
Donald Trump uron Vjosa Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: – Të zgjerojmë lidhjet mes popujve tanë
16 Shkurt 2025
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Presidenca njofton se në mesazhin e tij, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.
Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim, shkruajnë mediet e Kosovës.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.
Presidenti Trump ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.
Në fund të urimit, Presidenti Trump ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.
Të bashkëngjitur gjeni urimin e plotë.
BalkanWeb