Drafti i Ramës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës, Ngjela: – Skandal, Franca ka qenë gjithmonë kundër territoreve tona
10 Qreshor 2023
Avokati Spartak Ngjela ka komentuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe në Veri. Gjatë një prononcimi për mediat, Ngjela e cilësoi dje dorëzimin e draft-statutit në Gjermani dhe Francë si një skandal historik të Tiranës zyrtare.
Avokati theksoi se shteti i Francës nuk ka punë me territoret shqiptare, pasi gjatë historisë ka qenë faktor kyç për lënien jashtë të territoreve të Shqipërisë. Ngjela deklaroi se Kosova duhet të ndjekë vetëm politikën amerikane dhe Uashingtonin. “Ishte një skandal historik i Tiranës.
Ç’punë ka Franca me territorin shqiptar? E di kryeministri Rama që Franca në vitin 1912 ka qenë autori kryesor që shqiptarët humbën 2/3 e territorit, i mori Serbia me Greqinë edhe Mali i Zi.
Franca është shtet që gjithmonë ka qenë kundër territorit të gjerë të Republikës së Shqipërisë. As presim gjë fare nga ata, ne jemi nën suzerenitet amerikan. Politika amerikane na dha një shtet, atë që na i kishte marrë politika franceze. Ata prapë lëvizin me këto gjëra, kanë gjetur Ramën tani. Rama të kthehet në Shqipëri, t’i lejë në punët e vetë kundërshtarët e Shqipërisë. Hajdeni në Shqipëri dhe bashkojuni me politikën amerikane. Vetëm politika amerikane i ka njohur zgjedhjet në Veri”, deklaroi Ngjela.
Ndërkokë edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar zyrtarisht mbi propozimin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me qeverinë e Kosovës për draft-statutin. E pyetur nëse ka interes qeveria e Kosovës për të parë draft-statutin, Kusari Lila tha se ata s’kanë nevojë për shpëtimtarë të vetëofruar, por për një draft që do të ketë në fokus drejtimin e shtetit dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë.
Gazeta Sot