“Do ju paguhen rrogat deri në shtator”/ U kërkoi dorëheqjen miliona punonjësve, Trump befason me ofertën
29 Janar 2025
Dorëheqje në këmbim të tetë rrogave të paguara deri në shtator: Presidenti amerikan befasoi me ofertën e bërë punonjësve federalë, që nuk duan të kthehen në zyrë, lëvizje kjo që synon tkurrjen e qeverisë amerikane. Në një email dërguar miliona punonjësve, administrata e tij i informoi punonjësit se kanë kohë deri më 6 shkurt për të vendosur nëse duan të jenë pjesë e programit të “dorëheqjes së shtyrë”.
Nëse ata pranojnë të lënë punën e tyre deri në atë datë, mesazhi thotë se ata do të përfitojnë nga paketa që u garanton 8 muaj paga. Administrata Trump pret që deri në 10% e punonjësve të pranojnë ofertën, që do të thotë rreth 200,000 nga më shumë se dy milionë punonjës të qeverisë federale.
Zyrtarë të lartë të administratës Trump u kanë thënë mediave amerikane se ky program mund t’i kursejë qeverisë deri në 100 miliardë dollarë. Punonjësit, që donin të pranonin ofertën, duhej t’i përgjigjeshin një email-i me fjalën “dorëheqje” në hapësirën e dedikuar subjektit.
Oferta përfshin paga dhe përfitime për punonjësit deri më 30 shtator. Disa punonjës nuk e morën ofertën, duke përfshirë punonjësit e postës, anëtarët e ushtrisë, zyrtarët e imigracionit dhe disa personel të sigurisë kombëtare, sipas emailit.
Mesazhi nga Zyra e Menaxhimit të Personelit, paralajmëronte gjithashtu për ndikimin edhe tek ata që zgjedhin të qëndrojnë. “Ne nuk mund t’ju japim siguri të plotë në lidhje me pozicionin tuaj, por nëse ai eliminohet, ju do të trajtoheni me dinjitet“, theksohet më tej.