30 Shtator 2024
Dosja “Toyota Yaris” merr në pyetje prokurorë të SPAK dhe gjyqtarë, shërbimet inteligjente monitorojnë hetimin e kërkuar nga belgët, zbardhen detajet

Disa prokurorë dhe gjyqtarë, që janë pjesë e organikës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatës së Posaçme, mësohet të jenë marrë në pyetje lidhur me një hetim që mban Nr.26, në të cilin është arrestuar Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Ndërsa për këtë çështje 3 të tjerët biznesmeni Astrit Vladi, ish-oficerja e Krimeve të Rënda, Erjona Dautaj dhe avokati Radovan Çela, janë shpallur në kërkim. Veprimet procedurale në marrjen në pyetje të njerëzve të Drejtësisë, duke përfshirë dhe individë në prokurorinë dhe gjykatën e Tiranës, por edhe atë të Vlorës, janë duke u kryer nga prokurori i SPAK, Klodian Braho. Gjatë kësaj kohe SPAK ka kryer verifikime brenda vetes, për shkak të një serie të gjatë bisedash, të zhvilluara në “SKY” nga persona të tretë, të cilët pohojnë se kanë paguar euro tek prokurorë dhe gjyqtarë, në këmbim të zgjidhjes së problemit me drejtësinë. Krahasimi i dëshmive me bisedat e zbardhura në “SKY” dhe me prova të tjera shtesë, do të sillte prokurorin Braho të dilte në një konkluzion përfundimtar mbi kolegët dhe ish-kolegët e tij.

Ndërsa gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se ky hetim tashmë po monitorohet dhe nga shërbimet e inteligjencës, pasi dosja ka marrë spunto pikërisht nga kodet “SKY” të mbërritura në Shqipëri nga autoritet e Drejtësisë Belge. Prokurorët Belgë, zbuluan se dështimi i hetimit të dosjes “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milion euro, ka ardhur si pasojë e vendimmarrjes së gabuar dhe korrupsionit tek zyrtarët e lartë të prokurorisë dhe gjykatës në Shqipëri. Për këtë çështje në 19 Tetor 2021 Elvis Vladi është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 6 muaj burgim për akuzën e “Mosdeklarim të ardhurash në kufi”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 1 vit burg, ndërkohë në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Ceka për “armëmbajtje pa leje” me 2 vjet 4 muaj. Kurse akuzat për Alfred Vladi, Alban Mollaymeri, Eduart Cani dhe djali i tij, Klevi Cani, u pushuan nga gjyqtarja e Tiranës, Migena Laska.