13 Shtator 2024

Deputeti i PD Saimir Korreshi, i ftuar në një intervistë televizive, tha se është partizan i listave të hapura në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Sa i takon primareve brenda PD-së, Korreshi tha se ato kanë problemet e tyre dhe në qytetet e mëdha do ketë gjithmonë kontestime.

“Unë kam qenë partizan i listave të hapura. Ty primaret t’i bëjnë vetë qytetarët e qytetit ku je. Nëse te primaret në Lushnjë do vinin 1000 vetë, PD në zgjedhjet e fundit mori 17 mijë vota. Ka shumë njerëz që s’vijnë te selia e PD, por të vijnë të votojnë për atë që përfaqëson. Unë isha për lista të hapura.

Në qytetet e mëdha do ketë gjithmonë kontestime. S’e dimë si do bëhen primaret, në rank qarku apo qyteti. Zakonisht në lista janë marrë përfaqësues nga të gjitha trevat, Lushnjë, Divjakë, po bëre primare në Fier, mund të dalin të 5-të nga Fieri. Aleatët mund të kërkojnë deputetë te 5-shja e parë. Edhe me lista të hapura, edhe pa lista të hapura, në fund kryetari do të çojë te KQZ, ai do ta bëjë renditjen”.

Duke komentuar vendimarrjen e ligjvënësve socialistë në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës, Korreshi tha që “dje ka rënë Parlamenti”.

Duke folur mbi lidershipin e Berishës në prag të zgjedhjeve, Korreshi tha:

“Qenia e z.Berisha në arrest shtëpie është handikap i madh që s’e di si do menaxhohet. Patjetër që është e vështirë, PD ka marrë dhe merr masa, por është handikap i madh që Berisha është në arrest shtëpie. Unë sot s’njoh ndonjë që ta garojë Berishës, dhe s’besoj që ka ndonjë që s’do ta votojë Berishën si kandidat për kryeministër. Emra në PD ka sa të duash. Patjetër që Berisha ka pasardhës. Por qëndron gjithmonë Berisha në plan të parë. Por edhe nga Rithemelimi edhe grupet e tjera ka individë sa të duash që mund ta bëjnë drejtuesin e PD. Por brenda PD-së shumicën gjithmonë e ka pasur Berisha”.

Korreshi tha se duhet një nen në Kushtetutë që të qeveria të “dorëzojë çelësat tre muaj para zgjedhjeve” dhe ato të organizohen nga një qeveri teknike, sikurse ndodh në Maqedoninë e Veriut.