Drejtori i Policisë së Kosovës: – Grupe kriminale serbe po përgatiten për tjetër sulm në veri
28 Mars 2024
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se kanë informacione në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë. Por sipas Hoxhës, Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase.
“Mund të jenë grupe të ngjashme sikurse grupi i Banjskës, ndoshta me numër më të vogël se ata, por që ata mund të jenë më të përgatitur profesionalisht, mund të jenë ekspert të fushave të caktuara që mund ta godasin policinë e Kosovës për interesat e tyre në veri të vendit. A do të ketë ndonjë invazion, agresion nga Serbia në territor të Kosovës, kjo është çështje që duhet të diskutohet në nivele tjera. Mirëpo ne si polici i kemi kapacitet tona, të përgatitura profesionale për tu ballafaqu me çfarëdo sulmi të këtyre grupeve kriminale. Ndërsa për pjesë të tjera është përgjegjësi e KFOR-it, FSK-së normalisht edhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha, për RTK.
Drejtori i Policisë ka folur edhe për lëvizjet e mjeteve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, duke deklaruar se ushtria serbe po u hap rrugë dhe shtigje terroristëve që synojnë destabilizimin e vendit.
“Këto janë tentativa të Serbisë që të tregojë se është afër kufijve të Kosovës. Ka qenë një prezencë e ushtrisë serbe gjatë javës që shkoi. Janë informacione dhe pamje të siguruara nga institucione të sigurisë së Kosovës që punojnë rreth kufirit. Ne e kemi alarmu KFOR-in dhe kemi qenë në kontakt me KFOR-in rreth kësaj prezence dhe po ashtu gjatë javëve të fundit ne kemi qenë në përgatitje maksimale sa i përket mundësisë së lëvizjes së depërtimit të qoftë forcave kriminale, qoftë ndonjë veprimi diversant të ndonjë grupi të caktuar nga institucione të sigurisë së Serbisë”, tha drejtori Hoxha.
Ai gjithashtu informoi se makineritë serbe të ushtrisë shpesh herë po punojnë rreth kufijve të Kosovës, duke riparuar ose hapur rrugë e që sipas tij kjo ndodh për të krijuar mundësi që grupet si ai i “Banjskës” të depërtojnë më lehtë.
“Është një kërcënim por që ne po vazhdojmë ta monitorojmë dhe jemi të gatshëm të i dalim ballë”, deklaroi Hoxha.
Gazeta Dita