Drogë e telefona me dron në burgun e Peqinit. – Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë
13 Shtator 2024
Burime jo zyrtare kanë bërë m dije se kamerat e sigurisë së IEDP Peqin kanë fiksuar gjatë kësaj jave pamje të një droni që fluturonte shumë pranë këtij institucioni.
Sektori i sigurisë së Burgut të Peqinit sapo ka konstatuar fluturimin e dronit afër rrethimit, ka njoftuar policinë për marrjen e masave, pasi droni dyshohej se kryente fluturim me qëllim futjen në hapësirën ku ndodhen godinat e IEDP Peqin në afërsi të kalçetos.
Nga kontrollet e imtësishëm të bëra në ambientet rreth godinave dhe në terrenet sportive, në fushën e kalçetos në IEDP Peqin janë gjetur 2 Iphone, 8 fisha karikuesi, 33 doza të dyshuara lëndë narkotike kokainë, rreth 210 gram e ndarë në doza të vogla lëndë e dyshuar kanabis sativa.
Në harkun kohor të pak ditëve janë evidentuar të paktën dy raste të fluturimit të dronëve rreth burgjeve shqiptare.
Lidhur me rastin e fundit ende nuk ka një reagim zyrtar për këtë ngjarje, ndërsa është kaluar në gatishmëri në të gjitha IEDP .
Kujtojmë se më 8 shtator një tjetër dron u pikas në burgun e Burrelit.