Draft-propozimi asociacionit për Kosovën, shpërthen me tone të ashpra Konjufca: – Rama gaboi, veprim i njëanshëm
10 Qershor 2023
Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka propozuar një draft për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Konjufca e ka cilësuar të gabuar veprimin e kryeministri Edi Rama, pasi tha se nuk duhet të ndërmerrte një hap të tillë pa u konsultuar paraprakisht me kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. I pyetur nëse kanë kërkuar nga Rama që ta kenë draftin e Asociacionit, Konjufca tha jo, pasi që nuk kanë interes.
“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasë efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm”, tha ai.
Gazeta Sot