2 Dhjetor 2024

Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se SPAK ka bashkëpunime me shumicën e vendeve të BE-së, ndërsa theksoi se Prokuroria Speciale ka rritur hetimet proaktive. Në këtë kuadër, Dumani tha se shtylla e suksesit të SPAK është bashkëpunimi ndërkombëtar. Dumani tha se nga hetimet për krimin e organizuar kemi evidentuar lidhjet e krimit me zyrtarë të niveleve të ndryshme, që janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar.

“SPAK duhet të fokusohet në çështjet më të ndjeshme dhe që janë më vështirë për t’u hetuar”, u shpreh Dumani.

Ai tha se në fund të këtij viti SPAK do të përfaqësojë rolin e Komisionerit Publik në rastet kur mund të ketë ankesa në KPA ndaj vendimeve të KPK për gjyqtarët dhe prokurorët, përsa i takon procesit të Vetting.

“Kemi nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera në luftën ndaj korrupsionit”, tha Dumani, duke theksuar se korrupsioni nuk mund të luftohet i vetëm nga SPAK.

Duke marrë fjalën në takimin e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës,  tha se SPAK ka sekuestruar e konfiskuar 150 mln euro asete.

“SPAK është në vijën e parë të luftës ndaj korrupsionit, duke ndjekur një qasje të bazuar në transparencë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate konkrete. Pavarësia institucioneve, kapacitetet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate premtuese që janë përkthyer në çështje konkrete.

Krahas ushtrimit të ndjekjes penale për zyrtarë të lartë, SPAK ka në fokus edhe luftën kundër krimit të organizuar, ku falë bashkëpunimit me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, kemi bërë të mundur të godasim grupe të ndryshme kriminale, organizata të ndryshme kriminale të përfshirë në krime të dhunshme apo trafik droge. Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro”, tha Dumani.

Në fjalën e tij, kreu i SPAK tha se është ushtruar ndjekja penale ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe drejtuesve të pushtetit vendor, apo ish-drejtuesve të Bashkive.

Ai tha se numri i total i të paraburgosurve me kërkesë të SPAK është më pak se 9%.

“Kemi një laborator modern të përgjimeve, një laborator modern të ekspertizës kriminalistike, gjithashtu kemi investuar në mjete dhe teknologji bashkëkohore që na shërben në kryerjen e hetimeve të suksesshme”, tha Dumani.

Në vijim, kreu i SPAK tha se nga vitit 2020 deri në 2023 janë krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 25 janë aktive. “Janë të angazhuara në hetimin e veprave të rënda nga trafiku i narkotikëve, te pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim në formën e grupeve apo organizatave kriminale”, tha Dumani.

BalkanWeb