Duartrokitje dhe urra për Ramën, PS nuk bën dot asnjë ndryshim
Duartrokitje dhe urra për Ramën, PS nuk bën dot asnjë ndryshim
– 10/10/20
Një analizë e plotë e gazetës MAPO për pritshmëritë e Asamblesë së Rilindjes të cilën Rama e personalizoi duke e bërë të duket si një ceremoni lamtumire. Teksa duhej të ishte mbledhja më e rëndësishme, aty nuk ndodhi asgjë. Pafuqia e Ramës për të bërë ndërhyrje, përplasja e klaneve, mungesa e prurjeve dhe e ideve janë disa nga arsyet se përse dje nuk u krye votimi për kryesinë. Diskursi i kryeministrit, i ngjashëm me atë të 2017-ës. Rama tha se enturazhi i tij politik si Veliaj, Spiropali, Balla apo Beqaj e Gjiknuri janë gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë këtij vendi.
Ajo pjesë e elektoratit që priste ndonjë fije shprese se asambleja e PS do sillte diçka të re në këtë vigjilje zgjedhjesh do kenë mbetur të zhgënjyer. Me një spektakël të shëmtuar, e shoqëruar me një logorrea (greqisht, Gjendje përçartjeje që vjen nga temperaturë e lartë apo nga paqëndrueshmëria mendore) kryeministrore që zgjati më shumë se dy orë, bëri shqiptarët mos kuptojnë shumë. Fjalë që përsëriteshin e përsëriteshin, duke dashur që t’i mbushin mendjen elektoratit se gjëja më e mirë që na ka ndodhur që nga pellazgët kanë qenë bashkëpunëtorët e tij. Madje Rama e pohoi dhe vetë diçka të tillë kur tha se Rilindja, në të cilën bëjnë pjesë Veliaj, Spiropali, Beqaj, Balla apo dhe ata deputetë apo kryetarë bashkish që i ka kapur dekriminalizimi janë gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë këtij vendi.
**
E megjithatë një syri të vëmendshëm nuk do i shpëtonte atmosfera e zymtë, që mundohej të fshihej nën maskat anticovid të atyre që ishin të pranishëm. Nën urratë false, dhe qeshjet vend e pa vend me romuzet e Ramës, vihej re qartë se asambleja e cila duhet të ndizte motorët e fushatës, dukej më shumë si një funeral lamtumire i pushtetit.
Fjalimi i Ramës ishte më shumë një disfatatë , se një vizion qeverisjeje. Piketimi si armiku i radhës që duhet të jetë LSI, duket se nuk kënaq apo nuk frymëzon më askënd. Strategjia e njëjtë si ajo e vitit 2017, jep një mesazh të qartë se në katër vitet e ardhshme s’do të ndryshojë mentaliteti qeverisës. Asnjë shenjë pendese nuk u vu re në fjalën e kryeministrit, madje pretendimi se tetë vjet nuk i kishin mjaftuar Rilindjes për të vënë rregull, është ofendues për logjikën e çdo shqiptari edhe për atë me formim nën mesataren. Ashtu siç janë ofenduese dhe krahasimet me qeverinë e para 2013-ës apo meritat që kërkon të marrë për punët e tê tjerëve si fjala vjen rrugën e kombit, dhe çdo vepër tjetër të realizuar nga të djathtët që kjo qeveri i gjeti të gatshme.
**
Dukej qartë se kryeministri s’ka më guxim të bëjë gjë tjetë vetëm se të shoresojë te pjesa nostalgjike e elektoratit, qe fërkon duart nga sherrnaja që ai stis herë me Metën e herë me Bashën. Ska guxim as të ndryshojë qeverinë, as të ndryshojë kryesinë. I kompleksuar nga hapja që i ka bërë partisë kundërshtari, atij s’i ka mbetur më asgjë për të bërë. Vetë Basha ka preferuar t’i qëndrojë larg fushatës negativiste, të injorojë joshjen malinje ku Rama tenton ta tërheqë herë pas herë. Kreu i opozitës, ka zgjedhur të prezantojë idenë e tij për shtetformimin, për ringritjen e ekonomisë, bujqësisë e biznesit.
Dhe për çdo ditë atë e sheh mes bizneseve, fermerëve, njerëzve të mbetur pa shtëpi. Dje ai hodhi për në testim një listë me 140 emra juristësh, ekonomistësh, mjekë e inxhinierë, ku përzgjedhja nuk do jetë e lehtë, dhe gara vërtet e vështirë. Nga ana tjetër, platforma online që ofron Rama për përzgjedhje deputetësh të komanduara nga teknikët e PS, janë thjesht ushqim që mundohet t’iu hedhë atyre që e votojnë verbërisht kryesisht nostalgjikë të komunizmit të moshës së tretë, pa asnjë qasje në botën digjitale. Si për çudi, menjëherë pas daljes së listës së Tiranës, Rama anuloi votimin për rizgjedhjen e kryesisë.
***
Por një arsye tjetër se përse ai po sulmon Ilir Metën, duket të jetë dhe vala e të pakënaqurve. Ilir Meta iu dha një mesazh të qartë dje të gjithë atyre socialistëve që nuk janë dakord me kapjen e kupolës socialiste. Duke qenë pjesë e së majtës ai e njeh fort mirë mentalitetin e bazës, fundja dhe vetë partia e tij është përbërë nga ish-socialistë të revoltuar nga Nano. Ai paralajmëroi se nuk do i ndahet deri sa ta përzërë nga PS, duke ia bërë të qartë se është një nga themeluesit e asaj partie. Dhe Rama e njeh mirë këmbënguljen e Presidentit.
Rama personalizon Asamblenë, thërret anëtarët por flet vetëm vetë
Asambleja e PS do të fillonte në orën 15.30 ashtu siç ishte parashikuar. Anëtarët e saj të përzgjedhur që nga marsi i këtij viti, do hynin një e nga një në ambientet e amfiteatrit te liqeni i Tiranës. Mes tyre dhe kryetarë bashkish të rrëzuar tashmë nga froni. Të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, ata ndoshta ishin përgatitur për diçka tjetër, por u bënë pjesë e një spektakli, ku regjisor dhe aktor ishte vetëm një njeri, Edi Rama.
Një urdhër i minutës së fundit, i nxjerrë nga vetë ai kish ndryshuar të gjithë skenarin. Kryesia do vazhdojë të jetë kjo që është, të paktën deri pas zgjedhjeve. Me pak fjalë, vendimet do vazhdojnë të merren nga ata që kanë qenë që në vitin 2016, me përjashtim të Saimir Tahirit që ka dhënë dorëheqjen. Krahas anulimit për votimin e kryesisë, u anuluan dhe një sërë çështjesh që kishin të bënin me rregulloret e jetës në parti. Të paktën asambleja u shpërnda menjëherë pas fjalës më shumë se dy orë të Ramës.
Kryesia
Por çfarë ndodhi që Rama anuloi një votim që duhet ta kish bërë që në maj. Vetë anëtarët e asamblesë ishin të paqartë për këtë vendim. Asnjë prej tyre nuk foli pas përfundimit të mbledhjes, as Taulant Balla, as Erion Veliaj e askush tjetër. Një nga një apo dy nga dy, ata u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Interesimit të gazetarëve ata i përgjigjeshin se do kishte një dalje të vetë kryeministrit pas mbledhjes. Megjithatë, vetë Rama dha një përgjigje që pakkush e kuptoi.
“Kemi tre punë për të bërë ndër të tjera. Së pari, kemi vazhdimin intensiv të punës së filluar në komunitete dhe vlerësimin e të gjithë anëtarëve të PS. Njëherë e lëmë pak fleksibël. Njëherë në janar dhe njëherë në shkurt. Kemi vlerësimin për qeverinë dhe hapim tani edhe derën për këdo në Shqipëri apo në emigracion që mendon se ka arsye për të shprehur interesin e skuadrës sonë.
Nga ana tjetër, ne kemi një Task-Forcë që funksionon në kohë reale dhe mblidhet njëherë në javë. Kryesia faktikisht është gjëja e fundit që më shqetëson në këtë moment”, tha Rama. Në fakt se çfarë lidhje ka vlerësimi i punës së qeverisë nga emigrantët, me kryesinë e partisë që zgjidhet nga anëtarët e asamblesë këtë s’di ta shpjegojë askush.
Klane dhe mungesë idesh
Burime në PS thanë për MAPO, se Rama shmangu një përplasje me grupet e pakënaqura nga zëvendësimet në qeveri, por edhe një përplasje të mundshme me ish-kreun e PS Durrës Vangjush Dako, i cili do duhej të linte kryesinë e PS-së. Një konflikt i tillë në këto momente do ishte gjëja e fundit që i duhej Ramës. Më tej mungesa e një alternative, programi, dalja me të njëjtat teza e të njëjtave figura si në tetë vitet e fundit, përveç lodhjes dhe një farë bezdisjeje nuk do sillnin asgjë tjetër në sytë e elektoratit. Në këto kushte, Rama i bindur se ka ende njerëz që besojnë tek ai, do hapte e do mbyllte Asamblenë e PS-së në dy orë. Duket sikur Asambleja ishte bërë nën moton “të shpëtojmë ç’të mundemi”.
Diskursi i Ramës nuk solli asgjë të re, dhe veshja e tij këtë herë do ishte në kufijtë e normales. Kish lënë në shtëpi yamamotot e vitit 2017, por pa harruar atletet ai paralajmëroi një fushatë negativiste. Me sulme, akuza ndaj kundërshtarit a thua këto tetë vite vendi kishte kryeministër Lulzim Bashën, apo Ilir Metën. Të gjitha projektet e hedhura në 3D, ku deri më tani s’është bërë asgjë, siç është aeroporti i Kukësit, kishin zënë vend në fjalën e tij.
Madje Rama shkoi deri aty, sa të linte të kuptohej se rruga e Kombit ishte vepër e Rilindjes, siç ka bërë tërë këto vite me gazsjellësin TAP, apo rrugën e Elbasanit, vepra të qeverisë së kaluar. Në fjalën e tij s’mund të mungonin dhe akuzat për Presidentin Ilir Meta, Kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, ish-kryeministrin Sali Berisha apo kreun e opozitës Lulzim Basha. Përsëritje e akuzave të shkuara, por pa harruar të kujtojë pas çdo paragrafi fatin e madh të Shqiptarëve për qeverinë dhe kryeministrin që kanë pasur në këto tetë vite. Aq shpesh u përsërit ky refren, sa më shumë dukej si klithmë lamtumire duke u kujtuar shqiptarëve se çfarë do humbin po të mos votojnë.
Gazeta Mapo