Ditet e Flamurit: – Ne Kosove Demonstraten e Pare me Flamurin Kombetar pa yll e organizuan Grate e Gjakoves, me 11 mars 1945. Material i shkeputur nga monografia e autorit Jaho Brahaj: “Flamuri i Kombit Shqipetar – Origjina, Lashtesia”, f. 166 – 167.
Ditet e Flamurit:
– Ne Kosove Demonstraten e Pare me Flamurin Kombetar pa yll e organizuan Grate e Gjakoves, me 11 mars 1945.
Material i shkeputur nga monografia e autorit Jaho Brahaj: “Flamuri i Kombit Shqipetar – Origjina, Lashtesia”, f. 166 – 167.
… Në fillim të marsit 1945, pas dështimit ose më drejt të themi pas zhdukjes në flakët e barbarisë sllave të një pjese të madhe të popullsisë së Drenicës dhe të mbarë shqiptarëve, stafetën e lëvizjes për mbrojtjen e lirisë e të simbolit të saj, Flamurit Kombëtar Shqiptar e mori nisma e lëvizjes me mjete demokratike antipushtuese sllave dhe antikomuniste. Së pari, në fillim të vitit 1945 formohet Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), me shtrirje në Kosovë e në atë që sot e quajnë Maqedoni. Kjo organizatë ishte e lidhur me organizata simotra, që u formuan njëkohësisht edhe në Shqipëri. Si veprim të parë të saj pati organizimin e demonstratës që bënë gratë e Gjakovës me 11 mars 1945. Demostrueset mbanin në duar flamuj kombëtarë pa yll.1
Kjo demonstratë shënon manifestimin e parë publik antipushtues të Jugosllavisë dhe ishte me simbole kombëtare, dhe, si do e shohim deri në vitin 1990, kur u shpall Republika e Kosovës, ky symbol i printe çdo lëvizjeje për çlirim. Qysh në fillimin e lëvizjes për çlirim kosovarët gjithmonë betimin e bënin mbi flamurin kombëtar. Kjo shprehet dhe në procedurat e pranimit të anëtarëve të rinj në NDSH. Për t’u pranuar anëtarë, betimi bëhej mbi flamurin kombëtar dhe mbi një revolver.2
Në përvjetorin e ditës kombëtare të flamurit, kudo në Kosovë, në nëntorin e vitit 1945 kudo u organizuan ceremoni festive ku dhe bëhej betimi në heshtje që të mbrohej ky simbol i shpirtit e të lirisë së shqiptarëve.3 Kjo organizatë në fillim të vitit 1945 filloi të botonte revistën që pasqyronte krimet e pushtuesit të ri sllavo-komunist. Revista titullohej: “Drita e Lirisë” dhe mbante në kopertinë simbolin që shprehte dhe platformën e veprimeve, Flamurin Kombëtar Shqiptar, pa yllin e ideologjisë komuniste.4 Të kësaj organizate ishin disa filiale organizatash me emrin “Besa Shqiptare”. Në një kuvend të “Besës Shqiptare”, të organizuar në Doberdol me 24 gusht 1945, u shpalos flamuri me shqipen dykrenare, i cili ruhej me roje të posaçme.
Këto organizata kishin komanda të veçanta, qëndronin në lidhje veprimi me njëra tjetrën. Ato planifikuan dhe organizuan aksione të përbashkëta politike dhe ushtarake dhe u përpoqën të mbanin lidhje me grupe me platformë të njëjtë edhe në Shqipëri. Në Kosovë shfaroseshin e vriteshin ata që donin të ruanin lirinë dhe të pandryshuar Flamurin Kombëtar, në Shqipëri me ligj i vendosej ylli dhe filloi ndjekja e persekutimi për ata që mbanin ose tentonin të flisnin publikisht për Flamurin Kombëtar pa simbolin ideologjik komunist.
——–
1). Sabile Keçmezi-Basha. Lëvizja Ilegale Patriotike Shqiptare në Kosovë 1945-47. Rilindja, Prishtinë 1998, f. 39.
2). Po aty, f. 51.
3). P. sh. Ymer Berisha me disa nxënës të shkollës normale “S. Frashëri” u detyrua të shkonte në fshatin Obri e Epërme për të kremtuar përvjetorin e ditës historike të Pavarësisë Shqiptare.
4). Revista “Drita e Lirisë” doli ilegalisht deri në mars 1946. Piktori i kopertinës është Engjëll Berisha, i cili shpëtoi gjallë me disa vjet burg. Për pjesëmarrje e drejtim të kësaj organizate u pushkatuan në Prizren vetëm në një ditë: Marije Shllaku, At Bernardin Llupi, Kol Parubi, dhe Gjergj Martini.