkolluara dhe ndonjëherë spitullaqë; e kakopinove misterioze dhe e sazexhinjve me shtëpizë më vete aty në oborrin e shtëpisë. Për këtë pyetje shkrimtari vetë nuk na thotë ndonjë gjë drejtpërsëdrejti, si për Makbethin dhe magjepsjen pas tij, sepse kjo nënshtresë nuk është kulturë leximi, vjen prej kohësh të thella dhe shpërfaqet si një prani e nëntëshme në letërsi: ajo, sipas shprehjes së Albert Lord, përvetësohet pavetëdijshëm, si gjuha amtare, dhe shkrimtarit i vjen po aq rrjedhshëm, pa asnjë shenjë kërkimi, si aedëve në lashtësi inkurajimi prej audiencës, mjedisit, solemnitetit, përgjegjësisë para kritikëve të vetëm të tyre:polis-it të mbledhur në teatër.

    Ne nuk e dimë nëse ndonjëherë në jetë I. Kadare ka qenë edhe vetë pjesë e këngës. Polifonia është shumë bujare: njeriu nuk e ndien veten në rol, të plotësuar, të denjë për artin, edhe në iso, duke lënë mënjanë mundësitë po aq të realizueshme në regjistra të tjerë: si marrës, kthyes, pritës apo hedhës, siç këndohej në traditën e vendlindjes, siç, me siguri, kishin kënduar ndër kohëra Kadaretë, që Gjirokastra i mburrte për kalcunjat; ndërkohë që në anën tjetër të linjave të trashëgimisë mbetej e paharruar Nasibeja e Dobiatëve, e para dhe e vetmja poete e bejtexhinjve shqiptarë. Mirëpo sigurisht e dimë mirë se letërsia e tij këndon së brendshmi. Pikërisht këtë synon të provojë libri i Vasil S. Toles Kadare dhe muzika. Këndon së brendshmi përmes pranisë së shpërfaqur (citimit me protokoll, thonë studiuesit tekstocentristë). Këndon së brendshmi përmes lexicon-it muzikologjik dhe koreografik që nuk i ndahet kësaj vepre prej fillimeve deri tek veprat më të fundme. Muzika dhe vallja janë brendësuar në këtë vepër pa ndonjë tendencë diturake, thjesht sepse janë pjesë e autorësisë së vetvetishme të shkrimtarit. Këtë prani studiuesi e kërkon që nga titujt e veprave të Kadaresë (poezi, tregime, romane) deri tek përqasja që shkrimtari u ka bërë veprave të tij me terma të mirëfilltë muzikologjikë (roman me polifoni, roman me iso). E kërkon këtë prani në të dy rrafshet: të muzikës popullore dhe të asaj qytetare të kultivuar. E kërkon dhe e vërteton në të gjitha rrafshet: në emërtimet e këngëve dhe valleve, në tipologjinë e këngëtarëve dhe rapsodëve, në larminë e mjeteve shoqërues të muzikës. E kërkon dhe e gjen prej sazeve me joli të Babazotit deri tek rapsodët homerikë të hapësirave dygjuhëshe apo të gjuhëve në kufi. E kërkon dhe e gjen në tingëllimin muzikologjik të fjalës e në melodicitetin e tekstit. E kërkon dhe e gjen atje ku termi fsheh një sekret kundrejt censurës, si rasti i nëntitullit të një kreu të romanit Dimri i vetmisë së madhe: Requiem për vitin që shkoi, që të sjell ndërmend Requiem-in e Mozart-it, shkruar si një meshë in honorem et in memoriam për babain që u nda nga jeta pa i qenë pranë në çastet e fundme.

    Ndonëse nuk e shpall në mënyrë të deklaruar, qëllimi i studiuesit Vasil S. Tole është të provojë se në ngjizjen e aktit të krijimit artistik të I. Kadaresë, me apo pa vetëdije, janë të pranishme pashmangshëm melos-i dhe lëvizja, kënga dhe vallja, korifeu dhe horos-i, isoja dhe lahuta, rapsodi dhe audienca, dollia dhe riti, daullja dhe jolia e sazeve, bukuria e vajzës që tund shaminë dhe shfaqet para botës së madhe me hire dhe nur, burrat gjamtarë që thërrasin malet për iso,magët që flasin si me ndonjë gjuhë parahistorike, që dhe Claude Lévi-Strauss-n do ta linte pa mend, dhe kurrë nuk i shqiptojnë formulat shërimtare. Në mënyrë të tërthortë edhe shkrimtari I. Kadare na e ka thënë këtë pohim. Makbethi me makthet e ankthet, me malet që lëvizin dhe magjistricat fatthënëse, është një botë e ngjashme me gjithë çfarë ushqeu estetikisht I. Kadarenë para leximit. Ç’dallim mund të ketë midis vajtojcave dhe brimëtarëve homerikë shqiptarë dhe eumenideve e furive zemërake të lashtësisë greko-romake; midis gjamtarëve të Veriut dhe koreve tragjikë të Eskilit dhe Euripidit?

    Sikur të mos i mjaftonte letërsia, autori i kësaj vepre provon se muzika, vallja, tradita gojore në përgjithësi, trashëgimia parashkrimore, u bënë sunduese edhe në sprovat e I. Kadaresë, duke filluar me Autobiografinë e popullit në vargje dhe sprovën tjetër për ciklin e kreshnikëve deri tek romani-ese Një dosje për Homerin apo Tri këngë zije për Kosovën. Ajo që na vërteton autori është shumë e rëndësishme: muzika ka qenë gjithnjë inside në letërsisë shqipe, po aq sa vetë letërsia ishte brenda këngës: ato dijetarët i ndajnë, por historia i ndan aq mund të ndajë cipa e qepës. Në fakt, ne nuk e dimë ende nëse cipa e qepës ndan apo bashkon! Çështje që duhet të na e shpjegojnë biologët. Ashtu si cipa e qepës, cipa ndarëse ndërmjet këngës dhe fjalës së bukur, në asnjë vepër tjetër nuk ka gjetur një shprehje kaq paradigmatike përbashkimi sa në letërsinë e Kadaresë: që nga himnoret dhe këngët marciale (duke përfshirë Himnin kombëtar dhe historinë e ndërlikuar të tij) deri tek vajtimet dhe vajtojcat; që nga kënga për dëfrim deri tek kënga për parà, që nga arti mirëfilli deri tek falsifikati, që nga muzika që nxit pushtimin deri tek ajo që qetëson shpirtrat, që nga e përzishmja deri tek heroikja. Mund të thuhet se rendi gjuhësor dhe rendi muzikor brenda veprës së I. Kadaresë, siç na nxit të besojmë studiuesi, janë të pandashëm dhe të gjithëpranishëm, janë plotësues ndaj njëri-tjetrit dhe së bashku identifikues të njeriut shqiptar. A mund ta konsiderojmë artin e Kadaresë si një et pluribus in unum, si një krijim figurativisht dygjuhësh, mbase dhe trigjuhësh: fjalë, melos dhe lëvizje e bukur, veç e tok, siç do të na lejonte të shpreheshim Fan S. Noli?
    Ashtu si përmes neologjizmave dhe ngritjes së fjalës dialektore në shkallën e përdorimit gjithëshqiptar, I. Kadare ka prishur kufijtë midis të folmeve toske e gege, ashtu ai ka krijuar të njëjtën baraspeshë midis rapsodisë veriore homofonike dhe polifonisë ndërbashkuese të viseve jugore. Nuk ka një shkrimtar tjetër që ta ketë krijuar kaq bukur këtë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: për shkak të përparësive studimore të vetë autorit, si hartues i dosjes shkencore të regjistrimit të polifonisë me iso në listën e trashëgimisë madhore botërore të UNESCO-s, iso-polifoniazë një kapitull më vete në librin Kadare dhe muzika, njësoj siç mund të ishte edhe rapsodia, lahuta dhe kënga epike legjendare. Dhe realisht e zë, pavarësisht se jo organizuar si kapitull më vete.

    Këtu është me vend të evokohet koncepti i teoricienëve modern të çështjes homerike Millman Parry e Albert Lord, të cilët mendonin se mekanizmi i vetëkurdisjes dhe i vetëruajtjes (konservimit) të artit tradicional ka qenë gjithnjë një marrëdhënie trekëndore: kënga, instrumenti, rapsodi; fjala, melos-i dhe audienca; që janë kushtet e sinkretizmit. Vasil S. Tole synon të na provojë se kjo marrëdhënie trekëndore, kjo trini e shenjtë e artit: fjala, melodia dhe lëvizja; teksti, kënga dhe vallja, edhe tek vepra e I. Kadaresë janë në një shkallë shumë të lartë sinkretizmi, aq sa mund t’i quash të pandashme. Ideja se kjo vepër është njëherësh edhe këngë, edhe valle, edhe këndim, edhe kantatë, edhe balet, edhe opera, është risuese në studimet letrare. Këtu, në një të ardhme, do të dalë e nevojshme të studiohet se çfarë vjen nga vetëdija e krijuesit dhe çfarë nga nënvetëdija; ç’vjen nga leximet e ç’vjen prej shpirtit të të parëve, dhe kjo çështje implikon jo vetëm dijet për letërsi, kulturë e arte, por dhe ato për etnopsikologji, psikokritikë e psikanalizë.

    Vijuar prej kreut Origjina e tragjedisë prej vajtimeve, vepra fiton një dimemsion tjetër, teorik, për zanafillën e arteve dhe kushtëzimet parahistorike e historike të tyre, të verifikuara përmes gjurmëve dhe shenjave në veprën e I. Kadaresë. Përqendrimi tek vajtimi në Gjirokastër dhe tek primitiviteti i shprehjes së dhimbjes njerëzore, që kapërcen shekujt duke na shpënë në erërat pagane, kur vdekja quhej ndëshkim i hyjve dhe jo shprehje e vullnetit të Zotit; me një vështrim krahasues në mitologjinë antike greke dhe romake, i jep këtij kreu edhe një përmasë me karakter antropologjik e metafizik, që synon të zbulojë raportet e njeriut me jetën, vdekjen, pasjetën, pavdekësinë.

    Dhe ja ku vjen çështja homerike, me romanin e rapsodisë, titulluar Një dosje për Homerin, në të cilin shkrimtari krijon një regjistër të ri: jo atë të ngjashmërive mitologjike midis eposit shqiptar të Veriut dhe poemave epike e mitologjisë antike greke, por atë të rivalitetit për primat, hershmëri e origjinalitet midis këngëve rapsodive shqiptare të Veriut dhe juna?ke pjesme të serbëve dhe boshnjakëve. Trajtimi i rapsodit si një institucion, konkurrenca e shqisave (veshi para syrit), bëjnë pjesë në ekspansionin e shkrimtarit prej muzikës në hapësira të përafërta. Duke kërkuar një alter ego të shkrimtarit tek rapsodi, jo si zëdhënës të tij, por si të dorëzuar të të njëjtit urdhër, të urdhërit të krijimtarisë, studiuesi Vasil S. Tole, përmes krahasimit, i bën edhe më të afërta letërsinë dhe muzikën në veprën e I. Kadaresë, duke i asociuar ata më shumë ontologjikisht. Ashtu si Homeri ishte një rapsod-shkrimtar, ashtu Kadare mund të jetë një shkrimtar-rapsod. Ashtu si letërsia është një shkallë ligjërimi më e lartë se trashëgimia parashkrimore, ashtu kjo e dyta mund të jetë shtrati I shëndetshëm i letërsisë. Studiuesi arrin të na bindë se I. Kadare, ashtu si De Rada dhe Migjeni, urat midis letërsisë dhe traditës i vendosën jo duke u kthyer prapa në shekullin e lahutës, por duke u ndërlidhur me fije të tërthorta, shpesh gati të padukshme. Rapsodia dhe iso-polifonia ishin në veprën e tij objekt admirimi dhe jo imitimi.
    I guximshëm kreu i kësaj vepre për gjuhën tjetër të letërsisë, për një mundësi kodifikimi muzikologjik të saj, duke përfshirë notëzimin e supozuar dhe vendosjen në një tipologji lloji e nënlloji sipas ndarjeve e nënndarjeve që ekzistojnë në muzikë. Duke mos pasur kompetencën profesionale për këtë anë, thjesht vlerësojmë këtu tentimin për të ndërtuar krahasime midis letërsisë e muzikës përtej së imagjinueshmes, që na bind se sa të paprekura janë këto lidhje e afërsi dhe ç’të reja mund të priten nga thellimi në studime të mëtejshme. Për sa i takon pjesës që u kushtohet veprave të muzikuara të I. Kadaresë, si opera, balete, kantata etj., kjo, përveç njoftimeve historiko-letrare dhe muzikologjike të zhdukura nga fusha e pamjes për arsye të ndryshme, duke përfshirë dhe ftohjen e vetë autorit me to pas ndalimeve e kritikave të shumta, me siguri do të vlerësohet edhe për të pasuruar historinë e receptimit të krijimtarisë së tij si letërsi dhe në forma të tjera. Eumenidet, opera që iu paraqit publikut grek në vitin 2004, në hapjen e lojërave olimpike, me libret të I. Kadaresë dhe me kompozim të vetë studiuesit Vasil S. Tole, me sa duket ka qenë një përvojë shumë e çmuar për të dhe ndoshta edhe një prej nxitjeve për t’iu kushtuar këtij studimi.

    Kjo vepër, në të cilën nuk mungojnë edhe shenjime të dorës së parë për kulturën muzikore të shkrimtarit, në të dyja rrafshet, tradicionale dhe bashkëkohore, hap një dritare të re leximi për letërsinë e I. Kadaresë. Ka të drejtë Peter Morgan kur e cilëson Kadarenë si Homerin e fundmë, siç ka të drejtë vetë Kadare kur i cilëson rapsodët e këngëve të trimërisë bardët e fundmë të traditës së qëmoçme. Përbërësja prej kënge në veprën krijuese të Ismail Kadaresë, siç na dëshmohet në këtë libër, është e pandashme prej pjesës letrare. Sepse gjuhën për të shkruar dhe gjuhën për të kënduar shkrimtari i bëri të vetat në mjedisin ku ato ashtu kishin qenë qysh në krye të herës, në Gjirokastrën e polifonisë dhe të dasmave tradicionale, të shtëpive-fortesa dhe të plakave të jetës.

    *Akademik i asociuar.