2 Shkurt 2025

Një dorëshkrim i famshëm i mesjetës që frymëzoi një kështjellë të Walt Disney, por që nuk është parë nga publiku dhe studiuesit për më shumë se 40 vjet, do të shfaqet në Francë këtë verë.

Faqet nga Les Tres Riches Heures (Orët shumë të pasura) – një libër lutjesh i dekoruar me hollësi nga shekulli i 15-të – do të ekspozohen në Château de Chantilly, në veri të Parisit, pas një restaurimi të kushtueshëm. Nuk është parë, as nga historianët dhe akademikët, që nga vitet 1980.

I porositur nga John, duka i Berrit, vëllai i mbretit Charles V të Francës, dorëshkrimi me 416 faqe është një “libër i orëve”, që regjistron lutjet që duhen thënë në çdo orë kanonike të ditës, së bashku me një kalendar festash kishtare dhe ditët e shenjtorëve.

Ai përmban 131 miniaturë komplekse, 300 shkronja të mëdha të dekoruara dhe dekorime kufitare të krijuara nga pigmente të shtrenjta ari, në faqet delikate të velinës së lëkurës së viçit. Shumë imazhe janë paraqitje të fshatarëve që bejnë bujqësi dhe fisnikëve të veshur mirë në ndërtesa elegante, si dhe skena tradicionale fetare.

Image

Libri u krijua nga tre vëllezër holandezë, Paul, Johan dhe Herman Limbourg, të cilët punuan në atë që tani njihet si stili gotik ndërkombëtar, që filloi në Burgundi dhe Italinë veriore dhe u përhap në Evropën Perëndimore, dhe konsiderohet vepra e tyre më e madhe.

Kur vëllezërit dhe duka vdiqën të gjithë më 1416 – ndoshta nga Vdekja e Zezë – dorëshkrimi, i papërfunduar dhe i palidhur, i kaloi kushëririt të Berrit, dukës së Anzhuit. Menjëherë pas kësaj, artistë të tjerë, që mendohet se përfshinte holandezin Barthélemy d’Eyck, i njohur si “mjeshtri i hijeve”, i cili ishte gjithashtu i vendosur në Burgundi, punuan për librin.

Për më shumë se 40 vjet pas vdekjes së Berry-t, vendndodhja e saktë e Les Très Riches Heures mbeti një mister deri në vitin 1485, kur u ble nga Charles, duka i Savojës, i cili porositi piktorin dhe iluminatorin francez Jean Colombe, për të përfunduar veprën. Pas vdekjes së Savojës, pesë vjet më vonë, vepra kaloi në duart e disa personaliteteve dhe familjeve fisnike në vendet e ulëta (Holandë), në Francë dhe Itali. Më 1856, ajo u rishfaq në Twickenham në shtëpinë e Henrit, dukës së Aumale, djalit të mbretit Louis-Philippe, i cili kishte jetuar në mërgim në MB.

Kur Aumale u kthye në Francë më 1877, ai instaloi koleksionin e tij të artit dhe librin në Château de Chantilly, shtëpinë e tij, ku ka mbetur që atëherë. Muzeu Condé, i krijuar në pronë për të strehuar veprat, ka qenë i hapur për publikun që nga viti 1898, por Les Très Riches Heures është shfaqur rrallë dhe nuk është huazuar kurrë.

Libri mbeti kryesisht i panjohur deri në fund të shekujve 19 dhe 20, kur fotografitë e tij u bënë referencë për mesjetën në imagjinatën e publikut. Kështjella e Bukuroshes së Fjetur në Disneyland Paris, u frymëzua pjesërisht nga imazhet e kështjellave nga Les Très Riches Heures.

Image

“Kur njerëzit mendojnë për mesjetën, këto janë imazhet që shohin”, tha Mathieu Deldicque, drejtor i muzeut Condé.

Ai tha se ekspozita do të prezantojë gjithashtu libra nga koleksioni i Dukës së Berrit për herë të parë që nga shekulli i 15-të. Berry, i njohur si John the Magnificent, motoja e të cilit ishte ” Le Temps venra ” (Koha do të vijë), ishte një nga patronët më të mëdhenj të artit të Francës mesjetare dhe mblodhi dorëshkrime të ndriçuara.

Deldicque tha se restaurimi i Les Très Riches Heures do të përfundojë, pasi ekspozita të mbyllet dhe dorëshkrimi të kthehet në arkivin e muzeut.

“Është shumë e brishtë dhe e rrezikuar nga dëmtimi nga drita për të qenë në ekspozim të përhershëm,” tha ai. “Prandaj kjo ekspozitë do të jetë unike. Të gjithë e dinë për këtë libër – por askush nuk e ka parë atë.”/ The Guardian.