
“Do mundnim Ramën duke pirë raki”. Duka: – Mazhoranca është mbushur me zullume, askush s’do t’i shohë më me sy
26 Mars 2025
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka deklaruar se nëse opozita nuk do të kishte bërë 3 gabimet klasike, si ndarja territoriale, falja e bashkive dhe dalja nga parlamenti sot do ta kishin mundur kryeministrin Rama duke pirë raki.
I ftuar në emisionin Debat me Alba Alishanin, Duka është shprehur se mazhoranca sot ka aq shumë zullume sa nuk do askush t’i shohë më me sy.
Sipas Dukës opozita ka një avantazh kemi një avantazh pasi mazhoranca është e mbytur nga korrupsioni.
“Nëse ne nuk do të kishim bërë ato 3 gabimet klasike, ndarja territoriale, falja e bashkive dhe dalja nga parlamenti, ne sot duke pirë raki e kishim mundur këtë mazhorancë, pasi kaq shumë zullume ka bërë sa nuk do askush t’i shohë më me sy.
Tani është garë shumë e fortë pasi kemi këto problematika që duhen kohë të rregullohen. Megjithatë, kemi një avantazh pasi kjo mazhorancë u mbyt nga korrupsioni. Pavarësisht se ky mundohet ti trajtojë si suksese të vetat. Kurrë nuk më mbushet mendja që mund të ketë një kryeministër që nuk di se ministrat e tij… nuk mund të ekzistojë, çfarë bëjnë ata. Kur duhet të marrësh një vendim duhet të pyesësh ministrinë dhe pasi këto do të japin aprovimin do të kalojë te kabineti i kryeministrit dhe pastaj në mbledhje qeverie. Si mund të thuash unë nuk dija gjë?!” deklaroi Duka.
Më tej, ai u shpreh i bindur se PS-ja nuk do të arrijë dot të fitojë në Durrës më 11 maj.
“Armë kundër atij ka sa të duash, megjithatë ne kemi këto probleme. Nëse këto që them unë nuk janë pozitive sepse duhet me dhënë vrull, por unë kam eksperiencë edhe në sport dhe them se gara do të jetë shumë e fortë.
Ai do të ketë shumë problematika.
Unë ju garantoj se në Durrës nuk fiton, ose barazim ose fiton PD-ja”, tha Duka në Debat nga Alba Alishani”.