9 Shkurt 2025

“Pamfleti” do të publikojë detaje të reja mbi veprimtarinë kriminale të Besmir Kolës. Në skenë del dhe emri i pastorit Toni Gogu…

Besmir Kola, aktualisht Drejtor i Pyjores në Bashkinë Tiranë, është në qendër të një dosjeje voluminoze që dokumenton një skandal të madh të tjetërsimit të pronave.

Kola e nisi karrierën e tij si specialist në Doganën e Rinasit dhe Tiranës, për t’u katapultuar më pas në krye të Komunës Pezë, ku arriti të bëhej milioner përmes falsifikimeve të dokumenteve dhe ushtrimit të presionit mbi banorët e zonës, duke i detyruar të shisnin pronat e tyre për shuma të vogla parash tek njerëzit e tij të afërt, përfshirë vëllezërit e tij.

Gjatë drejtimit të tij në Pezë, prona publike dhe private kaluan në emër të të afërmve të tij përmes një skeme të mirëorganizuar të manipulimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Banorët e zonës kanë denoncuar raste të shumta ku prona të trashëguara nga familjet e tyre janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, duke krijuar një situatë të pashembullt abuzimi. Skema e tjetërsimit përfshinte falsifikime masive, intimidime dhe shfrytëzim të pushtetit për përfitime personale. Indicien për këtë hetim e kemi marrë nga banorët e Pezës, të cilët kanë raportuar dhjetëra raste të tjetërsimit të pronave të tyre nga Besmir Kola dhe vëllezërit e tij, Ervin Kola dhe Festim Kola.

Një tjetër fakt i rëndësishëm është se Besmir Kola, gjatë kohës që drejtonte Komunën e Pezës, u bë pronar i një guroreje, të cilën më pas e shiti. Transaksionet e kësaj shitjeje mbeten të dyshimta dhe kërkojnë hetim të plotë dhe transparencë nga autoritetet. Së fundmi Kola është bërë pronar i një apartamenti me vlerë 300 mijë euro, në rezidencen Square 21.

Pas një sërë skandalesh, Besmir Kola u shkarkua nga detyra. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ende nuk ka një hetim të plotë mbi veprimtarinë e tij dhe rrjetin e lidhjeve që e mbrojnë. A do të ketë ndëshkim për Kolën apo do të vijojë të mbrohet nga lidhjet e tij të forta politike dhe ekonomike?

Banorët e Pezës kërkojnë drejtësi dhe hetim të plotë mbi këtë aferë. SPAK dhe Prokuroria nuk mund të mbyllin sytë përballë një skandali të tillë, që ka cënuar të drejtat pronësore të qindra qytetarëve.

Ymer Marku u dënua për tjetërsimin e 7500m2 tokë në Bërxullë. A do të veprohet njësoj edhe me Besmir Kolën?

Pamfleti do të publikojë detaje të reja mbi veprimtarinë kriminale të Besmir Kolës. Në skenë del dhe emri i pastorit Toni Gogu… / Marrë nga “Pamfleti”

Nga: Tv ora