Ditmir Bushati me kritika ne Kuvend: – Krizë vlerash, që vjen nga grykësia, pafytyrësia dhe paaftësia për…

12 shtator2019

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka numëruar gjithë shqetësimet e tij lidhur me sa nuk është bërë për diasporën.

Me tone te forta, ai ka deklaruar se ne nuk mund te themi qe jemi vendi i shqiponjave, as Skenderbeut e Nene Terzes, e as te leshohemi ne patriotizem, pa percaktuar me pare se cfare do te bejme me vendin. 

“Shqiptarët nuk duan barrë nga shteti amë, duan njohje të djersës së tyre”- ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, duke shtuar se për këtë duhet angazhim i maxhorancës për tu dhënë zë në vendimmarrje në jetën publike.

Sipas tij ne jemi “të fundit në Evropë që nuk kemi mundësi ti japin njerëzve tanë mundësinë për të votuar, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta ekskluzivisht. Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revulocionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atedhut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet. 30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si tja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu. Ka shumë që e lënë vendin e tyre, nuk bie dakord me opozitën që e vizaton këtë si fenomen që lidhet me qeverisjen, ky është trend i pandalshëm në 30 vjet, por ajo që duhet të na bëjë përshtypje është fakti që 30 vjet, 20, 10 e më pas ne jemi në gjendje ekonomike më të mirë se para pak kohësh, por kemi krizë vlerash, dhe kjo nuk vjen nga mungesa e të mirave por nga padrejtësia nga askesi i shpërndarjes së të mirave. Nga mprirja që sjell mungesën e shpresës, jo nga injoranca e turmës, por nga grykësia, paaftësia dhe pafytyrësia për të ndërtuar një sistem vlerash”- tha ai.

“Nuk them dot që jemi vendi i shqiponjave, Skënderbeut, Nënë Terezës, na takon që sot të biem e të përcaktojmë se cilat do të jenë qëllimet e kombit për 50 vitesh e ardhshme, e cfarë toke do jetë vendi ynë. Para se ti drejtojmë gishtin njëri tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Cfarë do të thonë fëmijët tanë?

FJALA E PLOTE

Që në fillim dua të deklaroj se marrëveshja që po shyrtojmë sot për mbrojtjen shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kandasë, së bashku me Rregulloren Administrative për zbatimin e saj, është një lajm shumë pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë, por mbi të gjitha është një lajm i shumëpritur nga bashkëkombasit tanë që jetojnë në Kanada. Në Kanada, nuk jetojnë thjeshtë 70 mijë shqiptarë, të cilët, janë përgjithësisht pjesë e diasporës së re shqiptare që kanë lëvizur apo kanë emigruar drejt Kandasë pas ndryshimeve demokratike në vitet 1990, por edhe nga eksperienca dhe kontaktet, bashkëpunimi që kam patur me to, mund të them pa frikë se në Kanada apo në Amerikën e Veriut përgjithësisht jeton një pjesë e mirë e ajkës së shoqërisë shqiptare. Prandaj dhe vëmendja e shtetit, shoqërisë, e strukturave tona, sidomos ndaj kësaj pjesë duhet të jetë e posacme. Është kjo arsyeja që për këtë marrëveshje është bërë një punë voluminoze. Unë i dëgjova dhe shqetësimet që ngritën kolegët e tjerë parafolës për nevojën e një marrëveshje me Italinë e Greqinë sidomos. Më duhet t’ju them që hapat e para drejt kësaj marrëveshje janë hedhur në 2015 kur ne firmosëm marrëveshjen e qëllimeve të mira, që përcaktonte jo vetëm mbrojtjen shoqërore, njohjen e kontributeve të punës, por mbi të gjitha edhe lehtësinë përsa i përket aksesit në shëndetësi, jo vetëm për personat e vijës së parë, por edhe për personat që kanë lidhje me vijën e parë.

Nuk ka asnjë pengesë të karakterit politik nga Italia apo Greqia për të shkuar drejt një marrëveshje të ngjashme, por siç u tha këtu, me numra ndoshta të ekzagjeruar, shifrat në Itali dhe Greqi janë shumë herë më të mëdha. Është kjo arsyeja që ka hezitim për të përballuar detyrimet që burojnë nga kjo marrëveshje, si nga Italia ashtu dhe nga Greqia, pavarësisht se vijimësisht këto çështje janë ngritur nga të gjitha nivelet e shtetit shqiptar, duke filluar nga Kryeministrit dhe të gjithë me radhë.

Ajo që kemi kuptuar nga bashkëpunimi me shqiptarët e diasporës, është e thjeshtë, pavarësisht progresit që ne kemi bërë në këtë drejtim.
Së pari, shqiptarët nuk duan barrë nga shteti amë.
Së dyti, kërkojnë njohje të kontributit, të djersës së tyre për zhvillimin e shoqërisë, sepse jo pak herë kanë shërbyer si valvul shkarkimi për ekonominë shqiptare edhe në momentet më të vështira që kemi pasur gjatë tranzicionit.
Së treti, angazhimi i mazhorancës tonë për ti dhënë zë në vendimarrjen, në jetën publike. Ndoshta jemi ndër vendet e fundit në Europë që nuk kemi mundësi të japim mundësinë njerëzve tanë për të votuar. Që nuk kemi mundësi tu japim njerëzve tanë që jetojnë jashtë atdheut mundësinë pse jo, për të patur në të ardhmen edhe një numër vendesh në Parlament të dedikuar ekskluzivisht për to. Sepse, nuk ka një rrugë tjetër sesi mund ti bëjmë ata më aktiv në jetën tonë.

Çfarë kemi bërë ne për diasporën?
Kemi bërë atë që do të bëntë çdo shtet normal dhe kemi bërë në fakt, pak. Jemi përpjekur për të revolucionalizuar shërbimet konsullore e për ti bërë ato me kosto më të ulët në rrugë digjitale, me sa më pak abuzim. Kemi bërë dy samite, si mazhorancë, që besoj se kanë hedhur një hap pozitiv drejt ndërtimit të një marrëdhënie më të mirë besimi ndërmjet qeverisë, Parlamentit, politikës dhe diasporës që jeton jashtë atdheut. Por, kemi bërë pak edhe për shkak të dobësive që kemi si shtet, si shoqëri, për të mbrojtur shqiptarët jashtë Atdheut. Besoj se ky duhet të jetë një prioritet tjetër dhe duhet ta kërkojmë dhe ta mbështesim financiarisht dhe nga burimet njerëzore edhe këtë si prioritet.

Dëgjova kolegët dhe besoj se biem dakord që sot për sot, 30 vjet nga rënia e regjimit komunist, ne jemi në një dilemë të madhe. Si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, si t’ia bëjmë jetën më të lehtë shqiptarëve që jetojnë këtu brenda atdheut. Është fakt që shqiptarët vazhdojnë dhe e lënë vendin e tyre. Nuk bie dakord me opozitën që tenton ta portretizojë apo vizatojë këtë thjeshtë dhe vëtëm si një fenomen që lidhet me qeverisjen tonë. Në fakt, ky ka qenë një trend i pandashëm për fat të keq gjatë këtyre 30 viteve.

Por, ajo që duhet të na bëjë përshtypje është fakti që 30 vite më pas, 20 vite më pas, 10 vite më pas, ne jemi në një gjëndje ekonomike më të mirë se ku kemi qenë para pak kohësh. Por, për fat të keq jemi duke përjetuar një krizë vlerash. Kjo krizë vlerash nuk vjen nga mungesa e të mirave, por nga padrejtësia, nga aksesi në shpërndarjen e të mirave. Kjo krizë nuk vjen nga përtacia, as nga mungesa e dëshirës së një qeverie për ti mbajtur shqiptarët brenda atdheut, por nga mpirja që sjell mungesa e shpresës. Kjo krizë nuk vjen nga e ashtuquajtura injorancë e turmës, por nga grykësia dhe pafytyrësia dhe paaftësia mbi të gjitha për të ndërtuar një sistem vlerash.

Ne na duhet që të ndërtojmë një sistem vlerash. Ne na duhet që të jemi të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë në këtë temë sepse mendojmë që kapitalizmi grabitqar që kemi ndërtuar këto 30 vite të gjithë së bashku, kush më shumë e kush më pak, nuk premton për të bërë një hap gjigand përpara. Nuk premton për të ndërtuar tregimin tonë si komb. Për të ndërtuar narrativën tonë.

Ne, nuk mund të themi më që jemi kombi i Shqiponjave, nuk mund të themi dot që jemi kombi i Skënderbeut, i Nënë Terezës, nuk mund të përdorim një patriotizëm fals vetëm kur mbushim stadiumet tona dhe brohorasim për kombëtarën tonë bashkë me shqiptarët që vijnë nga vise të tjera për të brohoritur. Ne na takon që sot, të gjithë së bashku të përcaktojmë se cilat do të jenë qëllimet e kombit tonë për 10-30-40-50 vitet e ardhshme. Ku do të jetë Shqipëria, çfarë toke do të jetë Shqipëria? Mund të ju marr rastin e Izraelit, një vend mes shkretërirës, sot është një nga vendet më të zhvilluara në botë. Pse? Sepse, izraelitët vendosën një qëllim, vendosën një objektiv, kërkuan që vendin e tyre ta bënin vendin e dijes. U bazuan tek ekonomia e dijes dhe novacionit. I thanë botës që toka e tyre është tokë e bekuar. Le të mos futemi në këtë debat historik, por, objektivat që duhet të përcaktojë një komb janë të domosdoshme dhe këto objektiva duhet të kenë gjithashtu diasporën në pararojë të tyre.

Më kujtohet një nga debatet me njerëzit e diasporës në Boston, në Universitetin e Harvardit, ku një nga shqiptarët më të mençur që unë kam njohur më tha: e di si është kjo punë? – Ne të diasporës kemi arritur një standard të caktuar jetese dhe jemi nga ato njerëz, e thënë në mënyrë cinike, që mund të themi sot a ke nevojë për çadër pasi ka dalë dielli.
E pra, ne na takon që ne në radhë të parë ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm, ne në radhë të parë ta bëjmë këtë vend më të drejtë, ta brandojmë këtë vend, t’i vendosim etiketën këtij vendi se për çfarë duam të njihemi.

Ne të gjithë këtu para se t’ia drejtojmë gishtin njëri-tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes, ku isha unë, 2-3 javë, muaj apo 2-3 vite para se BE të merrte vendimin për Shqipërinë?

Miq, mos ta harrojmë, Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë. Mund të jetojë dhe 500 të tjera. Po ne do ia falim vetes? Në rast se ne do tia falim vetes, cfarë do thonë fëmijët tanë?

Kur kam qenë student në Hollandë më tregonin rastin e Shqipërisë për vitet 1995-1996 për humbjen e shansit historik për të pasur një marrëveshje asociimi me BE. Unë nuk dua që vajza ime dhe djali im nesër të mësojnë të njëjtën histori që kam mësuar unë në 1995-1996 në 2015, 2020, 2025. 2035.

Kjo nuk është një çështje e majtë e djathtë, po nëse doni si socialist, si progresist, si politikan si qytetar, më shqetëson përqëndrimi I të ardhurave në një grusht njerëzish, më shqetëson prirja jonë për zgjidhje të lehta në vend që të punojmë për modele të qëndrueshme. Edhe pse kam respekt maksimal për kapitalin, më shqetëson që ne vazhdojmë të eksportojmë kapital njerëzor 30 vite pas shembjes së regjimit komunist. Më shqetëson që ne nuk kemi ende dot një partneritet besimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm me diasporën. Më shqetëson fakti që edhe pse duam një orë e më parë të hapim procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE-në, nuk kemi 1, 2, 5 apo 50 njerëz nga diaspora që të vijnë këtu e të punojnë me ne për ta modernizuar Shqipërinë, që të vijnë këtu të ndërtojnë një sistem gare, një sistem më të drejtë, më të qëndrueshëm për ta branduar Shqipërinë si e para për në trenin e Evropës në këtë rajon.

Gazeta Panorama