8 Janar 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me dosjen e korrupsionit të kompanisë “5D”, ku janë përfshirë drejtues të Bashkisë së Tiranës, por ku kryebashkiaku Erion Veliaj nuk është përfshirë zyrtarisht.

Sipas Berishës, kjo tregon për një drejtësi të politizuar dhe të manipuluar nga pushteti. Ai e cilëson SPAK-un si një instrument politik në shërbim të qeverisë, duke akuzuar institucionin për copëzimin e dosjes “5D” për të shpëtuar Veliajn dhe persona të tjerë të lidhur me qeverinë.

Berisha akuzoi ministrat Arbjan Mazniku dhe Eduard Gonxhe për përfshirje të drejtpërdrejtë në këtë aferë, duke përmendur gjithashtu spekulime për lidhje me hotelin 20-katësh në Tivar, që mund të jetë i lidhur me njerëz të afërt me pushtetin. Ai kritikoi ashpër kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, duke e akuzuar se ka futur modelin e “sekserit” dhe se përdor një strategji kriminale për të copëtuar dosjet dhe për të mbrojtur organizatorët e krimeve, duke mbyllur çështjet që lidhen me qeverinë.

Berisha ngriti gjithashtu shqetësime për projektet e ndërtimit në Tiranë, duke deklaruar se janë kryer krime monstruoze duke shembur ndërtesa të ulëta për t’i zëvendësuar me kulla të larta, në favor të një elite të lidhur me pushtetin. Ai theksoi se këto veprime janë një shembull i degradimit të sistemit të drejtësisë në vend dhe një tregues i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

‘Në dosjen ‘5D’ janë dy ministra dhe vetë Erion Veliaj. Janë ministrat Mazniku i përfshirë direkt, dhe është Gonxhja. Hoteli 20-katësh i Tivarit, i cili shkon në vlerën e 70 milionë eurove, ku thuhet se është edhe i Olsi Ramës. Së fundmi, thuhet se është i çunave të Dubait, por nuk kam informacion konkret për këtë.

Përveç kësaj ata kanë kryer krime monstruoze, duke shembur pallatet 5 katëshe për të ndërtuar pallate 10-15 katëshe.

Altin Dumani përveç shndërrimit të një prokurori politik, ka futur modelin më të keq, atë të sekserit.

Këta nuk ndalen para asgjëje. Dumani ka gjetur një mekanizëm kriminal, duke i copëtuar dosjet për t;i shpëtuar krimit të organizuar dhe çfarëdo që i shkon Edi Ramës e kap dhe e mbyll çështjen.’, tha Berisha.

Gazeta Sot