“Do dalë një fletore me emrat e drejtorëve të policisë”, paralajmëron eksperti: – Marrin rrogë çdo muaj nga…
5 Shtator 2022
Ervin Karamuço, profesori i kriminologjisë ka paralajmëruar të tjera zhvillime në lidhje me ngjarjet e rënda kriminale në vendin tonë gjatë ditëve të fundit. Pak ditë pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, Karamuço ka paralajmëruar zbulimin e një fletoreje, ku janë shënuar të gjithë punonjësit (efektivëve dhe drejtuesve të lartë) e Policisë, të cilët sipas tij paguhen nga krimi.
“Nga kontrolle që do të bëhen këto ditë, në një prej shtëpive do gjendet një fletore, ku do dalin disa emra që paguhen. Janë efektivë që marrin rrogë çdo muaj. Ka shumë aludime se edhe kur dështojnë operacionet, ka dekonspirime. Këto janë armiku i padukshëm. E rëndësishme të listohen me Vetting, dhe shpenzimet që kryejnë. Ku i gjejnë këto lekë? Këta që rrinë paradite me qytetarët dhe pasdite krimin, duhet të ndalen. Të shkunden nga korrupsioni” , tha Karamuço.
Mes të tjerash, eksperti tha per “abcnews” se publikimet e dëshmive të Nuredin Dumanit, kanë ndezur gjakrat, dhe për këtë arsye janë shkaktuar së paku 6 vrasje.
“Rezultojnë 6 vrasje dhe dy humbje personash dhe dyshohet se vijnë si pasojë e publikimit të dëshmisë së Nuredin Dumanit. Kjo ka shkaktuar shumë gjak dhe ngjarje shumë të rënda. Diheshin shumë ne realitet. Por të tjera u bënë publike.” tha Karamuço.
Sjellim në vëmendje, se prej disa ditësh, efektivi i policisë dhe njësisë Operacionale për arrestimin e personave në kërkim, Jeton Lami, ndodhet në burg pasi dekonspiroi operacionet për arrestimin e Ervis Martinajt. Ai u la në burg nga gjykata e Kurbinit, pasi më 5 dhe 7 gusht ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj.
Gazeta Shqip