Dokumenti/ Zbulohen 2 VKM-të ‘sekrete’ të Qeverisë, si u paguan nga Fondi i Kontigjencës kontratat me kompanitë e huaja që kurojnë imazhin
Dokumenti/ Zbulohen 2 VKM-të ‘sekrete’ të Qeverisë, si u paguan nga Fondi i Kontigjencës kontratat me kompanitë e huaja që kurojnë imazhin
21 prill 2020
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi mbi financat publike, ka zbuluar dy VKM të sigluara “sekret”, të cilat hedhin dritë mbi pagesat që Qeveria Shqiptare ka kryer me paratë publike.
Gjatë leximit të raportit të KLSH vihet re se aty flitet për dy VKM sekrete që lidhen me dy kontrata të larta që kanë marrë para nga Fondi i Kontigjencës. Financat publike janë përdorur në mënyrë sekrete për të çuara para në kompaninë Ukrainase “APCO Worldwide” dhe një pagesë tjetër sekrete për konsulencë nga kompania “ERNST & YONUG”.
Sipas KLSH: “Këtë vit janë përdorur 2 VKM (të sigluara “sekret”), në shumën 127.65 milion lekë, e konkretisht VKM nr.115, datë 23.02.2018 për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vlerë 80.40 milionë lekë (720,000 Euro) “Për autorizimin e MPJ për lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “APCO WORLDWIDE” (këshillimi & promovimi) dhe VKM nr.308, datë 23.05.2018 për Ministrinë Financave dhe Ekonomisë, në vlerë 47.25 milionë lekë (375,013 euro) “Për autorizimin e Ministrisë së Brendshme dhe MFE për lidhjen e kontratës me kompaninë “ERNST & YOUNG”, për të ofruar konsulencë në zbatim të planit të veprimit “Për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit “në gjurmët e parasë”.”
Siç vërehet qeveria ka akorduar 80.40 mln lekë për një kontratë me firmën “APCO WORLDWIDE”, nje kompani PR dhe promovimi me lidhje të forta dhe të ngushta me eksponentë të rëndësishëm politikë.
Ajo është përdorur nga Nursultan Nazarbajev (ish presidenti i Kazakistanit) dhe nga shumë kompani të tjera për të rregulluar imazhin e tyre dhe çështjet e tyre politike.
Kompania ka si ekspertë të jashtëm rreth 20 figura nga fusha politike ne SHBA, BE, Izrael dhe më gjerë ku përfshihen ish ambasadorë të SHBA-së, anëtarë të këshillave të jashtëm dhe kështu me radhë.
Panorama.al