Dorëzimi i “çelësave” të MEPJ te Gent Cakaj, ‘shpërthen’ ashpër Vetëvendosje. –
Dorëzimi i “çelësave” të MEPJ te Gent Cakaj, ‘shpërthen’ ashpër Vetëvendosje. –
Pa mbushur ende 24 orë nga betimi në Presidencë si ministër i Jashtëm, Edi Rama i hodhi sërish “benzinë zjarrit” të debatit me Kreun e Shtetit, Ilir Meta, me ngërçin që besohej se u zgjidh pasi kryeministri pranoi të merrte drejtimin e diplomacisë shqiptare pas refuzimit të dekretit për Gent Cakaj.
Por, Rama tregoi se “lufta” me Metën do të vazhdojë dhe kjo jo vetëm në Gjykatën Kushtetuese, ku PS do të padisë Presidentin, por edhe në diplomaci, pasi pavarësisht vullnetit të Metës për të mos i besuar “çelësat” e MEPJ-së, Gent Cakaj, kryeministri i delegoi këtij të fundit kompetencat e ministrit.
Kjo lëvizje e Ramës përveç reagimeve të shumta kundër që prodhoi në mjedisin politik në Shqipëri, ka bërë që të ngrihen tonet edhe në Kosovë, aty ku aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi në një postim në Facebook thotë se është Baton Haxhiu ai që po përcakton politikën e jashtëm të Shqipërisë me këmbënguljen e Ramës.
POSTIMI NË FACEBOOK:
Simpatizantët e Partisë Socialiste duhet të mos jenë të verbër. Le të lexojnë në internet shkrimet e Batonit kundër Ramës dhe kundër PS, para vitit 2013. Baton Haxhiu është mik i të gjithëve, dhe siç tregon vetë ka patur miqësi edhe me Berishën edhe me Metën, por siç dallohet qartësisht, ai është mik më i ngushtë me pushtetin, cilido që e mban atë pushtet.
Tash e ka Rama pushtetin, ndaj Baton Haxhiu është bërë konfidanti më i madh i Ramës, shkon në takimet e nivelit të lartë bashkë me Ramën, i sugjeron dhe i përcakton këshilltarë, ministra e zv.ministra, dhe sigurisht e ndikon për qëndrime politike.
Përse Baton Haxhiu kështu? Përse kaq lart dhe me ndikim?
Se është i mençur? Se është i pasur? Se ka një media?
Jo, ka dhe më të pasur, dhe më të mençur, dhe pronarë mediash e gazetarë me më shumë ndikim.
Baton Haxhiu nuk ka hezituar ta shajë Erion Braçen kur ky i fundit ka kërkuar të merren masa ndaj miellit të dëmshëm që oligarkët e korporatës Devolli e sillnin prej Serbisë në Shqipëri.
E pikërisht ky Baton, që ka pranuar vetë lidhjet e tij me shefin e inteligjencës serbe gjatë luftës, Jovica Stanisiç-in, si dhe me drejtuesin e UDB-së për Kosovën, Zoran Stijoviç-it (i cili e përmend shërbimin e Batonit në librin e vet), ky Baton që gjatë luftës e shpalli veten të vrarë për të shpëtuar, ky Baton të cilit Veton Surroi i ka kushtuar librin ‘Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit’, për të ekspozuar tre breza spiunësh në familjen e Batonit, ky Baton që kundërshtonte Ramën kur Berisha ishte në pushtet, dhe kundërshtonte Braçen kur ky kritikonte importin e miellit helmues nga Serbia, pra ky Baton i qartë e krejtësisht i lexueshëm, sot e përcakton politikën e jashtme të Shqipërisë me ndihmën këmbëngulëse të Ramës.
Edhe kur? Sot kur kufijtë në Ballkan janë më të paqëndrueshëm se kurrë.
Gazeta Shqip