Dosja e inceneratorëve: – Rama po tenton të bëjë kurban Peleshin
21 Korrik 2023
Kryetari i PD-së Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët deklaroi se Edi Rama po tenton që të shpëtojë nga përgjegjësia e aferës së inceneratorëve duke manovruar për të bërë “kurban” Niko Peleshin, që ka firmosur në kohën që ka qenë zv/ kryeministër kur djegësat filluan të marrin jetë. Për Berishën, pavarësisht se firmosi Peleshi, është Edi Rama ai që duhet të mbajë përgjegjësi ligjore.
“Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit. Kryetari i komitetit ndërministror të emergjencës civile, e ka quajtur veten Edi Rama dhe keni këtu të firmosur planimetrinë dhe lejen e ndërtimit.
Edi Rama, tani të lexojmë pak shkresën, sepse këtu Peleshi ka firmosur në një shkresë ku thotë në mungesë dhe me porosi. Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë kurrë kush pa autorizimin e tij.
Mund të jetë pesë zëvendëskryeministra, asnjëri nuk mund të firmosë nëse nuk autorizohet nga kryeministri. Autorizimi i kryeministrit për firmën mbi dokument është përgjegjësi e plotë e kryeministrit.
Dmth autorizimi që i bën kryeministri, e bën atë përgjegjës njëlloj, sikur ka firmosur vetë sepse Këshilli i Ministrave me Kushtetutë, drejtohet nga kryeministri dhe jo nga zëvendësi. Në çdo rast, kur një firmë vihet në mungesë dhe me porosi, përgjegjësia e parë është e atij që ka porositur. Se si mendon Rama të shpëtojë, duke bërë kurban Peleshin, kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka drejtësi në botë që mund ta bëjë këtë.
Peleshi është përgjegjës vetë se ka firmosur një akt të kundërligjshëm dhe çdo njeri që vepron në kundërshtim me ligjin, është përgjegjës për veprimin e tij përpara ligjit. ndaj kjo jo nuk e lehtëson Ramën, por përkundrazi bën përgjegjës Ramën dhe zëvendësin e tij, i cili mesa duket do të shkojë bashkë me të” tha Berisha.