DUSHI NË HISTORI DHE NË KUJTESË – Libri i Ri.
Nga: Nikoll Loka
Disa mendime rreth librit “Dushi në histori dhe kujtesë” të autorit Fran Tushaj
Çdo libër sjellë një vlerë dhe një hap drejt njohjes, por disa libra japin më shumë të dhëna se të tjerët, sepse pasqyrojnë shumë ngjarje dhe kanë shumë jetë brenda tyre. I tillë është libri “Dushi në histori dhe kujtesë” i autorit Ing. Fran Tushaj. Me gjithë zhvillimet globale dhe shkëmbimet intensive të kohëve moderne, koncepti ynë për atdheun mbetet sa nostalgjik i tipit “guri i rëndë në vend të vet” aq edhe romantik, i modelit “mëmëdhe quhetë toka, ku më ka rënë koka”. Në perceptimin tonë “Atdheu është territori i të parëve” dhe prej këtij rrjedhin dhe detyrimet ndaj tij: Së pari, për prani në atë tokë dhe, së dyti, për solidaritet me konstitucionin shpirtëror të komunitetit që jeton. Në aspektin mjedisor ose hapësinor, ku njeriu mbledh përvojat e tij të para, Atdheu është vendlindja, toka e njohur nën këmbë, shtëpia dhe natyra, ku orientohemi symbyllur…
Libri për Dushin ndryshon prej shumicës së librave të llojit të vet, sepse mbështetet mbi burime të gjëra informacioni, në qindra burime dokumentare dhe gojore, që janë përzgjedhur e sistemuar në formën e duhur. Ing. Fran Tushaj me botimin e këtij libri plotësoi një dëshirë të tij, për t’i shërbyer vendlindjes si intelektual. Kohët ndryshuan; u krijuan mundësi për këdo që të shpalosë kontributet e tij përmes botimesh; lindën shumë libra për krahina e fshatra, ndër to dhe kjo monografi, si një nga librat e mirë të këtij lloji.
Në librin këtë libër jepet një trajtim vertikal dhe horizontal i ngjarjeve. Përmes trajtimit të parë, autori ka mundur të depërtojë thellë në kohë me dokumente dhe tradhëgimi gojore, ndërsa në trajtimin horizontal, si dëshmitar i kohës së vet, ai sjell ngjarje të rëndësishme të pesëdhjetë viteve të fundit, ashtu siç i ka parë dhe jetuar.
Libri zbulon vlera që ishin në prag të fshirjes nga kujtesa e banorëve të zonës. Brezat janë në ikje dhe me largimin e çdonjërit prej tyre, e kaluara bëhet më e largët dhe më e panjohur. Frani e kapi momentin e duhur dhe ka grumbulluar shumë materiale nga brezi i sotëm i tetëdhjetëvjeçarëve, të cilët lidhin dy periudha, kohën para dhe pas pushtimit fashist dhe kapin një histori shekullore. Ai e ka marrë punën nga rrënjët, nga Dukagjini mesjetar dhe prej andej e sjell deri në ditët tona. Në këtë libër, Dushi nuk është parë i shkëputur nga historia e trevës së Pukës, nga rruga e madhe që i kalon fshatit afër, nga lëvizjet shoqërore të kohës etj. Frani jep informacionin e domosdoshëm për Pukën, duke e ndihmuar lexuesin, sidomos atë që nuk e njeh trevën, që të krijojë një ide më të qartë për zhvillimet krahinore dhe ndikimin që kanë patur në jetën e Dushit që është një fshat i Pukës, pra një periferi Pukë. Sipas logjikës së periferisë, i takon të ishte një vendbanim me pak ngjarje që tërheqin vëmendje, me më pak luftëra e më pak atdhetarizëm, si dhe me më pak njerëz të shquar që bënë histori. Nuk ka ndodhur kështu dhe Dushi është kthyer në një pikë takimi të tri bashkësive krahinore, Pukës, Mirditës dhe Shkodrës, sepse nëpër fshat kalonin rrugë të rëndësishme për Pukë, Shkodër dhe Lezhë. Si vend në kryqëzime rrugësh, aty kanë ndodhur shumë ngjarje, sepse jeta zhvillohet më e vrullshme në ato vende ku ka më shumë shkëmbime, qarkullime njerëzish, rrugë dhe tregje.
Si qyteti më i zhvilluar shqiptar i kohës, Shkodra do të shërbente për shumë kohë si vatër e përpunimit të ideve kombëtare dhe prej andej, idetë përcilleshin prej atdhetarëve shqiptarë nëpër trevat e tjera të Veriut. Dushi shërbente si portë për të hyrë në brendësi të Pukës, në Mirditë apo për të shkuar në Kukës e Kosovë. Në rastin e Dushit e kuptojmë rëndësinë që ushtron pozicioni gjeografik mbi zhvillimet në një vendbanim të caktuar. Dushasit kanë jetuar në kryqëzim të disa rrugëve, e kjo pozitë gjeografike u ka forcuar disa cilësi që pukjanët i kanë: mikpritjën, besën dhe dëshirën për të njohur vende të tjera. Kjo ka bërë që ata të emigrojnë më shumë se pukasit e tjerë. Nga ky fshat kanë dalë drejtues të lëvizjeve për liri dhe pavarësi. Kjo duhet parë si një prirje e natyrshme, e ndikuar nga karakteri luftarak i popullsisë dhe ndikimet që vinin nga qarkullimi i njerëzve. Burrat e fshatit ishin pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet historike të kombit shqiptar. Nuk është rastësi që nga ky fshat dolën më shumë partizanë në raport me popullsinë dhe mund të thihet se vjen i dyti pas Qerretit, për kontribute në Luftën Nacionalçlirimtare.
Si pjesë e Pukës, Dushi është pjesëmarrës në historinë e Krahinës dhe nuk u mungoi kurrë kuvendeve, betejave dhe sakrificave të përbashkëta, prandaj edhe pse kjo trevë njihet si vendi i udhëve, nuk u shtrua kurrë prej pushtuesve të rradhës. Por si vend në periferi dhe në marrëdhënie me krahina të tjera, kryesisht me Zadrimën dhe Mirditën, Dushi ka krijuar disa veçori të vetat që nuk gjenden në asnjë fshat tjetër, çka na bën të mendojmë se është formuar disi më ndryshe; ka njerëz që sillen ndryshe me veten dhe të tjerët, me kohën dhe historinë. Të bën përshtypje gjeografia e vendbanimit, vjen nga lartë poshtë dhe kap lartësitë dhe ultësitë, si dy alternativa për mbijetesë, ku Mëhalla e Epërme jepte më shumë siguri dhe Mëhalla e Poshtme më shumë prodhime bujqësore. Të dy mëhallat alternonin bagëtitë, që në verë barinjtë ngjiteshin lart dhe në dimër zbrisnin poshtë.
Dy vëllezërit, që sipas gojëdhënës erdhën të parët në këtë vend, nuk deshën të shkëputeshin nga njëri-tjetri. Ata nuk krijuan dy vendbanime, por një të vetëm. Njëri u orientua nga lart e tjetri nga poshtë. Për qindra vjet, shtëpitë që u krijuan u quajtën Mëhalla. Edhe sot Dushi duket një fshat, megjithëse janë krijuar dy dhe ndarja në mes tyre dallohet qartë. Si për ta përforcuar ndarjen, dy lagjet nuk u ndanë vetëm në dy fshatra, por edhe në dy rrethe, megjithatë përsëri mbetën një, dhe ashtu vijnë në librin e Fran Tushajt. Prej se erdhën dy vëllezërit e parë dhe u vendosën këtu, – siç thotë gojëdhëna, brezat nuk bashkohen, por dushasit qëndruan bashkë në të mirë dhe në të keq, me unitet vëllazëror e përkushtim ndaj vendlindjes, Pukës dhe krejt Atdheut.
Dushi, fshati që njohu zhvillim për kohën, siç thotë Frani, qe i hapur ndaj vlerave të tjetrit, e vlerësoi progresin dhe u mbështet në vlerat e veta. Dushasit qenë njerëz të traditës, që e nderuan veten, por respektuan edhe tjetrin. Ata manifestuan qytetari në marrëdhëniet e shumta me banorët myslimanë të Qerretit, në lidhjet e kumbarisë, vajtje-ardhjet me rastin e festave etj. Duke jetuar në një trevë të thyer me pak tokë dhe duke luftuar me këmbëngulje për mbijetesë, banorët treguan me vepra se është e rëndësishme të kesh pasuri që të jetosh mirë, por po kaq e rëndësishme është të dish si ta shfrytëzosh e si ta vesh në shërbim të njeriut. Banorët punuan fort për të arritur më të mirën e mundshme, përmes punës dhe djersës së tyre. Ndër shekuj ata i’u kushtuan blektorisë dhe bujqësisë. Këtë traditë e vazhduan deri në ditët e sotme, por nuk ngurruan që ta kërkojnë punën dhe t’i qëndrojnë mbi krye edhe kur ajo ishte larg vendlindjes dhe kërkonte sakrifica. Djemtë e kësaj shtëpie punuan kudo ku kishte nevojë, shkuan në çfarëdo shkolle që i dërguan, shërbyen në çfarëdo vendi, ku i emëruan. Dushi i ka dhënë artit shqiptar tre kollosë: Marko Cakën, Bik Ndojën dhe Gjystina Aliajn. Do të mjaftonte kjo treshe e famëshme që ai fshat të mbetej në histori. Por kontributet e tij janë akoma më të mëdha, me atdhetarë të njohur të pavarësisë si Kolë Mar Vata, antifashistë si Frrok Caka, gazetarë si Frano Caka, apo shtetarë si Viktor Tushaj, të cilët i kaluan përmasat e një krahine dhe u bënë të njohur në rang kombëtar.
Si popull artist, shpirti krijues i dushasve duket në ndërtesat e banimit dhe në veshje. Para 100-150 vjetësh kishte 22 kulla; më vonë kullat u përhapën shumë, në vende dominuese, aty ku kishte vendpamje dhe mbrojtje dhe ato u pajisën me orenditë e nevojshme për kohën. Kullat kanë shërbyer si shtëpi banimi por kanë qenë dhe kështjella të vogla me fuksion mbrojtës. Ato vazhduan të ndërtohen, për shkak të zakonit, edhe pasi qe eliminuar plaga e hakmarrjeve.
Banorët vishen bukur e në veshjen e tyre, siç thekson autori, manifestojnë një traditë të lakmueshme artizanale të prerjes, qepjes, qëndisjes, etj. Kostumi në trupin e një burri apo gruaje prej Dushi shkon mirë. Ndërsa kostumi i burrave e ka marr ndonjë element shtesë nga zonat përreth, kostumi i grave u përafrua me kostumin mirditor për shkak të martesave që u bënë kryesisht me Mirditën.
Dushi është një ndër vendbanimet me migrimin më të lartë në rrethin e Pukës. Ndër vite, kishin zbritur në Zadrimë të Lezhës, që ishte jo shumë larg vendlindjes, ku realizonin ëndrrën e tyre të kahmotëshme, të kishin bukë të mjaftueshme për familjet. Edhe në periudhën e komunizmit, zbritja drejt Zadrimës nuk u ndalua krejtësisht sidomos në kohën e kryerjes së Reformës Agrare, ku shumë familje u ulen nga lartësitë malore për të përfituar tokë në përdorim. Ato familje që mundën të lëviznin jetuan më mirë se të tjerat, bënë emër si specialistë, kuadro apo si njerëz të artit dhe të kulturës, por nuk i shkëputën kurrë lidhjet me vendlindjen. Pas viteve ’90, migrimi përfshiu të gjithë familjet dhe sot banorët e këtij fshati janë shpërndarë sa brenda dhe jashtë vendit. Në Dush kanë mbetur vetëm disa familje, sa për të ruajtur të gjallë kujtimin se këtu ndër shekuj kanë banuar njerëz.
Librin e autorit Tushaj e përshkon shqetësimi njerëzor për t’u rikthyer në Dush, secili sipas mundësive të veta dhe sipas mënyrës së vet. Ai mendon se në kushte më të favorëshme ekonomike se të sotmet, do të ketë një prirje të natyrshme të rikthimit të banorëve, jo për të qëndruar përgjithnjë në Dush, por për të qenë shpesh atje fizikisht dhe gjithmonë përmes kujtimeve dhe kontributeve për vendlindjen. Në funksion të kësaj bindje, ai kërkon që të sigurohet ruajtja e lidhjeve shpirtërore me fshatin, duke shërbyer si misionar për t’i dhënë vendlindjes atë hapsirë që meriton. Frani don tu ua bëjë të njohur të rinjëve të sotëm rrënjët, sepse është i bindur që njohja e origjinës është dija më me vlerë për njeriun, pasi që të ecësh përpara në jetë duhet të dish: Kush je, nga vjen dhe ku shkon?
Në librin “Dushi në histori dhe kujtime”, historia vjen që nga larg, si përpjekje për të rifituar kohën e humbur. Ikja e brezave ka sjellë humbjen e kujtesës, një bjerrje fatale për pjesën e pashkruar të historisë. Qe marrë një nismë për hartimin e historikëve të fshatrave në periudhën para viteve ’90, por ata qenë të politizuar, duke u kushtuar më shumë vëmendje disa periudhave historike që i interesonin politikës së atëhershme dhe duke lënë në harresë ose trajtuar përcipas periudhat e tjera. Fran Tushaj e merr historinë që nga rrënjët dhe e sjell siç ka ndodhur, me dokumente dhe kujtime që plotësojnë njëri-tjetrin, duke i dhënë fshatit të vet dritën që u mungon fshatrave të tjera. Falë punës së tij në këtë libër, Dushi njihet, jeta, tradita dhe historia e tij shpalosen si vlera.
Ajo që i dallon njerëzit me vizion nga të tjerët është orientimi në jetë dhe ndjenja e thellë e përkatësisë. Sot kemi hyrë në shoqërinë e njohjes. A nuk do të ishte mirë që rrugën e gjatë të dijes dhe të sukseseve në jetë t’i fillojmë me përgjigjen e pyetjes: Kush jam?… Frani i jep përgjigje kësaj pyetje për të gjithë dushasit. Me kalimin e viteve dhe zhvillimin shoqëror, jetesa në shoqërinë urbane u shoqërua me shkollim të zgjedhur, me shtimin e interesave për degë të ndryshme të dijes dhe të kulturës, por para së gjithash, njeriu urban shtoi interesin për veten: Kush jam unë, u bë një pyetje e modës. Qytetarët urbanë kanë më shumë kohë të merren me probleme shpirtërore, janë më të interesuar për njohjen e traditës. Vetë zhvillimi shoqëror po krijon mundësi që familjet të krijojnë arkiva familjare me fotografi, pamje filmike, materiale të shkruara, etj. Ruajtja dhe pasurimi i traditës është një projekt i madh jetësor.
Në të kaluarën, tradita ruhej pa ndonjë mundim të madh, por zhvillimet moderne kanë krijuar probleme në lidhje e raporte me kohën dhe sidomos me periudhat historike. I vështirë mbetet akoma raporti ynë me të kaluarën. Nëse nuk e ruajmë atë, qoftë si vlerë historike, rrezikohemi të mbetemi pa të. Me këtë shqetësim, Frani shpalos qartë mesazhin e tij përmes librit. Koha e re kërkon që njerëzit t’i shkurtojnë largësitë dhe dushasit të vijnë në Dush. Por nga ana tjetër, ata mund ta lartësojnë vendlindjen kudo që të jenë, mund të ruajnë vlera nga ai vend e t’i përcjellin ndër breza.
Dikur nuk kishim biblioteka familjare me libra monografikë, as kaseta filmimi të ngjarjeve familjare, por kishim njerëzit që e quanin detyrim të na e përcillnin me besnikëri historinë. Sot kemi arkiva, dokumente, mjete moderne për të ruajtur kujtesën dhe autori i librit Fran Tushaj ka gjetur mënyra për ta bërë Dushin të afërt për njerëzit e tij.
Koha kërkon që ta mbajmë kryet prapa për ta parë vendet ku lamë kullat dhe varret. Një grusht dhé e disa pllaka mermeri, kur ruhet eshtrat e të parëve, peshojnë rëndë, dhe dushasit ja kanë nisur nga varret, si pjesë e shenjtërisë së tyre. Ata kanë i kanë riparuar dhe kanë filluar të prehen në këtë vend. Varret jetojnë shumë gjatë, dhe për aq kohë sa jetojnë ato, do të jetojë shqetësimi njerëzor për t’u kthyer në vendlindje, për ta njohur e për t’i dhuruar asaj mirënjohje, respekt dhe dashuri.
Libri i Ing. Fran Tushaj u drejtohet bashkëfshatarëve që ende jetojnë në Dush dhe të tjerëve, të larguar nga vendlindja e pasardhëve të tyre që nuk kanë lindur atje. Mesazhi i madh i këtij libri, me pak fjalë mund të zbërthehet: “Në jemi këta që jemi për shkak të së kaluarës sonë dhe do të ecim përpara, vetëm duke e njohur të kaluarën dhe të tashmën”. Marrëdhënia e njeriut me kohën dhe me njerëzit do të përcaktojë edhe raportet që do të krijojmë me të ardhmen. Libri për Dushin lidhet qartësisht me të ardhmen dhe u vihet në dispozicion lexuesve të sotëm për t’ua përcjellë brezave që vijnë.
Pershendetje Z.Nikoll! Desha t’ju pyes nese gjendet ne ndonje librari ne Tirane ky liber.
Ju faleminderit!