
Ditarët 500-vjeçarë tregojnë një histori murtaje, urie dhe ‘dëshpërimi’ në Transilvani
21 Shkurt 2025
Studiuesit po përdorin dokumente të shkruara mbi 500 vjet më parë për të kuptuar më mirë një periudhë të intensifikuar të vapës ekstreme, thatësirës, urisë dhe sëmundjeve që goditën Transilvaninë gjatë “Epokës së vogël të akullit” në Europë, tregon një studim.
Këto dokumente, përfshirë ditarë, shënime kalendarike, regjistra fetarë dhe ditarë udhëtimi nga diplomatë, misionarë dhe murgj, japin një pasqyrë mbi ndikimin e motit ekstrem në stabilitetin social të rajonit, sipas studimit të botuar më 11 shkurt në revistën shkencore Frontiers.
Nga shekulli i 14-të deri në të 19-in, Toka përjetoi një periudhë ftohjeje të njohur si “Epoka e vogël e akullit”. Ndërsa ajo u intensifikua gjatë shekullit të 16-të, Europa perëndimore u ftoh ndjeshëm, me temperatura që ranë deri në 0.56 gradë Celsius.
Megjithatë, në Transilvani, moti i nxehtë u regjistrua më shpesh sesa ai i ftohtë gjatë kësaj periudhe. Në gjysmën e parë të shekullit të 16-të, rajoni u godit nga vite të tëra të vapës ekstreme dhe thatësirave që dëmtuan të korrat dhe shkaktuan uri.
Në gjysmën e dytë të shekullit, reshjet u shtuan, duke sjellë përmbytje, mungesa ushqimore dhe përhapje sëmundjesh. Sipas studimit, dokumentet raportojnë 30 vite epidemi murtaje dhe 23 vite uri të shkaktuara nga ndryshimet ekstreme klimatike.
Studiuesi Tudor Caciora përmendi një fragment mbresëlënës nga një prej dokumenteve, që përshkruan thatësirën e verës së vitit 1540: “Burimet u thanë dhe lumenjtë u tkurrën në rrjedha të vogla. Bagëtia binte nëpër fusha dhe ajri ishte i mbushur me dëshpërim ndërsa njerëzit mblidheshin në procesione, duke u lutur për shi.”
“Kjo dëshmi e gjallë nxjerr në pah dimensionet emocionale dhe shpirtërore të përballjes me ekstreme klimatike,” tha Caciora.
Ekipi kërkimor përfshinte Ovidiu Răzvan Gaceu, Tudor Caciora, Stefan Baias, Cezar Morar, Mihai Dudaș, Marius Stupariu dhe Maria Maxim.
Transilvania ndodhet në Rumaninë qendrore.