DOKUMENTI: –  Ruajtja dhe administrimi i siteve arkeologjike, zbardhet raporti i KLSH-së, ja shkeljet e gjetura në Ministrinë e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj

16 shtator 2021

Sitet arkeologjike në vendin tonë, për periudhën 2016-2019 sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë qenë në “mëshirë të fatit” sa i takon ruajtjes, mbrojtjes dhe administrimit të tyre.

KLSH ka realizuar një raport për ministrinë e Kulturës dhe institucionet e saj në vartësi.

Sipas raportit zyrtar, thuhet se ky auditim u ushtrua: në Ministrinë e Kulturës, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Vlorë, Njësinë e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Kombëtar Butrint, Njësinë e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apolloni dhe Bylis, mbi efektivitetin e implementimit të politikave shtetërore për mirëmenaxhimin e parqeve arkeologjike dhe promovimin e tyre në aspektin ekonomik, kulturor e turistik.

Në përfundim të auditimit, KLSH ka arritur në përfundimin se “politikat shtetërore të ndjekura nga Ministria e Kulturës, si ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e siteve arkeologjike, për shkak të mungesës së një kuadri rregullator të plotë në menaxhimin e tyre, nuk kanë rezultuar efektive.

Mbivendosja e legjislacionit, si pasojë e funksionimit të njëkohshëm të dy ligjeve për trashëgiminë kulturore, mungesa e akteve nënligjore zbatuese, miratimi i dokumentit strategjik pa plane konkrete veprimi, komunikimi ndërisntitucional i dobët, kanë bërë që menaxhimi i siteve të mos jenë efektiv.

Përzgjedhja e kritereve të menaxhimit nuk është bërë mbi bazën e studimeve të kryera nga Ministria e Kulturës, si dhe modelit më të mire, të integruar në kushtet shqiptare. Ndryshimi i strukturave të organizimit, funksionimit dhe administrimit të NJAKPA-ve është kryer pa analiza financiare, pa analiza burimesh njerëzore dhe nevojash për aftësi profesionale specifike, pa një planifikim mbi nevojat e konstatuara dhe rezultatet e dëshiruara.

Ministria e Kulturës, institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore dhe NJAKPA-të kanë shfaqur dobësi në marrjen e masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të parqeve arkeologjike.

Në mungesë të planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurisë kulturore, menaxhimi i siteve në këtë aspekt, nuk ka pasur efektivitet të plotë. Mangësitë infrastrukturore, logjistike dhe njerzore, në administrimin e parqeve, janë bërë pengesë për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për shfrytëzimin publik të tyre, nga ana e vizitorëve.

Mangësi konstatohen edhe në promovimin e tyre nëpërmjet kanaleve të komunikimit masiv. Ministria e Kulturës nuk ka asnjë plan veprimi, sa i takon marrëdhënieve me mediat vizive, lidhur me prodhimin, promovimin dhe transmetimin e dokumentarëve mbi sitet arkeologjike”, thuhet në raportin e KLSH.

GJETJET E RAPORTIT DHE REKOMANDIMET

Për pyetjen: A janё ndёrmarrё masa efektive pёr mbrojtjen e parqeve/siteve arkeologjike?

Gjetje: – IKTK dhe MK aktualisht nuk kanë hartuar e miratuar kriteret e hulumtimeve arkeologjike dhe standarde e kritere për gjurmimin, evidentimin, ruajtjen, mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore materiale as mënyrat e trajtimit, normat teknike, kriteret dhe modelet e ndërhyrjeve në fushën e ruajtjes së pasurive kulturore referuar nenit 29 pika 4, nenit 30 pika 6 dhe nenit 82 të Ligjit Nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

– Për parqet Arkeologjike nën subjekt auditimi Apolloni, Bylis, Amantia Orikum nuk janë hartuar ende plane për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore referuar nenit 45 dhe 46 të legjislacionit te ri, Ligjit Nr. 27/2018. Realizimi i këtyre planeve kërkon studim gjithëpërfshirës dhe angazhim të të gjithë institucioneve përgjegjës por deri me sot nuk ka asnjë arritje në këtë drejtim për parqet e sipër përmendura.

– Në parqet arkeologjike intensiteti dhe numri i projekteve të gërmimeve shkencore apo restaurimeve dhe rehabilitimeve është i ulët. Ka pak punime e ndërhyrje edhe ato që kryhen janë të izoluara dhe të shpërndara. Referuar vlerësimeve gjatë inspektimeve dhe pohimeve gjatë intervistimeve të titullarëve pjesa me e madhe e zonave arkeologjike ka nevojë për aktivitete sistematike të gërmimeve shkencore, rehabilitimeve e aktivitetit konservues sepse ato kanë një potencial të madh objektesh të trashëgimisë kulturore ende të pagërmuar.

– Aktualisht nuk ka një procedurë të miratuar të kontrollit teknik dhe nuk ka asnjë kontroll teknik të dokumentuar me raporte përkatës për periudhën objekt auditimit në sitet e përcaktuara referuar nenit 71 të ligjit Nr. 27/2018.

– Bazuar në nenin 27 dhe 28 pikat 2, 3 e ligjit Nr. 27/2018 IKMTK nuk ka të dokumentuar asnjë veprimtari si institucion i specializuar në lidhje me ecurinë e gërmimeve arkeologjike në tokë dhe ato nënujore, masat mbrojtëse mbi pasuritë kulturore të paluajtshme në të gjithë territorin kombëtar, masat ruajtëse të vlerave kulturore në pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, masa të ruajtjes, mbrojtjes dhe cilësisë së punimeve të restaurimit të pasurive kulturore të luajtshme e të paluajtshme etj. Vendimi për mënyrën e organizmit dhe të funksionimit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk është miratuar dhe struktura dhe as organika e tij. Ai duhet të ishte i miratuar që në Maj të 2019 dhe struktura dhe organika e tij e miratuar brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi e vendimit.

– Parqet arkeologjike Bylis, Amantia dhe Orikum nuk kanë ndriçim dhe nuk janë të mbuluara me ruajte fizike.

Gazeta Panorama