“Dosja 184 në Dibër për ta mbyllur. Shkodra kontrollohet nga Tom Doshi”- Lubonja: Pse pas rastit të sotëm të ‘Porto Palermos’ çdo shqiptar duhet të ndihet i rrezikuar
“Dosja 184 në Dibër për ta mbyllur. Shkodra kontrollohet nga Tom Doshi”- Lubonja: Pse pas rastit të sotëm të ‘Porto Palermos’ çdo shqiptar duhet të ndihet i rrezikuar
21 gusht 2019
Transferimi i dosjes 184 në Dibër, për analistin e njohur Fatos Lubonja tregon se prokuroria është e kapur dhe se ajo dërgohet atje për ta mbyllur. Dosja përmban përgjime për blerjen e votave në vitin 2016, ku janë përfshirë disa deputetë socialistë dhe ish-ministri Damian Gjiknuri, si i deleguari i PS-së atje.
Duke komentuar shembjen e restorantit të Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo gjatë ditës së sotme, Lubonja thotë se çdo shqiptar duhet të ndihet i rrezikuar pas këtij momenti.
Ndërsa komenton Shkodrën, ai thotë se ky qytet kontrollohet nga Tom Doshi, ndër të paktët që i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fatos Lubonja: Parashikimi im është që duke lexuar veprimtarinë e qeverisë me Ramën në krye do të ketë një rritje të formave autoritare të paligjshme, jashtë institucionale, për të kontrolluar dhe mbajtur pushtetin.
Që do të thotë se s’ka rëndësi në kemi apo jo kryetar bashkie, ç’rëndësi ka, ne jemi, këta të tjerët nuk janë asgjë, vendosim nënkryetarin që kontrollon. Të tjerët ca me trembje, ca me para do nënshtrohen dhe do vazhdojnë të kontrollojnë dhe Shkodrën me njerëzit e Tom Doshit, si Valdrini, që u vu nga Rama më herët, në kohën kur ishte në konkurrencë me Keti Bazhdarin, si njeri që siguronte votën. Dihet, Toma është i forti i Shkodrës. Dmth këta të fortët janë si feudalët e dikurshëm.
Dikur e luanin këtë rol sekretarët e partisë që luanin këto role. Jemi kthyer në një sistem ku demokraci nuk ka. Kështu e shikoj dizenjon që e kanë projektin në kokë sepse këtë e kemi trashëguar. Me të fortët, sundo të tjerët dhe ecim përpara.
Shkodra dhe rasti i Himarës tregojnë se të dyja rastet kanë të përbashkët atë që tregojnë se çfarë respekti kanë për shtetin e së drejtës këta që kemi në pushtet dhe që thonë do bëjmë dhe Reformë në Drejtësi.
Disa thonë se ka projekte për të kapur Porto Palermon, siç është kapur Palaca, Dhërmiu nga oligarkët e Edi Ramës. E përdor dhe papritur nesër shikon një matrapik që i shkatërron pronën. Këtu vetëm shtet nuk ka. Edhe nëse nuk ka dokumente edhe nëse e ka në proces legalizimi nuk mund ta prishësh këtë për interesin tënd sepse është përtej interesit publik. Është njëlloj si te Astiri. Pse disa janë në proces legalizimi nuk ua prish dhe këtij ia prish. Edhe kur prishet, duhet ta prishësh me ligj.
Nëse ti qenke kaq i ndjeshëm ndaj njerëzve të dhunës, padrejtësive, siç ishte ky që hipi mbi makinë, se ishte i sëmurë psiqik, pse nuk tregohesh kaq i ndjeshëm ndaj një trafikanti droge që e vënë kryetar bashkie në Shkodër.
Është njëlloj kur thoshte se kush dëmton procesin zgjedhor i hiqet e drejta për të shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe del tashi që po sundon Shkodrën me Tom Doshin, që është nga të paktët që i është hequr e drejta për të shkuar në SHBA. Ky është skandal i standardit të dyfishtë. Kjo tregon se reformë në drejtësi dhe shteti i së drejtës as nëpër ëndërr nuk i shkon këtyre. Kështu është lidhja.
Rasti i Kokëdhimës
Nuk e kam parë të hyjë në mediat italiane si lajm. Një i sëmurë psiqik nuk përbën lajm, nëse nuk vret. Ky përbën lajm sa i përket imazhit për turizmin. Raste të tilla ka dhe në Itali. Imazhi në Shqipëri lidhet me trafikantët e shumë që ka vendi ynë në Itali, që kapen përditë dhe rritja e një lloj autoritarizmi, arbitraritetit të shtetit. Protestat e opozitës kanë dalë, një qeveri që udhëhiqet nga droga me këta trafikantët. Këto janë të rëndësishme, jo Kokëdhima. Nuk korrigjohet imazhi me Kokëdhimën.
Në këtë moment çdo shqiptar, pavarësisht kush është Kokëdhima, duhet të ndihet i rrezikuar, sepse sa herë i prish qejfin qeverisë, qeveria të sjell tek biznesi o tatimorët o matrapikun. Edhe në shtëpi ta sjellin po nuk u thamë ndal. I pari që nuk është në rregull me ligjin është Edi Rama dhe qeveria. E patë çfarë bëri me Bechettin. I çoi banditët e vet dhe i mbylli televizionin dhe meqë kishte akoma një drejtësi ndërkombëtare duhet të paguash 140 mln euro. Ky është shumë herë më i rrezikshëm se Kokëdhima.
Transferimi i dosjes 184 në Dibër
Është pa koment fare, është e qartë. Një prokurori krejtësisht e kapur, instrumenti shtetit, e çon në Dibër që të mbyllet çështja. Këtu lind një problem shumë i rëndësishëm lidhur me Reformën në Drejtësi, që kush ka guxim atje në Dibër ta hapë këtë dosje. A mund të kenë guxim ata kur shohin këta banditë rreth e rrotull? Prokuroria duhet të vepronte sot ndaj atyre që i shkatërruan pronën, Prokuroria duhet të vepronte ndaj Valdrin Pjetrit ku i ka pronat. Pse nuk ndërtojmë të gjithë hotele ne, ku i gjejnë këta paratë për të ndërtuar hotel me 5 yje. Ky e ka pronën aty, e vë kryetar bashkie të Shkodrës. E ka hotelin aty. Ky është skandal, turp. Është një situatë që e dinë të gjithë.
Rikthimi i protestave në shtator …
Këto duhen parë, patjetër që duhet të jetë opozita. Nëse s’do ishte opozita, do dilte kjo e Valdrin Pjetrit? Edhe sikur ta thoshim ne, nuk e thoshim dot. Duhet të ketë një opozitë, sepse është më e mbrojtur. Përtej denoncimeve, njerëzit mund ta mbështesin, por duhet të jetë më bindëse.
Duhet një projekt afatshkurtër dhe afatgjatë, afatshkurtër që lidhet me denoncimet, i kombinuar me një projekt afatgjatë për një Shqipëri ndryshe, me vizion. Në Porto Palermo lexova që do bëjë një resort Rama, ndaj ja prish këtij. Çfarë logjike ka kjo? Këta nuk kanë besim as vetë në atë që bëjnë, marrin lekët dhe ikin. Aty ka luftuar Çezar me Pompeon, se ishte një bukuri natyrore, derisa erdhët këta që e bënë një masakër. Vetëm lekë duan, nuk mendojnë as për fëmijët e tyre. Injorancë, babëzi.
Gazeta Panorama