Dosjet e ish-sigurimit, Gentiana Sula për VOA: – Dy partitë kryesore s’ i kanë sjellë kandidatët për verifikim
Në Shqipëri edhe pse kanë kaluar mbi 3 dekada nga rrëzimi i regjimit komunist, ndarja me të shkuarën përbën sërish një sfidë për shoqërinë. Rasti më i fundit, ai i ish-presidentit të Republikës Ilir Meta, që sipas një shkrese dërguar kuvendit nga Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, figuron në dokumentat e krijuara nga ish-sigurimi, është shembulli më flagrant, që shoqëria shqiptare ende vazhdon të përballet në mënyrë të ashpër me të shkuarën, pa mundur ta zbardhë plotësisht dhe në mënyrë të besueshme atë.
E nëse në mjaft vende ish-komuniste të bllokut të lindjes në Europë, ky proçes ka përparuar me sukses, në Shqipëri hijet e së kaluarës sipas historianëve, janë shfaqur në shumicën e rasteve si shantazh politik i njërës palë ndaj tjetrës.
Drejtuesja e Autoritetit për Informimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, i tha Zërit të Amerikës, se në vijimësi i ka kërkuar Kuvendit ndryshime ligjore që sanksionojnë detyrimin e verifikimit të çdo kandidati për detyra të larta, por dhe personave që propozohen për dekorime dhe medalje.
“Verifikimi mund të ndodhë, nga institucionet nga pushteti vendor nga partitë, por nuk është i detyrueshëm. Disa institucione i sjellin disa jo. Dy partitë kryesore nuk i kanë sjellë kandidatët për verifikim, ndërkohë që i kanë sjellë partitë e vogla, të cilat nuk janë aq prezente në parlament. Do ishte e udhës që të gjithë institucionet, partitë, dhe pushteti vendor të kalojë në filtrin tonë. Dhe propozimi ynë përmes vetëdeklarimit të kandidatëve për pushtetin vendor ose qëndror në zgjedhje të jetë i detyrueshëm. Institucioni më pas do marrë kohën e vet të bëjë verifikimin.
Ajo që vihet re është se pavarësisht motivit për të cilin ne e zbatojmë ligjin dhe zbardhim dokumentet dhe informacionet ia japim publikut, natyrisht politika kërkon ta përdorë për interesat e veta. Nga ana tjeter dhe media shpeshherë është sipërfaqësore dhe nuk shkon thellë në hulumtime. Media dhe politika na bëjnë sfidë, por ajo që bëjmë ne, zbardhja e dokumentave, është një punë që e bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne duam që publiku shqiptar të njohë të dhënat, të njohë kandidatët për detyra të larta dhe të votojë i lirë, i qetë dhe i informuar. Të votojë për njerëz që janë ta pashantazhueshëm. Duhet kuptuar që pa informacion debati për të shkuarën nuk është i plotë ”, i tha Zërit të Amerikës Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Një prej mangësive serioze që has Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas Zonjës Sula, lidhet me pengesën ligjore për të verifikuar personat që janë pajisur në të shkuarën me çertifikatë pastërtie nga dy kominsionet Mezini dhe Bezhani. Këtu bën pjesë dhe rasti i ish-presidentit Meta.
E vënë në lëvizje nga një indicie përmes një emaili, autoriteti pak kohë më parë i nisi një shkresë kuvendit, ashtu si dhe për 5 raste të tjera më herët, se ishte vënë në dijeni për ekzistencën e një dokumenti që e lidhte ish-krytarin e shtetit me ish-sigurimin e shtetit. Autoriteti sugjeronte heqjen e nenit nga ligji për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndalon verifikimin e personave të çertifikuar nga dy komisionet e mëparshme. Verfikimi i para 20 viteve me atë tani, sipas kryetares së autoritetit Gentiana Sula, është më i saktë për shkak të një arkive më të plotë, si dhe mundësisë së një hulmutimi më të thellë si pasojë e modernizimit të saj.
“Ne kemi patur dyshimet tona, administruam të gjithë arkivin e tyre. Praktikat që kanë sjellë në këto vendime ne i kemi marrë diku të paplota, diku pa firmë, pa vulë, pa relacione të hollësishme.
Komisionet Mezini dhe Bezhani thjesht kanë bërë verifikimin përmes institucioneve të tjera, në atë kohë i ka bërë SHIK-u dhe Minstria e Brendshme verifikimet, ndërsa në rastin tonë arkiva është e gjitha këtu dhe kjo krijon një mjet të rëndësishëm për besimin, pasi jep instrumentin këtu në dorë.
Ndërkohë deri dje thuhej “ka dosje individi” dhe përmendej fjala dosje me një emër e kujt është dosja, ndërsa sot objektivi ynë është që përmes dosjes të shkohet tek dokumentet që ka brenda në dosje dhe përtej saj të shkohet tek dhënat që prodhohen brenda në dokument. Pra pa e disponuar arkivën nuk e bën dot këtë analizë. Ne kemi dhe arkivën por dhe stafin e specializuar, gjë që i ka munguar dy komisioneve të mëparshme”, thotë Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ish-Presidenti Ilir Meta ka hedhur poshtë çdo mundësi të përfshirjes së tij me sigurimin e shtetit dhe ka njoftuar se do të padisë Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, për shkelje të rënda dhe të qëllimshme të ligjit, siç thotë ai, në shërbim të shantazhit politik për llogari të kryeministrit Edi Rama.
Nga OraNews