Donald Trump zgjidhet President!
Fushata e tejzgjatur dhe e lodhëshme për president të Shteteve të Bashkuara, më në fund u mbyll të martën me zgjedhjen e kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump. Megjithse shumë veta në Amerikë dhe jashtë saj njellnin zi se në rast të fitores së Donald Trump, bota do merrte fund, kjo nuk ndodhi. Toka gjithnjë rrotullohet rreth diellit dhe bota vazhdon jeten normale. Këtë e dinte më së miri edhe Presidenti i tanishëm Barak Obama, i cili bëri një fushatë të fortë kundër Donald Trump, në mbështetje të kandidatës demokrate Hillary Clinton. Mbrëmë para se të njoftoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Presidenti amerikan siguroi bashkatdhetarët e vet dhe tërthorazi edhe botën, të gjithë ata që mund të ishin të shqetësuar me fitoren re kandidatit republikan Donald Trump se, “Çfardo të ndodhë sonte, dielli do të lind përsëri nesër dhe se Amerika do të vazhdojë të jetë gjithnjë vendi më i mirë në botë”, u shpreh Presidenti Obama.
Në traditën më të mirë të kulturës politike amerikane, Presidenti Obama i telefonoi Donald Trump për t’i uruar fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi tranzicionin e qeverisjes. Duke treguar dinjitetin e humbses edhe kundërshtarja e tij gjatë fushatës shpesh tepër të ashpër për president, demokratja Hillary Clinton telefonoi Zotin Trump për t’i uruar fitoren. Donald Trump, nga ana e tij uroi Zonjën Clinton dhe familjen e saj për fushatën që zhvilluan dhe e falënderoi atë për shërbimin e saj ndaj Atdheut tonë, tha ai. Presidenti i ardhëshëm amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij drejtuar kombit me rastin e fitores, theksoi se ka ardhur koha që të shërojmë plagët e ndarjes dhe të përçarjes, ndërsa u bëri thirrje, “republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve anë e mbanë këtij vendi, që të bashkohemi si popull dhe si komb.” Ai u angazhua se do të shërbejë si president i të gjithë amerikanëve, pa dallim. Duke iu referuar atyre që nuk e kanë mbështetur në të kaluarën, Donald Trump kërkoi prej tyre “Këshillat dhe ndihmesën, me qëllim që të punojmë së bashku për të unifikuar vendin tonë të madhërishëm”, theksoi presidenti i ardhëshëm amerikan.
Edhe pas fitores së Donald Trump pra, kjo është gjithnjë Amerika që e kemi njohur deri tani — betejë e fushatave dhe e debateve politike të ashpra elektorale — por më në fund me gjithë të metat e këtyre fushatave – kjo është ende edhe Amerika e pajtimit, e shtrirjes së dorës midis kundërshtarëve politikë e angazhimit dhe e përpjekjeve të tyre për të punuar së bashku për të mirën e vendit.
Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, në fjalimin e tij Donald Trump e siguroi botën se ndërsa administrata e tij do të kujdeset pikëspari për interesat kombëtare të Amerikës ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës, Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e tij, “Do të kenë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet që duan të kenë marrëdhënie të mira dypalëshe me ne. Presim të kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjithë.” Ai shtoi se, me të gjithë popujt dhe me të gjitha kombet do të kërkojmë gjërat që na bashkojnë, “Jo armiqësi, jo konflikt, por partneritet”, theksoi Trump në fjalën e tij drejtuar komunitetit ndërkombëtar.
Fitorja e Donald Trump nuk është vetëm një fitore për të. Është shumë më e madhe dhe unike në historinë politike të Partisë Republikane dhe më gjërë. Jo vetëm që ai fitoi si kandidat i Partisë Republikane për President si një njeri që nuk merrej me politikë më parë — por republikanët siguruan shumicën edhe në të dy dhomat e Kongresit amerikan – Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve — mbeten nën kontrollin e Partisë Republikane, gjë që ia bën më të lehtë atij zbatimin e programeve dhe politikave që u ka premtuar votuesve amerikanë gjatë fushatës. Në mendimin e shumë vërejtësve, fitorja e Trumpit është, siç e ka quajtur ai, një lëvizje, një revolucion i votuesve kundër elitës politike amerikane, një situatë politike e pa parë ç’prej kohës kur u zgjodh president Ronald Reagan, 36 vjetë më parë. Por çdo fitore ka edhe humbësin ose humbësit e vet. Natyrisht se humbësja kryesore është Hillary Clinton dhe Partia Demokrate e cila dështoi jo vetëm të siguronte presidencën por edhe dy dhomat e Kongresit, që mbeten gjithnjë nën kontrollin e Partisë Republikane. Por ka edhe humbës të tjerë në këtë mes, të cilët ishin krejtësisht të gabuar me parashikimet e tyre mbi kandidaturën dhe fitoren e Donald Trump – përfshirë këtu median, sondazhet, analistët dhe opinionistët, elitën politike, aleatët dhe përfaqsues të biznesit. Askush nuk parashikoi fitoren e Donald Trump, përkundrazi të gjitha këto grupe dhe individë e paraqisnin si të pamundur një gjë të tillë megjithse sondazhet kanë treguar se 7 nga 10 amerikanë nuk ishin të kënaqur me mënyrën se po shkonin punët në Amerikë. Për më tepër ata mendojnë se Amerika është në rrugë të gabuar dhe kërkonin ndryshimin e status-quosë.
Natyrisht se megjithë fjalimin që mbajti mbrëmë Donald Trump dhe megjithë premtimet për bashkpunim me të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij, mbetet për t’u parë që pas një fushate të ashpër politike, nëse ai do të mund të bashkojë vendin dhe të mbajë premtimet. Donald Trump është në kuptimin e vërtetë të fjalës, njeriu që nuk është marrë me politikë – njeriu që gjithë jetën e tij është marrë me biznes dhe që ka vepruar jashtë politikës — i pari pra në historinë amerikane pa përvojë politike dhe ushtarake të mëparshme, që zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara. Prandaj dyshimet rreth mënyrës se si do të veprojë ai në Shtëpinë e Bardhë, do të vazhdojnë nga skeptikët, mbrenda dhe jashtë vendit.
Por tani është koha për tu qetësuar. Fitorja e Donald Trump nuk do të sjellë fundin e botës, siç tha edhe Presidenti Obama. Amerika do të vazhdojë të jetë Amerikë. Kushtetuta amerikane garanton se asnjë person dhe asnjë institucion ose degë qeveritare ka monopol mbi pushtetin. Dhe falë sistemit politik amerikan prej tri degësh qeveritare — të përpiluar nga baballarët e këtij kombi shekuj më parë — asnjë individ përfshirë edhe presidentin amerikan, nuk mund të bëhen diktatorë. Presidenti kontrollohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve dhe megjithëse janë nën kontrollin e republikanëve, siç ishim dëshmitarë edhe gjatë fushatës, as republikanët nuk janë të gatëshëm të ndjekin sy mbyllur politikën e Donald Trump-it. Kështu vepron sistemi politik amerikan. Nuk është as një person, madje qoftë ai edhe presidenti, as një degë e vetme e qeverisë që i bën gjërat në kokë të vet. Por mënyra se si vepron gjithashtu sistemi amerikan, historikisht, është një dëshmi se ata që sot janë të kënaqur me fituesin, do të zemërohen eventualisht kur të shohin se disa prej premtimeve të bëra gjatë fushatës nuk do të zbatohen dhe kështu fillojnë të balancohen edhe politikat.
Në këtë situatë të re politike amerikane, përsa u përket marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe botës shqiptare në përgjithsi, përfshirë diasporën do të kisha një këshillë: ne si shqiptaro-amerikan jemi anëtar të njërës ose tjetrës parti, demokratë ose republikanë apo të pavarur politikisht. Si të tillë kemi të drejtën e votës dhe bazuar në ndërgjegjen tonë jam i bindur se kemi hedhur votën tonë për kandidatët ose kandidatet e partisë tonë të preferuar në nivel kombëtar, shtetëror ose vendor. Ky është një privilegj dhe nder i veçantë për të gjithë ne si individë që jetojmë në Shtetet e Bashkuara dhe si të tillë duhet ta trajtojmë. Jo vetëm si komunitet shqiptaro-amerikan në terësi, por edhe si udhëheqës të shqiptarëve kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tona në Ballkanin Perëndimor, nuk është një gjë e mençur për interesat kombëtare shqiptare dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithsi si komb shqiptar të tregohemi haptas për një kandidat, ose për një parti. Është me rëndësi, për të gjithë ata që u japin rëndësi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që kombi shqiptar të ruaj balancin e ndërtuar për shumë kohësh tani në marrëdhëniet e tij me dy partitë kryesore politike amerikane si dhe me përfaqsuesit e tyre qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe sidomos në Kongres. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pa marrë parsyshë fituesit dhe humbësit në zgjedhjet amerikane – duhet të jenë dhe të kultivohen si marrëdhënie afatgjata të interesit të përbashkët, por më shumë në interesin e shqiptarëve, midis dy kombeve dhe jo si lidhje të përkohshme midis individëve dhe partive. Mos të luhet me këto marrëdhënie për interesa personale. Kombi shqiptar ka nevojë për Shtetet e Bashkuara!