Dritëhijet e inceneratorit në Elbasan, fitoi 21.6 mln euro, do shesë dhe energjinë
Dritëhijet e inceneratorit në Elbasan, fitoi 21.6 mln euro, do shesë dhe energjinë
07/11/2020
Kompania koncesionare “Albtek Energy”, e cila e ka fituar kontratën për ndërtimin e incineratorit të Elbasanit vetëm pak muaj pasi u krijua, duket se ka arritur edhe të ndryshojë kontratën në favor të saj.
Marrëveshja me vlerë 21.6 milionë euro fillimisht ishte me një afat 7 vjeçar, ashtu si dhe paraqitet në dokumentin e 16 dhjetorit të vitit 2014.
Por subjekti nën administrimin dhe pronësinë e Stela Gugallja vetëm 2 vitë më pas në 9 nëntor 2016 arrin të shtyjë afatin në 25 vjet.
Madje, këtë herë subjekti fiton të drejtën që të përfitojë pothuajse të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbetjeve dhe vetëm 2% do i kthehet Ministrisë së Energjisë.
Në fakt, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit kontrata e koncesionit të incineratorit në Elbasan është regjistruar në sistemin informatik financiar të qeverisë pesë vite me vonesë.
Madje më tej KLSH evidenton se ka një mospërputhje mes vlerës së raportuar nga Ministria e Financave dhe asaj të rezultuar nga auditimi.
“Përgjatë vitit nuk ka pasur ndryshime të planit për këtë projekt investimi dhe pagesat faktike sipas databazës së thesarit raportohen në shumën 582 milionlekë me 12 këste përgjatë muajve. Kjo vlerë që rezulton nga auditimi nuk përputhet me vlerën e raportuar nga MFE në raportin e zbatimit të buxhetit ku raportohet vlera faktike e paguar prej 631 milion lekë.”
Kontrolli i Lartë i Shtetit përmend gjithashtu faktin se kohëzgjatja e parashikuar e kësaj kontrate është 7 vjet ndërkohë që me vendimin e dytë ajo është ndryshuar në 25.
Ora news