Dubrovnik: Te varri i Tivarasit, skulptor e arkitekt i Manastirit të Deçanit!
Nga Jahja Drancolli
Kush ishte Tivarasi?!
Me siguri ka lindur dhe është shkolluar në Tivar, meqë në çdo dokument të zyrës raguzane, ku zihet ngoje ky skulptor dhe arkitekt, përmendet edhe qyteti i tij i lindjes: Antibar, Antiuar, Antibaro, nga del edhe patronimi i tij Tivaras. Gjatë periudhës njëzetëvjeçare, sa ka jetuar dhe vepruar në Raguzë (1327–48), ai u shqua me punën dhe talentin e tij në këtë qytet. Veprat kryesore e Tivarasit, janë mungada e Kuvendit Françeskan në Raguzë, si dhe disa skulptura e ndërtime në kishën e Manastirit të Deçanit. Përveç tyre, ai së bashku me disa mjeshtër të tjerë krijoi edhe disa vepra më të vogla të realizuara në pallate e vila të njohura raguzane.
Sikurse Frat Vita, kryearkitekt i kishës së Manastirit të Deçanit, edhe Miho Tivarasi, gjatë kohës së ndërtimit të kishës së Manastirit të Deçanit (1327-1335), kryente punë të rëndësishme nga arti i skulpturës dhe arkitekturës.
Sipas studiuesit gjerman të historisë së arteve, R. E. Von Edelberger (1884), “mungada (Klaustri) e Miho Tivarasit është monumenti më interesant i ruajtur në Dubrovnik”. Ndërkaq, ngjashmëritë të stilit të tij në Raguzë dhe Deçan, i vërejtën disa studiues të paanshëm të historisë së arteve. Disa vite më pas (1887), Miho Tivarasin e ndeshim edhe në studimin mbi zhvillimin e arteve në bregdetin lindor të Adriatikut, të britanikut, T. G. Jackson (1835-1924), i cili flet për origjinën e tij arbërore: ”Master Mycha, an Albanian of Antivari”.
Mungada e Kuvendit Françeskan të Raguzës dhe pjesë nga arkitektura dhe skulptura e Manastirit të Deçanit, për nga stili janë përpjekje për avancimin praktik të artit romanik në atë gotik. Për model të kluastrit të Kuvendit Françeskan në Raguzë dhe të kishës së Manastirit të Deçanit, Miho Tivarasi mori elemente romanike nga Italia dhe Franca, por gjithnjë duke ofruar freski me elemente të reja gotike, stil që atëbotë kishte filluar të përhapej edhe në pjesët lindore të Adriatikut dhe prej këtej edhe në kishën e Manastirit të Deçanit.
Burimi: Klaustri i Kuvendit Françeskan (klaustar Male Braće), në Dubrovnik dhe mbishkrimi gotik te varri i Tivarasit (Foto, Mr. sc. Ruzhdi Panxha)!