“Doktor” me plagjiaturë, pedagogut i hiqet grada shkencore. –
“Doktor” me plagjiaturë, pedagogut i hiqet grada shkencore, –
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pas një mbledhje të gjatë, Këshilli i Profesorëve ka miratuar me shumicë votash anulimin e gradës shkencore ”Doktor” për pedagogun e këtij fakulteti, Gledjan Caka.
Mbledhja e Këshillit të Profesorëve u organizua me kërkesë të Mynyr Konit, i cili mban përgjegjësi jo vetëm si Rektor i Universitetit të Tiranës për një gradë shkencore të fituar mbi plagjiaturë, por edhe sepse është udhëheqës i doktoraturës së Gledjan Cakës.
Rektori Koni ka kërkuar që të verifikohet nëse artikujt shkencorë të botuar në revistat ndërkombëtare, me autorësi pedagogun Caka janë tërhequr, ose jo mbrapsht nga botimi dhe Këshillit i Profesorëve, pas verifikimeve të nevojshme është mbledhur ditën e mërkurë, ku edhe ka vendosur anulimin e gradës shkencore, sipas legjislacionit në fuqi.
Burime konfidenciale për Top Channel thonë se kundër anulimit të titullit shkencorë kanë votuar 3 anëtarë të Këshillit të Profesorëve, të cilët kanë kërkuar hetime më të hollësishme deri në marrjen e një vendimi. Por, këto vota nuk kanë ndikuar që në fund të mbledhjes profesorët të vendosnin me shumicë votash anulimin e gradës shkencore.
Të njëjtat burime thonë për Top channel se disa profesorë kanë ngritur akuza të rënda edhe për rezultatet e arritura pas përfundimit të studimeve të nivelit të dytë, master shkencor. Një nga anëtarët e Këshillit të Profesorëve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka deklaruar se pedagogu Caka ka fituar të drejtën për të ndjekur studimet për doktoraturë me mesatare reale të ulët dhe se për të ndryshuar notat është ndërhyrë në sistemin elektronik të tyre.
Burime për Top Channel thonë gjithashtu se përveçse për plagjiaturë të doktoraturës akuzohet edhe për konflikt interesi, pasi ka familjarë të punësuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku ai është pedagog.
Top Channel kontaktoi edhe dekanin e Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku, i cili gjithashtu pohoi se Këshilli i Profesorëve vendosi anulimin e gradës “Doktor shkencash” për Gledjan Cakën.
Sipas rregullores,vendimi do të dërgohet në Rektorat, në Komisionin e Etikës dhe në Ministrinë e Arsimit.
Duket se ky rast do të hapë diskutimin për të verifikuar mënyrën sesi janë dhënë deri tani gradat shkencore “doktor” në Shqipëri.
25 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)