Draft-statuti i Ramës për asociacionin, Neritan Ceka: – Nëse nuk është konsultuar me Albin Kurtin, është gabim i kryeministrit shqiptar
8 Korrik 2023
Historiani Neritan Ceka është shprehur se nëse kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për draft-statutin për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Veri, ka bërë gabim.
Komentet Ceka i bëri në emisionin “Kjo Javë” në News24, ku foli për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Nëse Rama nuk ka pasur kontakt me Kurtin është një gabim, kanalet diplomatike kanë qenë të hapura. Ndaj minimumi është konsultimi diplomatik. Kufiri jonë, kufiri i Shqipërisë nuk është në Kukës, është në Mitrovicë dhe çdo turbullirë që krijohet në Mitrovicë bie shi, ose breshër në Tiranë. Aty po përgatitet Republika Sërbska numër dy. Shqipëria duhet të dilte me një vendim”, tha ai.
Ai gjithashtu e quajti emocional vendimin e Kurtit për të mos u takuar me Ramën në Prishtinë.
“Secili shtet ka dinjitetin e tij dhe nuk mund të bashkërendohen. Mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka çështje ku nuk bien dakord, besoj që pjesa më e madhe e çështjeve janë të zgjidhura. Çështja që po flitet i takon të gjithë Ballkanit dhe Shqipëria ka marrë një rol drejtues”, u shpreh ai.
Ai shtoi gjithashtu se tani vëmendja mes dy vendeve duhet të përqëndrohet te procesi i Berlinit, ndërsa për nismën “Open Balkan”, ai tha se kjo nismë ishte më shumë në formën e dialogut, dhe një paralele e procesit të Berlinit. Sipas tij ka qenë Serbia që e ka konceptuar si mbivendosje, por për politikën e jashtme shqiptare ka qenë një paralele.
“Këta janë parti politike, kjo situatë është e përkohshme dhe tashmë është mirë të shihet Procesi i Berlinit. Unë mendoj që Rama bëri mirë, që e bëri nismën ‘Open Balkan’, pavarësisht se si shkoi”, shtoi ai.
Gazeta Sot