Dy festa me mesazhe të kundërta: Nata e shtrigave dhe Festa e të gjithë shenjtërve
Dy festa me mesazhe të kundërta: Nata e shtrigave dhe Festa e të gjithë shenjtërve
NGA DEDË PALOKAJ
31 TETOR 2021
Shqiptarët ndër popujt më të lashtë të Evropës, kanë trashëguar doke dhe tradita të shumta, por Nata e Shtrigave ose Halloween-i, që kremtohet me 31 Tetor si festë me përmasa globale, tashmë edhe ndër ne në Kosovë, nuk është e traditës sonë. Madje kjo festë ishte fare e panjohur nga shumica e shqiptarëve deri në vitet e ’90-ta e cila tani është përhapur kudo dhe në një mënyrë mbresëlënëse.
Halloween-i është festë e pazakontë dhe më e çuditshme vitit. Nuk është për tu befasuar nëse me rastin e kësaj feste të takosh në rrugë njerëz të maskuar me moralin më të diskutueshëm në botë ose me shëndet mendor krejt të paqëndrueshëm. Mund të jenë këta protagonistët e një feste të paharrueshme, ku të ftuarit duhet respektuar rregullin imitues si p.sh: njerëz anormalë, kriminelë, vrasës dhe lloj njerëzish pak të rekomandueshëm etj. Mund të gjeni si për shembull një shkencëtar apo politikan të çartur nga mendja; një të çmendur të lidhur me litarë; një maniak mazokist; një kriminel të rrezikshëm; një vrasës; një paranormal etj.
Duhet theksuar se kjo festë në shikim të parë i përngjanë një karnevali argëtues, por me një veçori tjetër dhe nuk ka të bëj asgjë me krishterimin. Disa media, në mungesë të njohurive, shpeshherë Halloveen-in e trajtuan si një festë e krishterë e shenjtërimit, festë e kristianizuar etj. por kjo fare nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë lidhje me fenë e krishterë. Çuditërisht, në opinionin publik është folur e shkruar shumë herë, deri në detale për Halloweenin-in pagan, më shumë se për festën e të Gjithë Shenjtërve – festën e jetës, e cila kremtohet me 1 Nëntor, njëra ndër festat më të rëndësishme të vitit në gjithë botën e krishterë.
Origjina dhe legjenda e Halloween-it
Çfarë është Halloween-i ose Nata e Shtrigave, festa që ka marrë përmasa të gjëra edhe në troje shqiptare? Halloween-i është festë e religjioneve të lashta politeiste pagane që u përcoll nëpër shekuj me zakone e tradita të shumta e cila ka prejardhjen në kremtimin e ndërrimit të viteve të kalendarit të keltëve, natën midis 31 Tetorit dhe 1 Nëntorit. Është festë e përgjakshme dhe e frikshme, festë e shëmtisë dhe vdekjes e cila na kujton të kaluarën historike kur shumë popuj të lashtë sakrifikonin fëmijët e vegjël për nderë të hyjnive pagan. Halloween-i është njëra ndër festat e shumta okulte të keltëve të lashtë që daton nga shek. 5 para Krishtit prej të cilëve këtë festë e morën romakët dhe shumë popuj tjerë duke vazhduar ndër shekuj në trajta dhe forma të ndryshme të shumë popuj deri me sot e kësaj dite. Ekzistojnë versione të ndryshme të traditave të Helloween-it, por origjinën e vërtetë e gjejmë tek ritualet e lashta religjioze të fiseve kelte të njohur si Samhain.
Kulti Samhain, paraqet zotin e errësirës apo të vdekjes. Kuptimi i Natës së Shtrigave ose Helloween-it është me prapavijë të zymtë: “Festa e Ferrit”, “Mirë se vini në ferr!” etj. Andaj para se të festojmë duhet të dimë se çka po festojmë. Legjenda kelte thotë se shpirtrat që kishin vdekur gjatë 12 muajve të vitit të shkuar mblidheshin së bashku për t’u përzier me botën e të gjallëve dhe më pas për të nisur rrugën drejt një bote tjetër. Sipas kësaj legjende, kufiri në mes kësaj bote dhe botës pas vdekjes pikërisht në natën e Samhain-it është më i holli dhe mu për këtë shpirtrat e njerëzve që kishin vdekur do të ecin në mesin e të gjallëve.
Maskimi i frikshëm i fytyrës, trupit dhe objekteve gjatë kësaj nate është i lidhur ngushtë me zakonet, mitet dhe legjendat e fiseve kelte, që mbuloheshin me lëkura kafshësh për të trembur shpirtrat e të vdekurve. Është e qartë se Halloween-i është shtrati paganizmit, është viti ri i magjistarëve, astrologëve etj., është festa që shfrytëzohet për të bërë shërbesa të zeza, nëse është e mundur edhe sakrifica njerëzish siç ka ndodhur në të kaluarën nëpër shumë vende të botës. Kjo tregon shpirtin e njeriut pagan të kohës sonë, rikthimin e paganizmit, besëtytnisë dhe mitologjisë pagane nëpër shtëpitë dhe qytetet tona – një nostalgji bashkëkohore për kulturën pagane.
Festa e Halloween-it shihet me sy të mirë nga të gjithë ata që veprojnë në fushën e magjisë, astrologjisë, ezoterizmit, okultizmit, shamanizmit dhe satanizmit. Nata e shtrigave sjell dekor dhe atmosferë të errësirës pagane me përmbajtje të theksuar horrori që nuk ka të bëjë asgjë me kulturën dhe traditën tonë shqiptare. Përkundrazi, festa është tërësisht antikrishtere, antihumane dhe poshtëruese e shënuar me plot simbolika të errësirës masonike, shamanike dhe satanike dhe mund të konsiderojmë si festën më të shëmtuar dhe më të frikshme të vitit. Në prapaskenën e kësaj feste fshihen gjurmët e errëta të projektit sataniko – masonik me qëllime të caktuara për ta vënë nën hije bukurinë dhe shenjtërinë e jetës; për ta anuluar festën e të Gjithë Shenjtërve që të krishterët qysh herët e kremtonin si festë Kishtare e cila i nderon martirët, shenjtërit dhe shenjtëreshat si dëshmitarë të guximshëm të fesë, humanizmit, dashurisë dhe të pavdekësisë, si flijimtarë të dashurisë ndaj Jezu Krishtit – Martirit të Parë.
Kush janë adhuruesit e vdekjes?
Popujt dhe fiset e ndryshme kelte të cilët adhuronin vdekjen (zotat e botës nëntokësore, të krimit dhe të vdekjes siç janë: Tanatosi, Hadi, Serapisi, Ozirisi, Samhain etj.) jo vetëm se janë antikrishtere, antihumane, antinjerëzore, por janë edhe djallëzore. Andaj mund të pyesim: Kush janë adhuruesit e shkatërrimit dhe të vdekjes? Kush janë ata që edhe sot në mënyrë të habitshme kanë dëshirë të vdesin për Zotin, në vend që të jetojnë për Të? Të mashtruarit dhe të devijuarit në aspektin fetarë që adhurojnë vdekjen kinse po luftojnë për Zotin, janë të rreshtuarit në shërbim të djallit që bën luftë kundër Zotit dhe njeriut. O tempora, o mores! (Kohë të mjera, njerëz të mjerë), shprehej Ciceroni në kohën e tij kundër pabesisë dhe të keqes.
Ata e duan vdekjen (Djallin), ndërsa njeriu normal e do jetën (Zotin). Djalli, mashtrues i regjur i përgjigjet vetëm vdekjes sepse ai është kundërshtarë i rreptë i jetës, të mirës, harmonisë dhe dashurisë (1 E Pjet.5:8; Zbl. 12:10). Bota okulte e definon Halloween-in si “Ditëlindja e Satanit – festa më e madhe e tij”. Gjatë festimit të kësaj feste, e pyeta një djalosh 8 vjeçar: Çka feston sot? Përgjigjja e tij ishte kjo: “Festoj ditëlindjen e Dreqit”.
Të veshurit me kostume dhe maska të frikshme, me figura të çuditshme vampirësh, fantazma djajsh, kur kreativiteti merr krah për të “shpikur” mënyra dhe maskime më destruktive nga më të çuditshmet, pastaj filmat horror, përzierja me mbrapështira dhe djallëzira të ndryshe etj., jo vetëm që të ftojnë të mendosh dhe të “gatuhesh” keq, por ato mund të shkaktojnë edhe strese tek të rinjtë, ose edhe më keq, të bëhen të pandjeshëm për të dalluar të mirën nga e keqja. Vallë, si mund të shikosh dhe të kënaqesh në një film sadist për dy orë rresht, e të presësh të dalësh prej tij pa u ndikuar nga sadizmi mizorë, domethënë pa ndonjë efekt negativ në të menduarit dhe të jetuarit? Duhet të jemi vigjilentë në mbrojtjen e vetes sonë, të fëmijëve tanë dhe gjithë shoqërisë nga të gjitha ndikimet negative dhe të dëmshme të kohës sonë. Edhe më keq, ndikojnë veshjet e rrobave me forma e figura djajsh, të cilat sikur ishin e janë një sinjal i paraqitjes “spektakolare” në skenë të sektit më famëkeq në botë – Kultit të Satanizmit (Kaosi Zi) – rruga më e shkurtër deri të ferri. Para ca vitesh, lidhur me këtë, Gjykata Supreme e
Vashingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jep urdhër që në shkollat fillore, të mesme dhe në fakultete të futet lënda, të hapën klubet për adhurimin e Satanit për të gjithë adhuruesit e tij të cilët paraprakisht kishin fituar gjygjin me arsyetimin se satanizmi është i vlefshëm si çdo religjion tjetër në botë. Kështu nëntoka – forcat errëta – bijtë territ dalin në sipërfaqe, derisa bijtë e Dritës i zë gjumi! Populli thotë: Uji fle, hasmi s’fle. “Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën sepse veprat i kishin të këqija” (Gjn.3:19). Veçoria tjetër e Natës së Shtrigave – Halloween-it në kohën e sotme ka natyrë komercionalizmi – shitblerja e mallrave të ndryshme. Ata shqiptarë që festojnë sot Hallovween-in, e festojnë më shumë për tu argëtuar se sa për ndonjë motiv fetar, qoftë pagan për të festuar, apo të krishterë e mysliman për të mos e festuar.
Një Nëntori festa e të gjithë shenjtërve – thirrje për shenjtërim
Festa e të Gjithë Shenjtërve që kremtohet me 1 Nëntor, në fakt, është festa e gjithë racës njerëzore. Mund të themi në një farë mënyre se të gjithë ata që kanë sjellë vërtetë gëzim dhe hare në jetën tonë, janë të përfshirë në këtë festë. Festimi i të Gjithë Shenjtërve, nuk është festë e varrezave – që kremtohet nëpër varreza, as festë zisë dhe pikëllimit, por është festë e gëzimit dhe haresë – festa e jetës. Papa Gregori IV (731-741) e zhvendosi festën e të Gjithë Shenjtërve në 1 Nëntor për ti dhënë fund festës së lashtë pagane të keltëve, Samhain, që shënon Vitin e Ri.
Mirëpo, për ta kuptuar Festën e të Gjithë Shenjtërve, në radhë të parë, duhet kuptuar Kishën Katolike – burimet dhe traditën e saj. Jezu Krishti e themeloi Kishën – një Kishë të vetme: të shenjtë, katolike dhe apostolike. “Ku është Krishti, aty është Kisha katolike” (Shën Injaci i Antiokisë, shek. I-II). Arsyet, që kanë sjellë ndarje në Kishë, bazohen mbi keqkuptimet dhe interpretimet e ndryshme të fesë e të bindjeve teologjike. Nderimi i shenjtërve dhe shenjtëreshave, në Kishën Katolike ka filluar qysh në kohën e apostujve, duke parë në ta pasqyrimin e jetës së virtytshme, shembullin e tyre të shkëlqyer, besnikërinë, pastërtinë shpirtërore, frymëzimin dhe dashurinë për Zotin dhe njeriun.
Kush janë shenjtërit dhe shenjtëreshat?
Të shenjtë quhen të gjithë ata që janë përgjigjur thirrjes: “Eja pas meje!” (Gjn.1:43) duke ia kushtuar jetën Zotit dhe njeriut: “Sikurse është i Shenjtë Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën e juaj” (1Pj.1:15). Shenjtëria është veçori e njerëzve të Zotit, pa dallim moshe, vendi, shtrese shoqërore, gjinie etj., është ftesë për çdo kohë, moshë, vend dhe rreth. Shenjtërit dhe shenjtëreshat, janë ata që kanë zbatuar porosinë e Zotit i cili thotë: “Jeni të përkryer siç është i përkryer edhe Ati i juaj që është në qiell” (Mt.5:48).
Kur flasim për shenjtërit, nuk duhet ti mendojmë si heronj, sepse ata janë njerëz si gjithë të tjerët. Shenjtërit janë ata që kanë marrë seriozisht udhën e Zotit, që kanë jetuar thellësisht thirrjen e Tij, e duke vepruar kështu, u bënë vërtetë të shenjtë. Duhet thënë se shenjtërit janë njerëz të zakonshëm, madje edhe me gabime e me të meta sikur secili prej nesh. Këto gabime e të meta arritën t’i përmirësojnë dhe të ndriçohen nga drita e Zotit duke dëshmuar ditë për ditë besnikërinë, kapërcyen kufijtë e zakonshëm duke u bë të jashtëzakonshëm. Mund të themi se i shenjtë është njeriu i mirë dhe i thjeshtë, njeriu që jeton në Zotin dhe për Zotin. Njeriu i shenjtë është normal. Njeriu normal nuk shkakton dhunë as luftëra, nuk urren askënd, kërkon falje dhe i fal padrejtësitë, qëndron ndër të fundit, nuk është mendjemadh as kapriçioz, nuk kërkon lavdinë e vet, i do njerëzit, duket se s’ka asgjë, por i ka të gjitha. Kush është normal në kohën e sotme? Ku janë shenjtërit e shenjtëreshat e kohës së re? Nëse se ke takuar asnjë prej tyre, kërkoje shenjtërinë brenda vetes tënde.
Mozaiku i shenjtërisë është i madh dhe i mrekullueshëm në Kishën Katolike, është si portreti i një figure shumëngjyrëshe me copëza të bukura gurësh që përbëjnë një tërësi. Mbi 2000 vjet krishterim të pandërprerë, mozaiku i shenjtërisë u rritë me shumë njerëz: Papë, arqipeshkëv, ipeshkëv, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, fëmijë, të rinj, shekullarë, prindër, gra dhe bura, të moshuar, të varfër etj.
Udha e shenjtërisë edhe pse është e hapur për të gjithë, nuk është e lehtë. Emërues i përbashkët i udhëtimit është Zoti i cili është dashuri dhe burim shenjtërie. Mu për këtë, dashuria është e vetmja udhë e shenjtërisë. Nuk ka shenjtëri pa dashuri. Pa shkëlqimin e dashurisë, pa shenjtër e shenjtëresha, jeta do ishte pa kuptim dhe e pa vlerë. Shenjtëria, është shenjë e gjallë dhe bindëse e pranisë së Zoti në botë, e veprës së Tij në çdo kohë, në çdo vend, në çdo popull, fuqia e cila ndërron, lartëson dhe begaton jetën e njeriut.
Religjionet që nuk i japin botës shenjtër dhe shenjtëresha, s’kanë tjetër të japin pos diktatit e dhunës. Ndodh që dikush të mos e dojë të drejtën, të mirën, lirinë, dashurinë dhe shenjtërinë duke harruar apo e mënjanuar nga zemra dhe nga ambienti familjarë Zotin, por thirrja për shenjtëri, i përket çdo besimtari dhe çdo njeriut. Mirëpo, kjo varet nga liria personale, nga përcaktimi dhe bashkëpunimi i njeriut me hiret dhe dhuratat e Zotit.
Shenjtëria nuk është e kufizuar në numër dhe individ. Kisha i ka shpallur shenjtër të gjithë ata të cilët, me jetën e tyre janë dalluar në virtyte të krishtera dhe që kanë dëshmuar praninë dhe dashurinë e Zotit në botë. Si të tillë, pas hulumtimeve dhe procedurave kishtare (paraqitja dhe miratimi i mrekullive), janë shpallur edhe zyrtarisht shenjtër dhe shenjtëresha. Shembull dhe model shenjtërie në botë janë të shumtë duke filluar nga Shën Pjetri, Shën Pali, Shën Asti, ipeshkv i Durrsiti (shek. II), Shën Irineu, ipeshkv (shek. II), shenjtërit e Ulpianës antike, Shën Flori e Lauri (shek. II), Shën Niketa i Dardanisë (shek. IV-V), Shën Jeronimi (Shek. IV-V) e miliona të tjerë deri të Shën Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, ikonë shqiptare e dashurisë së Zotit.
Gjithsesi, shenjtërit janë të gjithë ata njerëz të kushtuar Zotit dhe të afërmit të tyre. Sigurisht se ekzistojnë shumë më tepër njerëz të mirë dhe të shenjtë të cilët ne nuk mund t’i njohim ose nuk kemi dëgjuar fare për ta se sa ata që i ka shpallur Kisha të shenjtë. Sepse, është e pamundur të njihen të gjithë njerëzit e mirë dhe të shenjtë në mbarë botën ose të shpallën të shenjtë për tu përfshirë në kalendarin e përbashkët zyrtar të festës së të Gjithë Shenjtërve me 1 Nëntor.
Shenjtërit i nderojmë siç i nderojmë njerëzit e mirë dhe të dashur. Secili besimtar që i nderon shenjtërit, duhet të jetë i vetëdijshëm se ata nga vetvetja nuk kanë bërë asgjë dhe çdo gjë që ka ndodhë në jetën e tyre dhe çdo mrekulli, është hir i Zotit. Nuk vjen shëlbimi nga shenjtërit, as nuk adhurohen ata, sepse shenjtërit janë krijesa të Zotit sikurse jemi edhe ne, por me hir të veçantë dhe dashuri për Zotin dhe njeriun arritën të bëhen shenjtër. Vetëm Zoti adhurohet, e meriton adhurimin e njeriut, ndërsa shenjtërit dhe shenjtëreshat nderohen dhe respektohen, ashtu siç e nderojmë dhe respektojmë ne njeri – tjetrin.
Gazeta Bota Sot