Dritan Çoku

14 Prill 2023

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

Duke ia ditur aftësitë, vullnetin dhe këmbënguljen e rrallë qysh te librat e mëparshëm kushtuar Kullave të Sahatit të qyteteve tona, e prisja të shkruarit plot kompetencë dhe skrupulozitet shkencor të librit – album nga ana e  arkeologut dhe historianit Dritan Çoku “Berati – pasuria ndërtimore e kulturore e trashëguar në shekuj”. Dhe nuk u zhgënjeva aspak teksa e lexova atë; përkundrazi u ndieva akoma më shumë krenar për faktin që kisha lindur në këtë qytet. Në këtë qytet, ku sikurse thotë vetë autori: “Arkitektja natyrë e ka zbukuruar … me shumë ëmbëlsi dhe historia e ka pajisur aq bujarisht me vlera historiko – kulturore të çdo gjinie e të çdo periudhe”.

Viktor Hygoi, ndofta më saktë se kushdo tjetër e ka përcaktuar historinë si “… një jehonë e së kaluarës në të ardhmen; një pasqyrim i së ardhmes në të shkuarën”. E ku më mirë se tek objektet ndërtimore e kulturore apo ato të kultit, do ta gjejmë historinë tonë ne shqiptarët? Këtë të vërtetë e ka kuptuar më së miri Dritani, tek i cili veç vlerave të tjera, dallon ajo e atdhetarisë. Se duhet ta duash shumë vendin tënd e qytetin tënd, njerëzit në përgjithësi që t`i futesh një ndërmarrjeje të tillë që kërkon kaq mund e sakrifica, ku nuk mund të lë pa përmendur, nxitjen, përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer të Fondacionit “ALSAR”. Berati ka pasur nevojë për një libër të tillë, ku del sheshit dhe me themel madhështia e qytetërimit të tij ndër shekuj. Të shkosh ku të duash nëpër botë, nuk ka përse të kërkosh udhëzues e katalogë qytetesh. Mjaft të shohësh ndërtimet e trashëguara me arkitekturën e tyre autentike, kështjellat, kishat, xhamitë, rrugët, urat, ujësjellsat, shatërvanet, skulpturat, lulishtet, muzeumet e deri varrezat dhe bindesh se nga vinë, kush janë dhe ku do të shkojnë ata njerëz. Natyrisht që çdo njëra prej këtyre objekteve ka biografinë e vet, datën e krijimit, autorët, ideatorët, peripecitë e shekujve deri te triumfi. Diku pushtimi me egërsinë e luftrave të tij, diku tërmeti, diku zjarri, diku Barberinët, por ato vazhdojnë të sjellin copëza kokëforta historie, gjë që u jep hijen imponuese pa dyshime e kundërshtime. Ato e sjellin të gjallë kohën e vdekur dhe i bëjnë edhe të vdekurit të flasin e të respektohen nga brezat. Vetëm kështu historia do të kuptohet si filozofi, sikurse e perceptonte atë Volteri, dhe do të humbiste rëndësinë ajo boja e shkruarjes së historisë si paragjykim i lëngët, sipas Mark Twainit.

Ka shkruar në kujtimet e tij kronikani turk Evlia Çelebiu për Beratin, e të tjerë. Janë marrë me studime rreth këtij qyteti nga më të vjetrit edhe disa autorë shqiptarë. Por Dritan Çoku duke kombinuar tekstin e shkruar me fotografitë dhe vizatimet e ndryshme dhe të imta, me disa këndvështrime, mendoj se përveç përshkrimeve mjaft të sakta, të zgjon edhe dëshirën për t`i vizituar ato objekte, ashtu sikurse janë sot. Por edhe për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse, për më shumë kujdes në mirëmbajtjen e restaurimin e tyre. Në vazhdën e grykëkalimit të luginës së Osumit (Apsi), nuk janë pak, por tri kala, si ajo e Antipatreas (Beratit), e shekullit të IV – p.e.s. e Goricës, ku flasin ata gurët e stërmëdhenj qikllopikë e deri tek ajo më e reja, në kodrën e Biftës, e ndërtuar në vitin 1793 nga Ibrahim Pasha. Dhe për to na jepen, jo ngjarjet që mbartin muret e tyre të heshtura, por sipas qëllimit të librit, të dhënat kryesore, ku më shumë akoma flasin ilustrimet e mbledhura dhe të zgjedhura me durim e përgjegjësi të veçantë. Por nuk janë pak as 27 objekte kulti të krishterë ortodoks, nisur qysh nga mozaikët paleokristian që sipas metodës së krahasimit, duhet të jenë të të njëjtës atelie, dhe që vërtetojnë se aty ka pasur kisha – bazilikë, ato ekzistuese dhe të kthyerat në rrënojë apo që nuk kanë asnjë gjurmë si nga koha, ashtu dhe nga rrebeshet e çmenduaria e saj. Të gjitha me emra shenjtorësh, dhe po të nisesh nga harta e shpërndarjes së tyre, e punuar nga vetë autori, kupton se kanë pasur si qëllim të shkojnë ato te besimtari. Gjithsesi të bën përshtypje përfshirja e tyre brenda territorit prej 13.4 ha të kalasë, pas zgjerimit të saj.

Natyrisht që periudha e sundimit të perandorisë bizantine ka pasur ndikimin e vet në arkitekturën dhe arredimin e këtyre kishave dhe kishëzave. Ato shpesh kanë synuar faqet e thepisura shkëmbore, dhe brenda tyre janë zbukuruar me ikonostase, rozeta, mbishkrime dhe piktura murale me fytyra shenjtorësh, ku dallon i famshmi Onufri dhe i biri Nikolla, si fjala vjen tek ajo e Shën Theodhorit. Po ashtu, mund të shprehemi edhe për objektet muslimane të kultit që në këtë qytet kanë qenë të shumta, gjatë periudhës së pushtimit turk, duke filluar qysh nga koha e sulltan Bajazitit II – të (1447- 1512), që e kishte nënën, bijë të një tregtari nga Shqipëria. Si Sami Frashëri, ashtu edhe Eqerem bej Vlora, e deri te vizitori i viteve 20 Franz Babinger, arrijnë gati në të njëjtin mendim, se në Berat ka pasur dhjetë xhami, dymbëdhjetë të vogla pa minare, një medrese, një shkollë plotore, disa fillore e shumë teqe. Aktualisht qyteti ka në funksion vetëm shtatë xhami dhe tri teqe. Kuptohet se pas shkatërrimit të tyre në vitin 1967, kanë mbetur vetëm gjysma e tyre dhe kjo në raport me atë që u bë në qytetet e tjera, ishte për Beratin, monument kulture,  një farë privilegji.

Edhe restaurimet që janë bërë, nga ana e autorit janë vënë në dukje, madje shpesh paraqiten si ishin para dhe si janë pas këtij restaurimi. Xhamitë në mjediset e brendshme janë ndofta më të thjeshta, por Dritani nuk ka harruar të paraqesë mihrabet (të kamares në mur drejtuar nga Meka) dhe minbaret (shkallëve të tribunës ku kryhet predikimi të premteve), te të cilat nuk mungon shija e hollë artistike. Ai dashje pa dashje, shpesh evokon atmosferën që fare pa llogjikë krijoi idiotësia komuniste. Si shembull mund të marrim xhaminë e Sulejman Pashës, ndërtuar qysh në vitin 1800 nga i ati, Ibrahimi, me stil tërësisht shqiptar dhe që në vitin 1961 u shpall monument kulture, kurse pas gjashtë vjetësh u kthye në zdrukthtari. Interesante janë edhe zbukurimet e teqeve, sidomos pas ringritjes, si ajo e Helvetive e ndërtuar nga valiu i Beratit qysh nga viti 1781 – 82, ku tërheq vëmendjen pamja nga mafili, tavani që të kujton qilimet e Persisë, dyert, dollapi e mihrabi. Por edhe fakti që gjatë vizitës së tij Çelebiu gjeti pesë medrese në këtë qytet, ku mësoheshin shumë dije, thotë shumë për kërkesat kulturore të banorëve të tij. Ujësjellësit, sternat për të përballuar edhe rrethimet e gjata, urat për të shkurtuar distancat, çezmat, hamamet, kullat e sahatit, varret, biblioteka, si ajo e Kurt Pashës që u dogj në 1914 me gjithë librat që i kopjonin dhe i vishnin me kapakë lëkure nxënësit dhe mjeshtrat përkatës, dyqanet në pazar që në prag të pavarësisë kombëtare arrinin deri në njëmijë, janë kapiturj e mëtejshëm të këtij libri.

Ashtu si edhe përshkrimi i banesave beratase, si një element i rëndësishëm që plotëson, sukurse shprehet autori, jep tablonë e jashtëzakonshme urbanistike të këtij qyteti. Dhe pasi na jep tre grupet e banesave beratase, mbështetur në kriterin kompozicional të tyre, Dritani sikur krenohet me të, kur na kumton se me vendim të Qeverisë të datës 2 qershor 1961, pjesa e vjetër u shpall qytet – muze dhe në vitin 2008 Komiteti i Pasurive Botërore i Kebekut e cilësoi qendrën historike “Pasuri Botërore”.

Duke ruajtur modestinë dhe duke vlerësuar punën e të tjerëve, Dritan Çoku në këtë libër aq të domosdoshëm për kulturën dhe trashëgiminë tonë, ka respektuar të gjitha referencat dhe autorësinë e fotove të bëra apo dhuruara. Madje, ai nuk ka ngurruar të cilësojë se kësaj fotoje nuk i njihet deri tani, autori. Si e përfundon së lexuari këtë libër, ashtu si pa dashje të vinë ndërmen fjalët lapidare të Fan Nolit të madh: “Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe stoli e maleve të larta dhe të qiellit”. Ashtu siç duhet të jetë ndierë edhe miku ynë me petk shkencëtari, Dritan Çoku, teksa e shkruante këtë libër që do të mbetet një tjetër nderim i madh për atë qytet me të cilin krenohet i gjithë Atdheu ynë.