Dy dosje në SPAK/ Agron Malaj pyetet për “La Brisa” dhe lejen e HEC-ve për vëllain e tij, në lojë edhe Veliaj
5 Tetor 2024
Nga Elton Qyno
Kreu i bashkisë së Burrelit, Agron Malaj u paraqit sot në SPAK për të dëshmuar lidhur një dosje që ka marrë spunto nga Juristja, Ardiana Kalaja, e cila në vitin 2023, ju drejtua prokurorisë së posaçme me dy kallëzime respektive kundër Malaj, vëllait të tij, Fatos Malaj dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Ai ishte thirrur nga prokurorja Enkelejda Millonai, e cila po kryen hetime për procedimin Nr.152 të regjistruar në SPAK në vitin 2024 dhe për dosjen Nr.273 të regjistruar në vitin 2023. Nuk dihet me saktësi se çfarë ka dëshmuar Malaj në SPAK, por kjo ishte vizita e para e tij në SPAK.
Të dyja çështjet thuajse kanë të njëjtin objekt hetimi atë të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi SPAK po monitoron situatën zyrtare të Agron Malaj, Elvin Tivarit, Fatos Malaj dhe Erion Veliaj, në marrëdhënien që këta persona kanë pasur me investimin në hotelin luksoz “La Brisa” në Dhërmi.
Ndërtimi i këtij hoteli në dukje është investuar nga Fatos Malaj dhe ish-zyrtari i bashkisë Tiranë, Elvin Tivari. Por hije të forta dyshime janë ngritur se pas hotelit luksoz fshihet, Erion Veliaj dhe Agron Malaj.
Njëherësh, SPAK po verifikon dhe pozicionin ligjor të bashkiakut Agron Malaj në vendimmarrjen e tij, për të miratuar lejen për lejimin e punimeve me qëllim ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël “Traja” dhe “Madheshit”.
Sipas kallëzimit, që më pas u bë shkak për nisjen e hetimeve Agron Malaj, ka miratuar lejen e ndërtimit në konflikt të hapur interesi, duke “Shpërdoruar detyrën”, pasi ka firmosur në interes të vëllait të tij.