“Do shkundin edhe vetë Partinë Socialiste”, Lulzim Basha takim ‘kokë më kokë’ me Gazment Bardhin dhe Ivi Kason: 15 kryebashkiakë janë me të kaluar kriminale.
“Do shkundin edhe vetë Partinë Socialiste”, Lulzim Basha takim ‘kokë më kokë’ me Gazment Bardhin dhe Ivi Kason: 15 kryebashkiakë janë me të kaluar kriminale.
12 JANAR 2020
Partia Demokratike po kalon në filtër dhe ka të dhëna konkrete edhe për kryebashkiakë të tjerë me rekorde kriminale. Kryedemokrati Basha thirri në një takim në selinë blu sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe sekretarin për çështjet elektorale, Ivi Kaso për të diskutuar mbi rastet e tjera që demokratët pritet të denoncojnë javët e ardhshme.
Në një intervistë për ABC News, Lulzim Basha ka folur për 15 kryebashkiakë të tjerë të lidhur me krimin.
“E para që duhet të them është që të gjithë këta njerëz përfaqsojnë Edi Ramën. Të gjithë janë të përzgjedhur nga Edi Rama dhe nuk është rasti që njeriu që sot duhet të flasi, hesht. Edi Rama heshti kur kryebashkiaku i Lushnjes u sulmua me granatë në zyrën e tij, hesht për kryebashkiakun e Mallakastrës, të dy kryebashkiakë të emëruar nga ai dhe jo të zgjedhur nga populli, i cili është provuar me rekorde kriminale në shtetin grek. Ndaj sot është dita që mikrofonin tuaj dhe të gjithë mediave të tjera tja drejtoni njeriut që i emëroi këta njerëz në këto zyra, njeriut që hesht dhe pretendon sikur ska ndodhur asgjë. Kur në fakt është një provë më shumë se me Edi Ramën do të kemi vetëm kryebashkiakë me rekorde kriminale, deputetë me rekorde kriminale, drejtues të policisë me rekorde kriminale, pra shqiptarët do të vazhdojnë të drejtohen nga krimi për sa kohë sa Edi Rama do të jetë kryeministër. Sa i përket rasteve të tjera, natyrisht ne jemi në ndjekje jo të dy, as të katër, por të paktën të 15 rasteve të tjera me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Duket qartë se procesi i 30 qershorit, përveçse jo kushtetues dhe ilegjitim është një provë më shumë e penetrimit dhe depërtimit total të trafikantëve të drogës, të trafikantëve të vajzave dhe grave shqiptare dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar në skalionet më të larta të kupolës së Edi Ramës”, tha kreu i PD.
Emrat e kryebashkiakëv me precedent penal sipas Bashës do të duhet të shkundin edhe vetë Partinë Socialiste e cila sipas kryedemokratit tashmë identifikohet me krimin.
“Është një thirrje për Partinë Socialiste për tu shkundur dhe për tu tërhequr nga gremina ku e ka çuar lidershipi aktual, duke e kthyer në partinë më të kriminalizuar të europës, një nga partitë më të kriminalizuara të globit. Është interes kombëtar edhe për Partinë Demokratike dekriminalizimi i shpejtë i politikës dhe dekriminalizimi i Partisë Socialiste”, tha Basha.
Gazeta Sot