Dosja e 1.2 mln eurove te Financat: – Ilir Thana tërhiqte çdo ditë deri në 1 mln lekë te rinje nga llogaria e Thesarit te Shtetit
Një ditë pas arrestimit të zyrtarëve të Ministrisë së Financave Arilnd Gjokutaj dhe Fatmir Hoxha, prokuroria ka zbardhur detaje nga dosja. Sipas hetimeve, përfituesi i parave nga buxheti i shtetit, shtetasi Ilir Thana, ka tërhequr nga banka çdo ditë, nga 1 milionë lekë, në periudhën tetor-dhjetor 2022.
Një ditë pas prangosjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin e personelit në këtë institucion, Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesit Alban Rulit, vijon zbardhja e dosjes hetimore për zyrtarët që akuzohen për “Shpërdorim detyre” , ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 1.2 mln euro.
Në dosjen hetimore, sqarohet mënyra se si qytetari nën hetim Ilir Thana, ka përfituar para të paligjshme nga Ministria e Financave.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.”, thuhet në dosje.
Thana rezulton se më datë 2 dhjetor 2015 me anë të kontratës ka shitur të njëjtin objekt për të cilin më tej ka kërkuar vënien në ekzekutim dhe është bërë vlerësimi në rreth 150.000.000 lekë. Organi procedues konstaton se funksionarë të Ministrisë së Financave kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë bërë të mundur kalimin deri në këtë moment të shumës prej 48.118.366 lekë në llogarinë e Ilir Thana dhe Shpresa Prifti. Në vitin 2015 nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16 datë 14.07.2000.
Sipas dosjes më datën 16 shtator 2022 ka dalë sërish urdhër i brendshëm, konkretisht bllokim i fondeve buxhetore në shumën 145.583.781 lekë nënshtruar nga Elmira Feto, kryetare e Degës së Therasit Tiranë. Në datën 7 tetor 2022, kreditori Ilir Thana i kërkon përmbaruesit Alban Ruli që çdo shumë që do të kreditohet, t’i dhurohet motrës së tij Shpresa Prifti.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit Ilir Thana sa vlera e objekteve të blera (magazinë dhe truall) 103.046 lekë, e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT. Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogarinë e z. Thana vlera prej 284 139 lekë me urdhër shpenzimin nr.90 datë 27.02.2015.
Në datën 29.08.2022 me nr. 4442/2 Dega e Thesarit Tiranë ka nxjerrë urdhrin e brendshëm për bllokim të fondeve buxhetore në artikullin 602 bazuar mbi urdhrin e përmbaruesit nr.7/723 datë 11.08.2022, në favor të kreditorit Ilir Thana me vlerë detyrimi 145.867.920 lekë.
Nga OraNews