Diversitet joproduktiv të investimeve në fushën e trashëgiminë kulturore. Interviste nga Neritan Ceka

15/08/19

Nga mapo.al

Neritan Ceka e ka kaluar tërë jetën në mes të rrënojave arkeologjike që kur ishte ende fëmijë dhe ndiqte të atin, arkeologun e parë shqiptar, Hasan Ceka. Ka qenë në krye të gërmimeve në zbulime që shënojnë historinë e prejardhjes së shqiptarëve që nga Butrinti, Bylisi, Apollonia e të tjerë, zbulime që i gjen në disa libra studimorë që mbajnë emrin e tij. Por Ceka njihet për publikun më shumë si politikan. Në moshën 78-vjeçare sot ai sheh me dhimbje se si shteti po shpërdoron pasuritë arkeologjike dhe kulturore me një keqmenaxhim ose lënie në harresë.

Gazeta Mapo foli me zotin Ceka mbi trashëgiminë kulturore duke marrë shkas nga një debat i ditëve të fundit për restaurimin e xhamisë së vjetër në pazarin e Gjirokastrës. Ceka beson se ky nuk është një rast sporadik që tregon pakujdesinë ndaj trashëgimisë kulturore, por flet për një mafia reale që operon në këtë fushë me tendera dhe përfitime financiare. Duke sjellë një shembull konkret të restaurimit të memorialit të Skënderbeut ai thotë se është vetë kryeministri Rama që kërkon të imponojë guston e tij në gjithë vendit.

 

Intervistoi: Blerina Gjoka

Zoti Ceka, sa i keni ndjekur debatet për restaurimet në objekte të trashëgimisë kulturore, rasti i fundit ishte ai për çatinë e xhamisë në Gjirokastër. Çfarë mendoni se po ndodh me trashëgimine kulturore në vend. Këto restaurime po e shpëtojnë, apo po e vënë më shumë në rrezik?

Së pari mund të them që ka një kakofoni, ka një kaos të vërtetë në punën që bëhet për trashëgiminë kulturore dhe prej kohësh ka dalë nga objektivi i qeverisjes.

Qeverisja aktuale, por dhe ajo që shkoi, janë përqendruar kryesisht në punime publike, atje ku çdo gjë matet me meter kub me sasi të mëdha e investime të mëdha, ku mund të dalë ndonjë përfitim. Kështu kultura dhe veçanërisht fusha e trashëgimisë kulturore, e cila do ditë për ditë punë të vogla  dhe investime të vogla, nuk është më interesante për qeverisjet që e shohin politikën si përfitim dhe jo si përkushtim.

Në rastin tonë kemi një diversitet joproduktiv të investimeve në fushën e trashëgiminë kulturore. Një pjesë e mirë e investimeve për fat të mirë vijnë nga faktorë jo publikë. Konkretisht investimet që bëhen në fushën e monumenteve të kultit musliman vijnë nga TIKA, që është një fondacion turk për kulturën, shumë aktiv, shumë serioz dhe shumë produktiv se si punon në përzgjedhjen e specialistëve dhe firmave me të cilët punon. Puna duket, është serioze.

Grupi i dytë i investimeve të mëdha vjen nga kisha ortodokse shqiptare, e cila ka investuar në restaurimin e kishave që janë në administrimin e saj. Por për fat të keq jo të gjitha kishat janë në administrimin e saj, sepse shteti nuk bën një VKM të thjeshtë që t’i kthejë kishës të gjitha monumentet që janë marrë në vitin 1967. I duhen dhënë pasuritë e saj dhe pastaj duhet ndihmuar për të restauruar këto vlera, që janë vlerat kryesore sot, jo vetëm për arkitekturën, por për afresket që mbajnë brenda që janë në shkatërrim e sipër. Çdo vit ne humbim mijëra afreske sepse shteti nuk investon, nuk i integron në iteneraret turistike sepse turizmi religjoz është më i preferuari në Ballkan.

Pra, shteti ynë trashëgiminë kulturore e ka futur në sferën e biznesit. I lë deri sa të shkatërrohen dhe pastaj jep kisha me tender që janë jashtë çdo lloj llogjike. Asnjë firmë nuk mund të projektojë e të bëjë restaurim kishe. Restaurimet nuk bëhen me aksione dhe me xhahilë, një herë një firmë, një herë një tjetër, bëhen në mënyrë të vazhdueshme.

Trashëgimia kulturore është në rrezik të plotë. Këtë e thonë të tërë ata që kanë punuar për trashëgiminë kulturore, Emin Riza, Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Valter Shtylla, Hasan Nallbani, etj.. që janë garda që krijuan institutin e monumenteve, që në vitet ‘80 ishte i nivelit europian me botime, me karrierë, me kantiere pune, ku punohej çdo ditë. 

Po në rastin e Gjirokastrës ka nisur restaurimi i pjesës së mbrojtur nga UNESCO, sipas jush po bëhet siç duhet?

Gjirokastra, i gjithë kompleski i pazarit i është lënë fondit amerikano-shqiptar që është një fondacion, i cili ka bërë pazarin e ri. Pazari i ri duket bukur, po nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, është i ndërtuar në vitet ‘30 dhe është tjetër gjë të punosh në Gjirokastër apo me oreksin e madh të këtij fondacioni që duan të marrin dhe Butrintin. Një qeveri ecën me parimin se meqë të ka bërë nder hanxhiu, i fal pastaj dhe hotelin. Deri tek hani lëre hanxhiun, po një hanxhi që bëhet hotelier, këtu po e teprojmë.

Nuk jam specialist për xhaminë, por përshtypja ime ishte se duke e parë nga sipër nga kalaja duket që diçka ka ndryshuar, mbulimi i godinave me pllaka duhet parë si është bërë. Ose kanë kthyer nga ana tjetër pllakat ekzistuese, që kanë qenë të oksiduara dhe tani ka dalë ngjyra origjinale, ose kanë marrë pllaka të tjera që nuk janë të përshtathsme. Këtë çështje duhet ta shohin specialistët si Emin Riza, që është gjallë dhe themelues i shkencës së restaurimit për arkitekturën popullore dhe që ka punuar me vite të tëra me Gjirokastrën. Por këta as pyesin dhe as duan t’ia dinë se ka specialistë. Këta e kanë fjalën: a ka tender dhe a ka para?!