Duhet “intifadë” ndaj një ministri të pashpirt. I turpëruar se një ministër i pashpirt kërkon të mbrohet pas fesë e pas krahinës. –
Duhet “intifadë” ndaj një ministri të pashpirt.
- I turpëruar se një ministër i pashpirt kërkon të mbrohet pas fesë e pas krahinës. –
14 Prill 2019
Nga Ilir Nikolla
Kur dhuna s’ka të sosur dhe policia ka kapërcyer çdo kufi të proporcionalitetit në sjelljen e saj, Sandër Lleshit i duhet mbrojtje e veçantë publike, në mënyrë që të dalë i patrazuar nga ky moment i madh shpërdorimi ku është përfshirë. Dhe alibinë po përpiqet t’ja furnizojë profesor Albert Nikolla, i cili shpalli tre ditë më parë (mbani mend, në vigjilje të dhunës masive të policisë në protestën e së shtunës), se Sandër Lleshi sulmohet se “ka sjellë një kthesë kulturore në drejtimin e Ministrisë së Brendshme” dhe se ndaj tij, janë një orkestër gazetarësh që për motive politike e të pushtetit po luajnë “një intifadë” kundër tij.
Mbrojtja e veçantë ndaj Lleshit s’mund të kërkohet tek profili i tij politik, as tek karriera ushtarake e akademike, prandaj edhe Albert Nikolla ka tentuar të mbrojë veglën e vërtetë të verbër të Edi Ramës, në rrafshin krahinor e religjioz. Për ata që s’e dinë, Intifada është literalisht fjala arabe që shenjon “rizgjimin e ndërgjegjes arabe kundër pushtimit izraelit”, kurse në sensin konkret shenjon lëvizjen e rezistencës që palestinezët dhe popullsitë arabe prej 1987-s po mbajnë në këmbë kundër pranisë izraelite në Lindjen e Mesme. Nuk besoj se Albert Nikolla e gjen krahasimin e sulmeve ndaj Sandër Lleshajt në aspektin e nacionalitetit, se atëhere me Albert Nikollën do të kishte punë gjykata dhe jo opinioni publik.
Duke e marrë të mirëqenë këtë fakt, pra se Sandër Lleshi është shqiptar si ne të tjerët, përdorimi i termit “intifadë” bëhet për t’i ngritur ish-ushtarakut koracën e katolikut dhe të mirditorit.
E në fakt, nuk është hera e parë që përdoret kjo lojë e poshtër. Edhe kur erdhi emërimi në postin e ministrit, këshilltari i kryeministrit Rama, që fati e deshte të ishte njëkohësisht edhe kryetar i Bordit të Aviacionit Civil (një gjeneral edhe me spaleta që ruante civilisht edhe hapësirën tonë ajrore), shpërndau në eter mbrojtjen se sulmet i vinin për motive krahinore e fetare dhe shqiptoi frazën e turpshme “mirditor lind, të behesh s’ke shans”. Tani që ndaj Sandër Lleshit, media po flet për Llesh Kimikun apo për “Ali Komikun e Ramës”, në skenë del “intifada”. Duhet të marrë fund kjo mbrojtje. Sandër Lleshi nuk mund të qendrojë asnjë minutë më në detyrë, meqenëse na u pretendoka se mirditorëve u takojnë kuota, si minorancë religjioze apo krahinore. Asnjëherë në shtetin laik, asnjë zonë etnografike s’ka kërkuar përfaqësim me kuota. Do të ishte e turpshme të mendonim se politikanë të lartë katolikë gjatë këtyre 30 viteve kanë qenë në krye të punëve të shtetit për shkak të përkatësisë së tyre fetare. Vetë këta politikanë të lartë duhet të ndihen të fyer kur shohin se si një ushtarak, për karrierën profesionale të të cilit nuk dimë fort bëma, kapet me thonj e me dhëmbë pas postit të ministrit të brendshëm, veç për të zgjatur shërbimin e verbër ndaj shefit në panik, dhe kërkon mbrojtje me kuota si katolik apo mirditor.
Dhe këtë mbrojtje me terminologji ndërkombëtare të mbushur me konflikt fetar e kombësish, Sandër Lleshaj e shoqëron me justifikimin se s’është karrierist e s’e ka dashur postin. Atehere, kur punët janë kështu, “delja e Perëndisë” nuk ndjen aspak dhimbje për gazin helmues që hidhet mbi popullin e vet, e të distancohet, duke mos e mbajtur mbi shpinë këtë sakrilegj? Fakti është se ai nuk ndjeka në fakt dhe shërbimi ndaj shef Ramës është shumë më i rëndësishëm sesa brejtja e ndërgjegjes së një katoliku që thonë se shkon çdo të diel në meshë dhe urdhëron hedhjen e gazit helmues çdo të enjte a të shtunë mbi bashkëkombasit e vet.
Nuk ka pse të kompleksohemi nga sjellja prej minoritari fetar e krahinor e Sandër Lleshit. Asgjë s’e justifikon mungesën e tij të përgjegjshmërisë dhe në fakt, njëfarë grade më të lartë turpërimi e marrin mirditorët (e katolikët) kur shohin se një përfaqësues i tyre sillet në mënyrë kaq të pashpirt. Ministri nuk meriton mbrojtje si minoritar fetar e krahinor, përkundrazi, meriton një “intifadë” më të fortë bash prej këtyre komuniteteve, të cilat më së paku s’po i nderon. Merret me mend se çështjet e pendimit janë çështje të Kishës, por një pendesë publike do na lehtësonte të gjithëve, se do kuptonim se ministri ka shpirt, por ka më të fortë ndjenjën e shërbesës ndaj shefit.
Kjo s’po ndodh, prandaj opinioni publik është i interesuar të dijë edhe nëse sponsorët publikë të ministrit të brendshëm ndër vite ndaj të njëjtin mendim me Lleshin, për sjelljet e tij të fundit, përdorimin e gazit si armë policimi dhe gjuhën raciste që ai përdor ndaj opozitës që përfaqëson gjysmën e popullsisë. Me shpresë se sponsorët do t’i tërheqin qendrimet e tyre, “intifada” e pretenduar duhet të dëgjohet fuqishëm. Sa më shpejt të zbulojmë ku ministri zbulon shpirtin e ndjen turpërimit, aq më shpejt shpëtojnë edhe komunitetet që ai thotë se përfaqëson nga sikleti që ndjejnë përditë kur shohin “delen e Perëndisë” të shndërrohet në shërbëtor të Xhebrahilit.