“Do ketë pasoja të rënda politike”/ Urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Putinit, Vuçiç merr në mbrojtje presidentin rus
19 Mars 2023
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se lëshimi i një urdhër-arresti ndërkombëtar për Vladimir Putin “do të ketë pasoja të rënda politike” dhe do të shërbejë vetëm për të zgjatur luftën në Ukrainë.
Presidenti rus u bë objekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale (ICC) të premten për krime të dyshuara lufte, por Vuçiç, i cili më parë ka pasur lidhje të ngushta me Putinin dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës, thotë se ky ishte një vendim i keq.
Ai u tha gazetarëve në Beograd se urdhër-arresti “do të ketë pasoja politike” dhe tregon se “ka një ngurrim të madh për të folur për paqen dhe për armëpushimin” e mundshëm në Ukrainë.
“Pyetja ime është, tani që e keni akuzuar për krimet më të mëdha të luftës, me kë do të flisni”, u shpreh Vuçiç, ndërsa shtoi: A mendoni vërtet se është e mundur të mposhtet Rusia në një muaj, tre muaj apo një vit?
I pyetur nëse lideri rus do të arrestohej nëse do të vizitonte Serbinë, Vuçiç tha se është “një pyetje e kotë” pasi ndërsa lufta vazhdon, “Putini nuk ka ku të shkojë”.
Serbia ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë gjatë gjithë konfliktit dhe është i vetmi shtet evropian që nuk ka vendosur sanksione ndërkombëtare kundër Moskës.
Gazeta Sot