Doshi-Dako-Rakipi: – Treshja e “non-gratave” që hapën rubinetin e votave për mandatin e tretë të Edi Ramës
Doshi-Dako-Rakipi: – Treshja e “non-gratave” që hapën rubinetin e votave për mandatin e tretë të Edi Ramës
– 12.04.22
Me këtë frazë standard, Edi Rama i lan duart si Ponc Pilati sa herë që të zgjedhurit e tij akuzohen për afera e korrupsion. Këtë përgjigje dha kur u arrestua Alqi Bllako e më herët, Lefter Koka.
Ky qëndrim i Ramës është pjesërisht i vërtetë. Përgjegjësia penale vërtet është personale. Por, përgjegjësia politike nuk është e tillë.
Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku u votua në 6 bashki, dy politikanë të shpallur “non-grata” u përfshinë direkt në fushatë elektorale. Vangjush Dako dhe Tom Doshi u fotografuan dhe u filmuan duke bërë fushatë e kërkuar vota për kandidatët e Partisë Socialiste.
Kjo nuk është më përgjegjësi personale. Kjo është përgjegjësi politike e atyre që i kanë angazhuar Dakon e Doshin në fushatë. Ky është gabim, në mos “faj” i Edi Ramës dhe i lidershipit të Partisë Socialiste.
Ish-deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara dje si njeri “i lidhur ngushtë me një grup të krimit të organizuar brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit”.
“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit.
Pra, një ndërthurje e hapur e politikës me paligjshmërinë.
Pse Edi Rama ka mbajtur afër njerëz që më pas shpallen “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Ka vetëm një përgjigje: Pushteti!
Dako, Doshi apo Rakipi janë njerëz me influencë në qytetet ku banojnë apo zhvillojnë aktivitetet e tyre. Kjo influencë përkthehet në vota. Për vota e pushtet, Rama ka dhënë prova se mund të lidhë aleancë edhe me njërin prej njerëzve me të sulmuar dhe akuzuar prej tij, Ilir Metën.
Aqif Rakipi në mënyrë indirekte i ka dhënë rreth 30 mijë vota qeverisjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Këto vota mund të kenë rezultuar vendimtare në fitimin e mandatit të tretë të Edi Ramës si kryeministër. Djali i Rakipit, Ornaldo Rakipi u zgjodh deputet me rreth 16 mijë vota në Tiranë, ndërkohë që i afërmi i Rakipit, Saimir Hasalla mori mbi 11.500 vota në Elbasan.
Partia Socialdemokrate e Tom Doshit fitoi 3 mandate, pavarësisht se kryetari i partisë, vetë Doshi vendosi të japë dorëheqjen nga mandati 1 ditë pas zgjedhjeve, më 26 prill 2021.
Kontributi i Vangjush Dakos është i pamatshëm, por duke qenë se ai është zgjedhur 3 herë kryetar bashkie në Durrës, influenca e tij përkthyer në vota, është e konsiderueshme.
“Asgjë personale, vetëm biznes”, do të thoshte hipotetikisht Edi Rama.
Kreu i qeverisë i përdori këta 3 politikanë, por jo vetëm këta, për të garantuar vazhdimësinë e pushtetit të tij. Sigurisht, keta të 3, por jo vetëm këta, janë shpërblyer për kontributin e tyre politik
Diku me një kontratë të shkruar, diku të pashkruar, diku me një mbyllje syri, grupi i “non-grata”-ve përreth Ramës e ka zgjeruar influencën e vet. Duke zgjeruar influencën, ka thelluar jo vetëm kontributin elektoral për Ramën, por ka rritur edhe presionin ndaj tij. Për më shumë.
Andaj, paradoksalisht shpallja “non-grata” nga SHBA e politikanëve dikur-bashkëpunëtorë të afërt, vjen si “një bekim” për Edi Ramën.
“Asgjë personale, vetëm biznes”, do të buzëqeshte ai.
Gazeta Shqiptare