Dita Botërore e Breshkave Detare: Fillon monitorimi i plazheve në Shqipëri
Dita Botërore e Breshkave përkujtohet çdo vit më datë 16 Qershor duke i kushtuar një rëndësi të veçantë ruajtjes së këtyre llojeve globalisht të rrezikuara, të cilat kanë jetuar në planetin tokë që nga koha e dinosaurëve. Një grup kërkimor i kryesuar nga Dr. Enerit Saçdanaku, sapo ka filluar punën në vitin e dytë për eksplorimn e bregdetit ranor në Shqipëri, me qëllim vlerësimin e përshtatshmërisë së plazheve për folezimin e breshkave detare.
Për të grumbulluar të dhënat e nevojshme, studiuesit po përdorin metoda tradicionale, por gjithashtu edhe metoda të sofistikuara siç është droni me një program të specializuar të instaluar në të, i cili, përveç se do të krijoj hartat e plazheve, do të japë informacion edhe për lartësinë e plazheve mbi nivelin e detit, si një faktor kyç për të përcaktuar përshtatshmërinë e një plazhi për folezimin e breshkave të detit.
Tre nga shtatë llojet e breshkave të detit takohen në Mesdhe. Breshka kokëmadhe (Caretta caretta) dhe ajo jeshile (Chelonia mydas) folezojnë në Mesdhe, ndërsa breshka kurriz-lëkurore (Dermochelys coriacea) konsiderohet si një visitor i rrallë. Të gjitha llojet breshkave të detit janë të përfshira në listen e llojeve të rrezikuara të IUCN. Breshkat e detit janë kafshë poikiloterme (me gjak të ftohtë), marrin frymë me mushkëri, riprodhohen me vezë dhe e shpenzojnë pjesën më të madhe të ciklit të tyre jetësor në det dhe dalin jashtë ujit vetëm gjatë verës (çdo 2 – 3 vjet) për të lëshuar vezët në ato plazhe nga ku ato u linden. U duhen 20-30 vite të maturohen seksualisht dhe mund të jetojnë deri në 100 vjet. Pavarsisht se ato janë historikisht shumë të vjetra (datojnë që nga koha e dinosaurëve) dhe kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët tona, mbijetesa e tyre rrezikohet për shkak të urbanizimit dhe zhvillimit të pakontrolluar të zonave bregdetare, ndotjes, përplasjes me anijet, peshkimit dhe ndryshimeve klimatike.
Në të njëjtën kohë, Dr. Sacdanaku dhe grupi i tij kërkimor, po monitorojnë për gjurmë të mundëshme të folezimit të breshkave, duke informuar dhe ndërgjegjësuar dhe publikun. Ky projekt kërkimor, i cili është në vitin e dytë të zbatimit, është ndër të parët e këtij lloji që realizohet në Shqipëri. Projekti po zbatohet nga shoqata MEDASSET dhe është pjesë e një projekti më të madh në rajonin e Mesdheut financuar nga Fondacioni MAVA.
Për çdo vit në sezonin e verës, breshkat e detit3 dalin jashtë ujit dhe lëshojnë vezët e tyre në plazhet me rërë në rajonin lindor dhe jugor të pellgut të Mesdheut (kryesisht Greqi, Turqi, Qipro, etj.). Në vitet e fundit, një numër i vogël i foleve të breshkave të detit janë raportuar në zona, në të cilat zakonisht nuk janë raportuar më parë fole. Të tilla folezime, të ashtuquajtura “sporadike”, janë me interes të lartë shkencor, sepse ato tregojnë se kemi të bëjmë me një spostim të mundshëm të shpërndarjes së folezimeve të breshkave të detit drejt zonave perëndimore dhe veriore të Mesdheut. Breshkat e detit janë lloje migratore dhe ato mund të përgjigjen ndaj ndryshimeve klimatike duke gjetur dhe përdorur habitate të reja për të folezuar, ushqyer dhe dimëruar.
Foleja e parë e breshkave detare në Shqipëri u konfirmua zyrtarisht gjatë zbatimit të projektit në 2018.
Kontakt:
Dr. Enerit Saçdanaku, Tel.: +: 00355 68 41 03 150
Liza Boura, Programmes Officer, MEDASSET, Tel.: +30 210 3613572, medasset@medasset.org