Dosja e xhubletës drejt UNESCO-s, si dukuri në rrezik. Margariti: Vitin tjetër kthehej në një fenomen të humbur!
Dosja e xhubletës drejt UNESCO-s, si dukuri në rrezik. Margariti: Vitin tjetër kthehej në një fenomen të humbur!
Takimi “Gratë në trashëgiminë kulturore” u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Në qendër të diskutimit, studiueset edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti renditën arsyet se përse Dosja e Xhubletës do të dorëzohet në UNESCO, si dukuri në rrezik
Nga Valeria Dedaj
10 Mars 2021
“Gratë në trashëgiminë kulturore” është tema e diskutimit që bëri bashkë në Muzeun Historik Kombëtar studiueset Luljeta Dano, Elsa Ballauri, kostumografen Edlira Sulaj dhe ministren e Kulturës Elva Margariti. Gjatë këtij takimi u diskutua për përfundimin e dosjes së xhubletës nga grupi i punës ku bën pjesë dhe koleksionistja Dano dhe dorëzimi i saj, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit në UNESCO në rrezik”.
“Ngjarja e vitit është dosja që po përgëtitet për në UNESCO, si një trashëgimi në rrezik. Kemi punuar në kushte shumë të vështira. Uroj që brenda pak ditësh dosja do të përfundoj”, thotë koleksionistja edhe studiuesja Luljeta Dano.
“Është një gjë e magjishme, që ne se kemi nxjerr siç duhet. Por, nuk kemi bërë debate apo ta kemi përçuar tek të vegjlit, unë shikoj se çfarë ka bërë Luljeta, por ka nevojë për më shumë”, thotë Elsa Ballauri.
Ndërkohë, që deri më tani pjesë e dosjes për xhubletën 4000-vjeçare do të jenë dëshmitë, letrat e aprovimit edhe miratimit nga prodhuesit e saj, apo ata që e trashëgojnë. Nuk mungon edhe projekti për rivitalizimin e saj. Megjithatë, kostumografia Edlira Sualaj bën apel grupit të punës që të punohet më shumë.
“Të flasë për xhubletën kam frikë, pasi është e vështirë të hysh në të. Ne mund të nxitojmë për të bërë dosjen e UNESCO0-s, por më mirë të mos nxitojmë edhe të bëjmë gjënë e duhur”, thotë Sulaj.
Ndërsa, ministrja Margariti pohon se kjo është e vetmja mënyrë, që kjo dukuri të shpëtohet pa qenë vonë
“A kemi bërë mjaftueshëm me këtë dosje? Ndoshta jo, por e kemi vendos tek dosjet në rrezik, se është një fenomen në rrezik. Në momentin që jemi të vetëdijshëm në këtë stad që është, mendoj se do të humbitnim më shumë nëse këtë hap s’do ta merrnim tani, nga fenomen rrezik do të kthehej në një fenomen të humbur”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Grupi i punës do të dorëzojë dosjen për në UNESCO në Ministri të Kulturës brenda datës 22 mars të këtij viti. Ndërsa, përgjigjja do të jetë në muajin shtator.
Shqiptarja.com