“Dua 25 shkarkime për ‘Aktivistin’ nga ty”, si kërcënohen punonjësit e administratës: – Po s’bëre ‘share’ postimet e Ramës…
4 Shkurt 2023
Nga Gazeta Shqiptare
-Sa veta ke ti?
– 25
-Dua 25 shkarkime të aplikacionit
– Po ç’është kjo? Si mund t’i detyroj njerëzit?
-Nuk është për diskutim kjo!”
Kjo bisedë është zhvilluar brenda zyrës së një drejtori në një ministri në kryeqytet, ku nuk bëhej fjalë për shkarkime të aplikacioneve të qeverisë, por për atë të “Aktiv1stit” të Partisë Socialiste, nga ku burojnë like-t, share-t dhe numrat e mëdhenj të shikuesve të videove live në mediat sociale të ministrave kryesorë të qeverisë dhe kryeministrit, të cilët sipas dëshmive të siguruara, janë shumica nga punonjës të administratës publike.
“Diskutimi kryesor korridoreve është: sa pikë ke ti?”, – thotë një zyrtar në një ministri në kushtet e anonimatit. Gjatë bisedës me të, ai shpjegon se si funksionon ky aplikacion.
“Çdo institucion ka 4 deri në 5 veta, të cilët janë përgjegjës për aplikacionin, shkarkimet e tij, ndjekjen e aktivizmit politik etj. Janë të emëruar politikë domethënë”, – tregon ai duke shtuar se në institucionet qendrore dhe vendore kryhen mbledhje të rregullta për të ndjekur mbarëvajtjen e aplikacionit dhe përdoruesit e tij.
“Nuk e kuptoj se pse është kjo dhunë, dhunë ndaj njerëzve në 2023. Duan numra, nuk u intereson mendimi”, – vazhdon rrëfimin zyrtari duke pohuar se në institucione është përhapur paniku i pasigurisë së vendit të punës. “Nuk është puna për të cilën vlerësohesh, por aktivisti”.
Nisur nga kjo bisedë, nëpërmjet një verifikimi në Google Play Store rezultoi se ky aplikacion kishte më shumë se dhjetë mijë shkarkime, ndërkohë në App Store të Apple është e pamundur gjetja e numrit të shkarkimeve, por popullariteti i këtij aplikacioni kap shifra tejet të larta, duke u renditur si rrjeti social i gjashtë më i shkarkuar në Shqipëri.
Ajo çfarë është e përbashkët, në të dyja platformat e ndryshme, janë komentet të cilat e cilësojnë këtë aplikacion si një mjet propagande dhe ushtrim presioni ndaj administratës publike.
“Ky app është duke u përdorur nga qeveria për propagandë. Dhe nuk ndalon vetëm aty: Është duke shkelur çdo të drejtë të punonjësve dhe duke mbledhur të dhëna personale”, – thuhet në njërin prej komenteve në platformën Google Play Store, ku ndër të tjera theksohet se ky aplikacion është duke u përdorur nga Partia Socialiste, e cila është edhe partia qeverisëse në Shqipëri, për të detyruar të gjithë punonjësit e administratës shtetërore për ta shkarkuar dhe për të shpërndarë propagandën e qeverisë.
“Duhet t’i bësh like, koment dhe share në facebook etj, posteve të Kryeministrit, partisë etj. Nëse dikush nuk pranon të marrë pjesë në këtë aplikacion, kam frikë se shantazhohet dhe madje pushohet nga puna”, – shkruhet në komentin e qytetarit E. Gjergji.
Nga ana tjetër, as në platformën App Store nuk kanë munguar komentet e ngjashme ku njëri prej tyre thekson se ky aplikacion përdoret nga qeveria, e cila detyron nënpunësit për ta marë pjesë në propagandën politike të PS.
Si funksionon “Akvtiv1sti” i Partisë Socialiste?
“Për punët e brendshme të Partisë Socialiste”, – është përgjigja që Zyra e Komunikimit të PS i dha ACQJ-së, mbi pyetjen se cila ishte arsyeja e krijimit të këtij aplikacioni.
Megjithatë, aplikacioni është në dispozicion të publikut të gjerë, jo vetëm stafit dhe simpatizantëve të PS. Për të hapur një llogari në aplikacionin “Aktiv1sti” përdoruesve iu duhet fillimisht të japin disa informacione personale si: emri, mbiemri, email, bashkia ku jeton dhe një numër telefoni. Pas krijimit të llogarisë, për ta konfirmuar dërgohet një link në e-mail-in e dhënë për të realizuar konfirmimin e llogarisë, në të cilin të vjen një kod 6 shifror.
Megjithatë, ky verifikim sipërfaqësor, sipas burimeve pranë administratës është vetëm një verifikim fillestar, dhe përtej tij, persona të dedikuar në dikastere shtetërore kryejnë dhe një verifikim në person nëse personat që e shkarkojnë dhe e përdorin atë, janë apo jo punonjës në administratë.
Në përgjigjen e saj, PS shprehet se aplikacioni i dedikohet një targetgrupi brenda partisë, dhe ka si qëllim “komunikimin shumë më të shpejtë brenda familjes së tyre politike”. Megjithatë, ky aplikacion kërkon dhe mbledh të dhëna personale të cilat prekin një numër shumë herë më të madh të popullsisë, se sa vetëm familja socialiste.
Zyrtarisht, ky aplikacion, sipas përshkrimit të dhënë në App Store është “një platformë e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila i jep mundësi çdo personi që ka ide dhe dëshirë të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij, si dhe të jetë një faktor aktiv në komunitetin ku jeton”.
Por, në të gjenden vetëm katër nisma. “Promovo Agroturizmin e qytetit tënd”, nismë që shtrihet në të gjithë hapësirën territoriale të vendit, “Dhuro një libër, pasuro bibliotekën”, nismë për qytetin e Laçit, “Marko Dixhitalizo” dhe “Shkolla jo fortesa”. Ajo që bie në sy është fakti që këto nisma, përveç një fotoje, një titulli dhe disa rreshta tekst, nuk kanë asnjë informacion se si mund të mbështet ndryshe përveç klikimit të butonit “Mbështet”.
Në momentin që e hap llogarinë tënde në këtë aplikacion, poshtë emrit të profilit shfaqet një menu e gjerë me aktivitete dhe opsione, si Social, Lajm, Postime, Gara, por që të gjitha janë të fokusuara drejt klikimit të “lajmit” të postuar nga administratorët mbi arritjet qeveritare dhe eventet e ndryshme të anëtarëve të ndryshëm të kabinetit ministror.
Në fokus të menusë kryesore janë të gjitha postimet e qeveritarëve dhe kryebashkiakëve socialistë të Shqipërisë, të publikuara më parë në rrjetet e tyre sociale si “Facebook” dhe “Instagram”, ku përdoruesit drejtohen drejt postimeve në profilet spciale për ndërveprimt ë mëtejshëm.
Për sa i përket kategorisë “Lajme”, ajo që vihet re është se janë shpërndahen lajme të cilat janë realizuar nga media shumë pranë qeverisë socialiste, të cilat e nxjerrin aktivitetin e qeverisë gjithmonë në dritë pozitive. Nga ana tjetër, kategoria “Postime”, përfshin postime të përdoruesve ku promovohen punën e mira të qeverisë. Ndërkohë, kategoria “Gara” është ajo që nxjerr në pah “punëtorët e vërtetë” të aplikacionit, ku 100 përdoruesit me më shumë pikë pasqyrohen dhe tre të parët marrin medalje.
Pyetja që ngelet pas, është se çfarë çmimi përfaqësojnë këto medalje digjitale?
Një like 5 pikë, një share 15 pikë
“Ka një vetting për personat që pranohet”, shprehet një burim pranë një institucioni i cili ofron shërbime në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Prej më shumë se një muaji dëshmitë e mbledhura me kushtin e ruajtjes së anonimatit, arritën të krijonin një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së këtij aplikacioni nëpër institucionet shtetërore.
“Që në nëntor ka dalë në AppStore. Ka njerëz në institucionin tonë që deri tani kanë 1500 pikë+”, shpjegon burimi, duke thënë se “kam përshtypjen se 90% e punonjësve të institucionit janë tashmë përdorues të app-it”.
Informacioni i marrë nga burime të ndryshme mbi kalendarin e shpërndarjes së këtij aplikacioni në administratë është pohuar edhe nga dyshimet e ekspertëve të IT të konsultuar nga ACQJ.
Ndërkohë, një tjetër person i punësuar në një drejtori në varësi të një prej bashkive më të mëdha në vend, na shpjegoi edhe sistemin e pikëzimit që ky aplikacion ka.
“Do futesh tek Edi Rama, Belinda Ballukut dhe ministrat e tjerë, dhe do të bësh like dhe share nga brenda aplikacionit gjithmonë. Një like 5 pikë, një share 15 pikë”, – shpjegon ai.
“Na kanë kërkuar një listë me emra, të cilat më pas verifikohen në platformë nëse kanë llogari të tyre dhe sa aktivë janë”, – shprehet një tjetër burim në strukturën e Drejtorisë së Doganave, duke shtuar se në rast “të mos-përmbushjes të hapjes së numrit të dhënë të llogarive, mund të të rrezikohet edhe vendi i punës”.
Nisur nga këto denoncime, duke përdorur aplikacionin “Aktiv1sti”, ACQJ arriti të verifikojë në muajin janar, se nga 100 top fansat (përdoruesit me pikët më të mëdha të renditur në aplikacion) më shumë se 60% janë punonjës të administratës publike, një pjesë e të cilëve mbajnë edhe poste të larta drejtuese në administratë.
32 prej tyre janë të punësuar në Bashkinë Tiranë, në poste si oficerë të Policisë Bashkiake, specialistë të nivelit të lartë, arkivistë dhe madje edhe administratorë të njësisve bashkiake, pjesa tjetër drejtues drejtorish dhe nënpunës në administratën publike.
Në vijim të një kërkese dhe refuzimit nga ana e përfaqësuesve për median të PS, për një intervistë me Z. Etjen Xhafa, Sekretari për Koordiminim Dixhital, ACQJ mori nëpërmjet një e-mail zyrtar reagimin e Partisë Socialiste, në të cilin kjo parti pohon se ideja e krijimit të këtij aplikacioni erdhi “si pjesë e modernizimit të vazhdueshëm të Partisë Socialiste”. Pyetjes tonë se përse u krijua ky aplikacion, PS iu përgjigj duke thënë se arsyeja e krijimit ishte “për punët e brendshme të Partisë Socialiste”.
Paralelisht, ACQJ i kërkoi koment mbi akuzat e ngritura nga punonjësit e administrate në lidhje me detyrimin për të shkarkuar “Aktiv1stin” dhe për të qenë aktiv në të edhe Z. Endri Fuga, Drejtor i Komunikimit të Kryeministrit, i cili i hodhi poshtë ato.
“Kjo është e pavërtetë dhe nuk ka asnjë fakt për këtë gjë. Ndaj përveç se ta refuzoj si akuzë, nuk kam asgjë tjetër për të shtuar.” – tha ai.
I pyetur edhe nëse qeveria shqiptare në ndonjë nga mbledhjet e kabinetit, formale apo informale, ka diskutuar ndonjëherë mbi performancën në media sociale të dikastereve të ndryshme qeveritare dhe strategjitë për rritjen e shifrave në to, Fuga ju përgjigj se “në mbledhjet e qeverisë diskutohen vendimet që qeveria merr”.
Por ky pohim i zëdhënësit të Kryeministrit, bie ndesh me atë që pohon Taulant Muka, ish- zv. Ministër i Arsimit në Qeverinë “Rama 2”.
“Në një takim të qeverisë që mora pjesë, faktikisht temë e diskutimit ishte performanca e ministrive. Tabela që u paraqit ishte tabela e like-ve, share-ve, twits-eve, të çdo ministrie, Ministrisë së Arsimit, Ekonomisë, Shëndetësisë etj etj”, – thotë Muka duke pohuar se kështu pak a shumë vlerësohej sistemi i performancës në rrjetet sociale bazuar në performancën që kishte ministri në to.
“Mbaj mend në atë takim, faktikisht, Ministria e Arsimit u kritikua shumë pasi kishte një nga zv. Ministrat që merrte vetëm dy like dhe u mbajt 30 minuta diskutim nga Kryeministri mbi like-t, pse ka pak kur reformat ishin shumë të mëdha”, – thotë ai duke shtuar se diskutimi për performancën në mbledhjen e qeverisë, zgjati rreth 1 orë e gjysmë.
Zoti Muka, thotë se është paraqitur edhe një platformë që kontrollonte në mënyrë automatike se sa like dhe share merrte çdo insititucion.
“Nga ana tjetër, projektoi një situatë ku në mënyrë automatike çdo punonjës i administratës do ishte pjesë e këtij sistemi, ku pavarësisht nëse punonjësi e pëlqente apo jo një status të ministrisë automatikisht e bënte like dhe share në rrjetet sociale”, – përfundon ai.
Pohimet e z. Muka se në mbledhjet e qeverisë diskutohej mbi performancën e kabineteve të ndryshme ministrore në mediat sociale, konfirmohen për ACQJ dhe nga persona që kanë dijeni për mbledhjen informale qeveritare të datës 4 janar 2023, në “Vilën 31” në Tiranë, në të cilën konfirmon se “një pjesë e madhe e mbledhjes i është dedikuar pikërisht performancës qeveritare online”.
I pyetur mbi këtë, Z. Fuga u përgjigj, “këtë nuk e di, por nuk më rezulton”.
Si po përdoren rrjetet sociale nga qeveria?
Fakti që rrjetet sociale janë në një përdorim të gjerë nga partitë politike është vërtetuar tashmë gjatë fushatave elektorale. Ndërkohë ajo që ka filluar të hulumtohet së fundmi është përdorimi i rrjeteve sociale nga ana e partive politike dhe politikanëve për të deformuar perceptimin publik ndaj një politikani ose një partie politike. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në një shkrim hulumtues në lidhje me like-t, share-t, dhe komentet e politikanëve, arriti të gjejë se në faqet e figurave më të njohura politike në Shqipëri përdoreshin profile false jo vetëm për të bërë like, por edhe për të komentuar.
Për të parë nëse “Aktiv1sti” ka patur efekt në rritjen e interaktivitetit në postimet e rrjeteve sociale të ministrave të qeverisë “Rama 3”, zgjodhëm të bënin edhe një analizë të thjeshtë shifrash në katër video të çfarëdoshme të publikuara në muajt qershor, dhjetor të vitit të lënë pas dhe të muajit janar 2023, për një numër ministrash të kabinetit.
Në 15 qershor zv. Kryeministrja aktuale znj. Belinda Balluku, në një video-postim në “Facebook”, ka vetëm 479 like, 27 komente dhe 22 mijë shikime. Ndërkohë në 12 dhjetor, numri i like-ve, komenteve dhe shikimeve kanë pësuar një rritje duke shkuar në shifrat respektive të 1 mijë, 73 dhe 53 mijë në video-postimin e bërë nga zonja Balluku. Gjithashtu, trendi rritës shihet edhe në një video të postuar në 12 janar, ku zonja Balluku ka marrë 7,5 mijë like, 851 komentet dhe 32 mijë shikime.
Ndërsa Ministrja Olta Xhaçka, në një video postim në 2 qershor numëronte 182 like, 12 komente dhe 62 mije shikime, ndërkohë në 7 dhjetor, në një tjetër video – postim zonja Xhaçka numuronte 2,2 mijë like, 98 komente dhe 20 mijë shikime. Një muaj më vonë, në një tjetër video-postim, numri i like-ve të ministres Xhaçka shënon një ulje të madhe, duke regjistruar vetëm 403 like, trend të ngjashëm kanë ndjekur edhe komentet ku janë vetëm 32 të tillë, ndërsa rritje kanë shënuar shikimet e videos, duke numëruar 34 mijë.
Në analizë të shifrave të postimeve është marrë gjithashtu edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elsia Spiropali, e cila drejton një ministri pa portofol, në 13 qershor të vitit të shkuar në një video-postim do të regjistronte 835 like, 391 komente, 5.1 mijë shikime. Në 12 dhjetor, në një tjetër video-postim, ministrja Spiropali do të merrte 4.7 mijë like, 1.2 mijë komentet dhe 34 mijë shikime. Ndërsa në 10 Janar për një video- postim Spiropali ka marrë 4.4 mijë like, 527 komente dhe 10 mijë shikime.
Duke pare këto rezultate, frika ekziston se aplikacioni në fjalë është krijuar për të mënjanuar përdorimin e profileve fallco, dhe kalimin e përdorimit të një baze përdoruesish më të qëndrueshme për shumfishimin e mesazhit qeveritar dhe shtrembërimin e perceptimit publik në prag të zgjedhjeve dhe më tej, administratën publike.
“Që nga viti 2018, algoritmi i Facebook ka ngritur postimet që inkurajojnë ndërveprimin mes përdoruesve në krye të “tabelës”, – pohohet në një vëzhgim të Washington Post i tetorit 2021, duke theksuar se për një nëngrup përdoruesish jashtëzakonisht partiakë, algoritmi i sotëm mund t’i kthejë faqet e tyre në dhoma jehone ku përdoruesit dëgjojnë vetëm atë që dështirojnë të dëgjojnë.
Eksperti: praktika bie ndesh me të gjitha ligjet e mundshme të Shqipërisë dhe ndërkombëtare
Gentian Progni, ekspert i teknologjisë së informacionit, bën edhe një zbërthim të të dhënave që aplikacioni “Aktiv1st” grumbullon.
“Ka dy lloje aksesi”, – thotë ai duke shpjeguar që në momentin që e instalon aplikacionin në paisjet me sistem operativ android të merr akses në foto, në video, mesazhe, vendodhjen e telefonit dhe ka aftësi t’i përdorë edhe kur ti e ke mbyllur apliakcionin.
“Është edhe momenti i dytë i instalimit, ku duhet të bësh një çertifikim me llograinë tënde sociale, pra Instagram apo facebook”, – tregon ai duke shtuar se është një sistem aprovimi që ka akses në të gjithë të dhënat e tua të profilit, që nga leximi i mesazheve deri tek, kujt i bën like, share etj.
Progni tregon se ky aplikacion është i ndërtuar në platformën Firebase që është një platformë në “Cloud”.
“Ke mundësi të ndërtosh sisteme, databaza, server etj dhe nëpërmjet këtij sistemi ti përpunon të dhëna dhe merr të dhëna, dërgon notification etj”, – thotë ai duke vijuar të shpjegojë se “në momentin që këto pastime bëhen, në backend gjenerohen të dhëna për çdo përdorues. Pra nëse Gentian Progni është punonjës i Ministrisë së Sipërmarrjes, bëhet një pikavarzh për çdo veprim që ke bërë ti dhe sipas atyre pikëve ty të hiqen vërejtje ose të shtohen merita”.
Ai më tej shton se problemi më i madh që sheh është sepse me backend mund të shohim se sa herë e ke hapur aplikacionin, sa e ke përdorur, a e ke mbajtur live-en deri në fund apo jo, a ke bërë like dhe a e ke hequr like-un pasi e ke bërë.
“Të gjitha këto gjenerojnë një PDF, që për çdo drejtori është e veçantë dhe kanalizohen në formën e një rrjeti më të madh deri në ministri”, – përfundon ai.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përgjigje të pyetjeve të ACQJ thotë, se përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale kërkon respektimin e ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke shtuar se kur kontrolluesi [mbledhësi i të dhënave] përpunon të dhëna personale të marra nga subjekti i të dhënave është i detyruar të informojë këtë të fundit nëse dhënia e tyre është e detyrueshme apo vullnetare.
Theks të veçantë Komisioneri i vendos Politikës së Privatësisë, për të cilën thotë se: “Politika e privatësisë duhet të jetë lehtësisht e aksesueshme dhe qartësisht e kuptueshme për subjektet e të dhënave personale dhe të publikuara në faqet zyrtare të kontrolluesve. Për këtë qëllim, për t’ju ardhur në ndihmë kontrolluesve është miratuar edhe një model tip, të cilit kontrolluesit mund t’i referohen dhe gjendet lehtësisht në faqen zyrtarë të Zyrës së Komisionerit”.
Por, ajo që është verifikuar nga ana e ACQJ, është fakti që një politikë privatësie për “Aktiv1st” në AppStore të Apple nuk ekziston. Në momentin që kërkon këtë poltikë privatësie të aplikacionit, ajo të përcjell në faqen zyrtare të Partisë Socialiste ku të shfaqet mesazhi: “Zëri juaj ka rëndësi! Këndvështrimi juaj na ndihmon për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë tonë. Na bëni të ditur idetë dhe sugjerimet tuaja. Ju lutemi, plotësoni formularin e mëposhtëm dhe ne do ju përgjigjemi brenda një jave”.
Në të njëjtën kohë, në platformën Google Play, ekziston një politikë privatësie, e thjeshtuar, thuajse TIP, në të cilën bëhet e ditur se ky aplikacion mbledh të dhëna si: vendodhja, adresa e emailit, numrin e telefonit, adresa, sms ose mms dhe mesazhe të tjera brenda aplikacionit.
Eksperti Progni shprehet se ky aplikacion bien ndesh me të gjitha ligjet e mundshme të Shqipërisë dhe ndërkombëtare.
“Ligji i GDPR që ka miratuar BE dhe Amerika e thotë qartë që këto të dhëna nuk duhet të mblidhen dhe të përpunohen”, – shprehet ai duke sjellë edhe rastin e “Cambridge Analytica” i cili nëpërmjet mbledhjes së të dhënave dhe përpunimin e tyre arriti të ndikojë në mënyrë indirekte në opinioniet e njerëzve për të votuar.
“E njëjta gjë po ndodh edhe me Aktiv1st-in”, thekson ai.
“Krijimi i ndjenjës së pasigurisë për vendin e punës dhe idea që nuk është puna për të cilën vlerësohesh por kjo [përdorimi I aplikacionit], është i patolerueshëm. Është kudo në administrate – qendrore dhe vendore; në fakt edhe më fort në vendore. Ka mbledhje të rregullta për të ndjekur mbarëvajtjen e aplikacionit dhe përdorimit të tij.” – shprehet zyrtari i ministrisë në kushtet e anonimatit.
I pyetur nëse ka arritur të verifikojnë nëse ka presion ndaj administratës për përdorimin e këtij aplikacioni, Progni shprehet se ka me qindra mesazhe në ditë.
“Normalisht që nuk do ta bëj kurrë publike, që më shkruajnë që janë detyruar ta instalojë aplikacionin për të bërë share dhe like etj”, – tregon ai, duke shtuar se është përpjekur ti ndihmojë shumë persona.
“I kam ndihmuar t’ju gjej një zgjidhje se si të shpëtojnë deri diku pa u heq nga puna, duke i bërë share postimeve në privat dhe personit përgjegjës që i kanë dhënë kod për ta survejuar, dhe ndoshta i kam ndihmuar sado pak për mos të qenë pjesë e kësaj fasade”, përfundon ai.
“Nuk është puna për të cilën vlerësohesh, por aktivisti”, – është kjo shprehja e përbashkët e të gjitha dëshmive të marra nga ACQJ prej punonjësve të administratës publike./ ACQJ