3 Maji 2024

Partia Demokratike e dënon ashpër sulmin, del në mbrojtje të deputetit të opozitës dhe e paralajmëron Ulsi Manjën.

Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka reaguar një ditë pas debateve në Kuvend të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe deputetit Agron Shehaj. Sipas tij çdo veprim ndaj deputetit, do të konsiderohet si sulm ndaj opozitës.

Muçollari thotë se nuk është hera e parë që ndodh kjo kundër deputetit opozitar, ndërsa thekson se ‘ky është një cenim i drejtpërdrejtë, jo vetëm i ndarjes së pushteteve, por edhe i përdorimit të shtetit për të sulmuar kundërshtarin politik’.

“Gjuha e ministrit është e papranueshme, dhe habia e mosreagimit si nga kryetarja e Kuvendit, si nga kryeministri, ashtu dhe nga trupa diplomatike, nuk bën gjë tjetër veçse normalizon, jonormalen, joetiken dhe jomoralen.

Partia Demokratike e dënon ashpër sulmin, del në mbrojtje të deputetit të opozitës dhe e paralajmëron Ulsi Manjën se çdo tentativë ndaj Agron Shehajt apo ndaj biznesit të tij do të konsiderohet si sulm ndaj opozitës dhe si i tillë do ta ketë përgjigjen”, thuhet ne reagim.

Gazeta Panorama