Doli nga shtypi

Romani autobiografik, “Zërat pa fytyra” të Nexhat Çoçajt.

Nga: Dr. Nevrije Bislimaj dhe Besim Cengu.

Kur mbyll faqen e fundit të romanit autobiografik, “Zërat pa fytyra” të Nexhat Çoçajt ke ndjesinë e zgjimit nga një ëndërr e keqe.

Një jetë si në botën e nëndheshme të Hadit duke u përpëlitur në varkën e vdekjes midis ekzistencës dhe mosekzistencës.

Kjo është jeta nën trysni, që e devijon mendërisht njeriun dhe e denatyron atë. Vetëm sistemet e dhunshme që kanë për qëllim shkatërrimin e strukturës psikologjike dhe mentale të njeriut si qenie, arrijnë të trumhasin mendjen deri në devijime psiqike pothuajse të pariparueshme që seriozisht plagosin deri në pabesueshmëri nënvetëdijen njerëzore.

Nexhat Çoçaj

E kur arrihet deri këtu, njeriut (apo shoqërisë njerëzore) i duhet mund sa i Sizifit për të ndërtuar një konstitucion tjetër shpirtëror dhe psikologjik.

Vetë autori ka përjetuar realisht botën e nëndheshme të Hadit, prandaj ky roman autobiografik ze kryet e vendit në opusin krijues të tij.

Ai me fuqinë hyjnore të Sizifit ia ka dalë të ndërtojë për bukuri konstitucionin e vet duke përcjellë mesazhin e madh se edhe lumi i perandorisë së të vdekurve kapërcehet për të prekur bregun e jetës.

Besim Cengu  Tiranë, më 21.12.2019

“Zërat pa fytyra” është vepër në themel autobiografik, në të cilën autobiografia rrëfehet bashkë me biografinë e të rinjve të tjerë shqiptarë, që përjetuan tmerret e regjimit serb.

Romani Zerat pa fytyra te Nexhat Çoçaj

Autori, përmes rrëfimeve rrëqethëse e sjell e një tablo të jetës që kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës pas demonstratave të vitit 1981. Vuajtjet e kryepersonazhit – autorit, janë pasqyrim i ambientit të atyre viteve, përkatësisht historia e koncentruar e kombit.

Pa i ndarë në mënyrë të prerë ngjarjet, autori rrëfen njëkohësisht në dy kohë historinë: historinë e ditëve që i kaloi në verbëri dhe historinë e suksesit pas shërimit dhe inkuadrimit në luftë.

TË DHËNA PËR AUTORIN

Nexhat Çoçaj u lind më 02.02. 1964 në Gjonaj të Hasit.

Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Ferizaj.

Gjatë shërbimit ushtarak më 1983, nga regjimi jugosllav është verbuar dhe për një kohë të gjatë ka qëndruar në spitalin ushtarak VMA në Beograd.

Pas daljes nga spitali është regjistruar studimet në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, që i kreu më 1992, ndërsa në vitet 1994/95 ka ndjekur studimet pos universitare.

Në vitin 2014 ka doktoruar në etnologji dhe folklor.

Për shumë vite ka punuar gazetar në disa gazeta të vendit dhe njëherësh ka punuar për disa vite edhe profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Gjonaj.

Gjatë luftës ka qenë i angazhuar në Brigadën 126.

Për gati një dekadë ka drejtuar Drejtorinë e Arsimit në Prizren.

Aktualisht punon profesor në kolegjin UBT.

Me krijimtari letrare ka nisë të merret qysh kur ishte nxënës i shkollës fillore, për të vazhduar më pas në shkollë të mesme dhe në fakultet.

Gjatë studimeve interesim të veçantë zgjon në fushën e etnologjisë.

Deri më tani ka botuar disa vepra në fushën e etnologjisë, romane, poezi etj., ndërsa ka marrë pjesë në rreth pesëdhjetë konferenca shkencore në vend dhe në vende të regjionit.

Veprat më të njohura janë:

“Kloni” (roman), 1997, “Nuipsi” (roman), 1999, “Bartësit e lirisë” (biografi për Haxhi Hotin), 2000; “Shpresa” (roman), 2002, “Shtigjeve të lirisë” (kuis për dëshmorët, katër ribotime, 2004, 2007, 2009 dhe 2011), “Kukurimi” (roman), 2008, “Rrugëtimi” (poezi), 2009, “Lindjet e pavdekshme” (poemë), 2009, “Gjeneral pampersa” (roman), 2010, “Kam takim me vdekjen” (roman), 2010, “Piknik në Pashtrik” (drama për fëmijë), 2011, “Jeta” (roman), 2011, “Petriti i shkrepave I” (monografi për Remzi Ademaj), 2011, “Hasi – enciklopedi etnokulturore”, vëll. VI – Mallkimet dhe urimet, 2011, “Hasi – enciklopedi etnokulturore”, vëll. V, 2012, “Hasi – enciklopedi etnokulturore”, vëll. IV, 2012, “Hasi – enciklopedi etnokulturore”, vëll. III, 2013, “Hasi – enciklopedi etnokulturore”, vëll. II, 2014, “Lufta për të mbetur njeri” (roman), 2015, “Mbjellja e lotëve”(roman), 2016, “Petriti i shkrepave II” (monografi për Remzi Ademaj), 2017, “Të pathënat për Gjeçovin”, 2019, “KALI në traditën shqiptare (Besime dhe besëtytni) 1-3”, 2019. Romani “Zërat pa fytyra” është libri i 29 i autorit.

Ka në dorëshkrim: romanet:

“Të gjallë e të vdekur në një varr”, “Dosjet blu” dhe “Njerëzit pa fytyra”; në fushën e studimeve ka të përgatitur monografinë “Xhamia e Krumës dhe kontributi i saj për luftën e UÇK-së”, vëllimin e parë dhe të shtatë Hasi – enciklopedi etnokulturore, “Gjonaj buzë Pashtrikut e Drinit”, “Trashëgimia shpirtërore e Prizrenit”, “Toponimia e Hasit”, “Mbiemrat e Hasit” dhe etimologjia e tyre”, “Qeni në traditën shqiptare, “Gjeli, në traditën shqiptare”, “Dhia në traditën shqiptare”, “Dashi në traditën shqiptare” dhe “Kau në traditën shqiptare”.